Reagon ish-ministri: Ç’punë ka shteti që prish shtëpi kuturu?!

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka komentuar për debatin mes maxhorancës dhe opozitës tek “Unaza e Re”, ndërsa palët hedhin akuza të ndërsjella duke treguar edhe gishtin e fajësisë.
Sipas PD-së, aty do të ndërtohen komplekse pallatesh duke favorizuar Edmon Begon, por pretendime të tilla janë hedhur poshtë nga Partia Socialiste.
Manjani shprehet se nuk është kundër ndërtimeve në Tiranë, por kjo duhet të behët sipas një plani të saktë urban dhe jo me plane pjesore.
“Dje mësova se tek Unaza e Re do ndërtohen komplekse pallatesh. Shumë mirë! Ajo zonë vetëm me komplekse banimi të tilla urbanizohet dhe e rregullon edhe pamjen urbane. Ndaj kush ka takat, zanat e hesap mirë është të lejohet të ndërtojë. Natyrisht sipas një plani urban dhe jo me studime pjesore, siç ndërtonte Rama.
Le të bëhet edhe ana tjetër e atij segmenti të Unazës si ana përballë, ku mirë apo keq, u ndërtuan komplekse banimi të larta shumë herë më të rregullta se ndertimet kaotike me blloqe betoni.
Ajo që nuk justifikohet është pyetja: ç’punë ka shteti që prish shtëpi kuturu?! Në kësi rastesh shtëpitë e vjetra i prish ndërtuesi, i cili merret vesh me pronarët e shtëpive me apo pa legalizim. U bënë 28 vite që ndërtohet në Tiranë dhe ndërtuesit e dinë shumë mirë si gjendet gjuha e bashkëpunimit me pronarët e shtëpive.
Realisht futja e shtetit në këto gjëra, mban erë të rëndë. Erë e cila kur bashkohet me erën e supër qelbur nga korrupsioni 40 milionësh i rrugës, qelb gjithë dynjanë”, shkruan ai.

Artikulli paraprakBashkëshortja e politikanit të lartë në PS, koka e kontrabandës së cigareve në Librazhd
Artikulli tjetërBasha: Mbështetje për shpalljen “non grata” dhe dëbimin e diplomatëve iranianë