Bizneset në protestë nga nesër, katër kërkesat e tyre

Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm e Shqipërisë njoftoi ditën e sotme, përmes një konference, që duke filluar nga nesër, biznesi i vogël dhe i mesëm do të protestojë.
“Kemi bërë thirrje për grevë, nga ora 8 e mëngjesit deri në 16.00 të pasdites, forma e së cilës do të jetë me ulje qepenësh. Kryefjala e protestës sonë është përfshirja në TVSH e biznesit të vogël, e cila pati efekte gjatë këtij viti. Nga janari deri në fund të nëntorit falimentuan plot 13 mijë biznese të vogla”- bëri me dije Bujar Muça, nënkryetar i Shoqatës, për “Monitor”.
Sipas tij, kërkesat që i drejtohen qeverisë janë si më poshtë:
1. Rritja e pragut të tvsh për biznesin e vogël nga 2 mld lekë në 12 mln lekë
2. Ulja e çmimit të energjisë elektrike me 30 %
3. Ulja e çmimit të karburantit me 40 lekë për litër
4. Ndalja e projektit të qeverisë për zëvendësimin e kasave fiskale dhe gjithashtu ndryshim sistemi
Sipas z. Muça, biznesi i vogël po përballet gjithnjë e më tepër me kosto të shtuara. “Edhe për projektin e zëvendësimit të kasave fiskale, ka kosto të larta për ne. Bëhet fjalë për rreth 700 mijë biznese që i përfshin ky projekt. Një kasë së bashku me ndryshimin e sistemit arrin në 500-600 euro, gjë e cila është kosto shumë e lartë për ne. Jemi dakord me projektin në parim, por qeveria të mbulojë kostot”- thotë më tej z. Muça.

Ai shtoi se , duke nisur nga data 19.12.2018, janë bërë thirrje në rang kombëtar, duhet një solidarizim mes të gjithë bizneseve, që të qendrojnë të bashkuar për kauzën dhe kërkesat që kanë.
“ Ne mbështesim edhe kauzën e studentëve, ndaj duke nisur nga dita e nesërme, të gjithë bizneset në të gjithë Shqipërinë do të solidarizohen me mbyllje qepenash fillimisht, e në rast të mosreagimi nga instancat përkatëse, do të kemi përshkallëzim të protestës në ditët e tjera”- tha z. Muça, duke paralajmëruar edhe greva urie.
Sipas një kërkimi të botuar më parë në Monitor, prej fillimit të vitit dhe deri më 30 nëntor kanë kaluar në statusin pasiv gati 14 mijë biznese (13,927), të cilat në pjesën më të madhe janë biznese të vogla. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një rritje me rreth 65%. Mesatarisht, duke përjashtuar fundjavat (kur nuk kryhen veprime tek tatimet), rezultojnë që janë mbyllur reth 57 biznese në ditë.
Të dhënat në rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin 2017 tregojnë se numri i bizneseve të vogla dhe të punësuarit ranë në krahasim me të njëjtën periudhë më parë. Numri i ndërmarrjeve me 1 deri në 4 të punësuar në 2017-n ishin 94 mijë e 614 biznese, ndërsa një vit më parë 96 mijë e 614 biznese, thuajse 1,800 biznese më pak. Në prill 2018, situata e biznesit të vogël u shtrëngua me përfshirjen në skemën e TVSH-së të bizneseve me qarkullim mbi 2 milionë lekë, nga 5 milionë lekë që ishte pragu për përjashtimin nga TVSH-ja.

Artikulli paraprakDeputeti Shehaj: Sot jemi kërcënuar të gjithë!
Artikulli tjetërKërcënuesi është Ramë Kadriu