Zbardhen dëshmitë të reja në lidhje me bandën e Habilajve dhe lidhjet e tyre me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Mediat italiane kanë zbardhur dëshminë e 47-vjeçari Antonio Riela, i cili është një nga blerësit e lëndës narkotike që vinte nga Shqipëria prej vëllezërve Habilaj.
Duke folur në gjykatë, Riela nuk ka dashur që të tregojë emrin e pronarit të depos ku ruhej droga në Katania, por ka dhënë detaje për mënyrën sesi njihej Moisi Habilaj.
Sipas tij Habilaj mbrohej nga një person i fuqishëm dhe me mjaft pushtet në Shqipëri.
‘Moisi Habilaj më siguroi duke më thënë se ai ishte i mbrojtur si një person i rëndësishëm në Shqipëri, i cili e lejonte atë që të transportonte sasi të mëdha të marjuanës,’ ka thënë 47-vjeçari italian në Gjykatë.
‘Ai më tha edhe emrin e këtij personi, por tani nuk më kujtohet’, ka shtuar më tej Riela në përballjen me gjykatësin Andrea Bonomo.
Më tej ai ka folur dhe për blerjen e bizhuterive nga ana e Moisiut që do të dërgoheshin në Shqipëri.
‘Unë shoqërova Moisin tek një tregtar që qëndron prapa gjykatës së Katania, me një kryq në një derë. Unë nuk hyra, por e di se bizhuteritë do të niseshin për në Shqipëri dhe për këtë u blenë. Ishte dhjetor i vitit 2013’, është shprehur më tej Reila.
/Syri.net