Degradimi në shtet të dhunës policore ndaj qytetarëve

Dhuna dhe terrori policor ndaj qytetarëve është kthyer në një fenomen tronditës. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit policia e Tahirit ka dhunuar barbarisht tre qytetarë të pafajshëm. Mesnatën e të premtes një i ri u masakrua në ambientet e Komisariatit të Korçës me pretendimin se ai kishte kundërshtuar punonjësit e policisë. 31-vjeçari Jurxhin Kulla u rrëmbye në rrugë nga forcat e policisë dhe pasi u dërgua në komisariat u dhunua barbarisht nga shefi i Antidrogës dhe shefi i Krimit të Organizuar në Korçë.
Por revanshi i policisë ndaj qytetarëve të pafajshëm nuk ndalet. Pa u mbushur 24 orë nga dhuna në Korçë, forcat e policisë dhunojnë barbarisht në qendër të Tiranës një biznesmen dhe djalin e tij. Edhe në këtë rast pronari i piceri “Era”, Altin Bamllari dhe djali i tij janë dhunuar nga policia në mesnatë dhe sërish me pretekstin shabllon të policisë, “kundërshtim të forcave të rendit”. Publikimi në rrjetet sociale i fotove të qytetarëve të dhunuar nga policia ka krijuar revoltë dhe indinjatë në opinion publik, ndërsa policia nuk shpreh asnjë pendesë për dhunën shtazarake, duke lënë të kuptohet se kjo është metodë e punës të policisë së Tahirit.
Në të dy rastet, Ministria e Brendshme dhe policia janë munduar të fshehin dhunën ndaj qytetarëve, duke fajësuar këta të fundit. Në rastin e dhunës ndaj biznesmenit Bamllari dhe djalit të tij, ministria e drejtuar nga Tahiri shkon edhe më tej me mashtrimet e saj. Sipas Ministrisë së Brendshme, pronari i picera “Era” nuk është dhunuar nga forcat e policisë, por është rrëzuar gjatë ndjekjes nga policia dhe si pasojë janë edhe shenjat në trupin e tij.
Në disa raste të pakta të aksioneve për kapjen e hajdutëve policia publikon edhe video gjatë operacionit policor, ndërsa në rastin e dhunës së qytetarëve fsheh ngjarjen dhe pamjet filmike. Nëse policia nuk do të kishte ushtruar dhunë ndaj tri qytetarëve në 24 orët e fundit, atëherë pse nuk i publikon pamjet filmike për të sqaruar opinionin publik?!
Përveç kamerave e lokaleve që ndodhen në afërsi të vendeve ku kanë ndodhur ngjarjet, janë edhe kamerat body të punonjësve të policisë. Janë ato kamera që Tahiri i ekspozon në mediat proqeveritare me pompozitet për propagandë kur qytetarët kundërshtojnë forcat e policisë, sidomos ato rrugore. Policia i ka pamjet e dhunës ndaj qytetarëve, por nuk do t’i nxjerrë kurrë sepse del në pah dhuna barbare e policisë ndaj qytetarëve të pafajshëm.
Ministria e Brendshme dhe SHKB duhet të kishin hetuar me urgjencë dhunën ndaj tri qytetarëve nga forcat e policisë dhe të merrnin masa ndaj dhunuesve. Ministria dhe SHKB duhet të marrin masa ndaj banditëve që nën petkun e uniformës së policisë ushtrojnë dhunë barbare ndaj qytetarëve. Por ministria e Tahirit dhe veglat e tij nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë sepse ata janë vetë inspirues të kësaj dhune. Nuk janë vetëm 3 të dhunuarit në 24 orët e fundit, por janë me dhjetëra raste dhune policore të publikuar në media dhe në asnjë rast nuk është marrë masë për policët xhelatë, të cilët në të shumtën e rasteve janë drejtues të lartë. Jo vetëm Ministria e Brendshme, por edhe vetë qeveria duhej të ishte alarmuar për këto raste të përsëritura të dhunës policore ndaj qytetarëve.
Dhuna policore ndaj qytetarëve është kthyer në një metodë e punës së policisë së Tahirit për të krijuar frikë dhe terror në mënyrë që të largohet vëmendja nga mungesa e rendit dhe sigurisë publike. Të largohet vëmendja nga vrasjet, grabitjet me maska dhe sidomos trafiku i drogës që drejtohet nga vetë Tahiri dhe krerët e policisë në rrethe.
Prej kohësh vendi ndodhet në terror, ndërsa policia në vend që të godasë bandat kriminale dhe trafikun e drogës, ushtron dhunë dhe terror ndaj qytetarëve të pafajshëm dhe biznesmenëve të ndershëm. Revolta popullore sa vjen dhe rritet ndaj dhunës dhe terrorit policor mbi qytetarët. E vetmja mundësi për ta ndalur këtë terror është largimi i kësaj qeverie që jo vetëm po i varfëron shqiptarët çdo ditë e më tepër, por edhe po i dhunon nëpër rrugë e komisariate.

Rexhep POLISI

Artikulli paraprakJo referendum, por qeveri teknike
Artikulli tjetërPërgjigjja e Malltezit për Ramën dhe ushtarin Peza