Zemër dhe pasion. Tifozeria në një stadium nuk ka njësi matëse numrin e të pranishmëve, por dëshirën dhe dashurinë për të mbështetur skuadrën e zemrës. Islanda, një ishull vullkanik në mes të askundit në mes të Atlantikut ndërmjet Groenlandës, Europës dhe Amerikës nuk ka vetëm një kombëtare të denjë për europianin, por ndoshta edhe tifozët më të veçantë.
Sektori i ishullorëve dallon qartë, sepse ata jo vetëm që janë të veshur të gjithë me fanellat e kombëtares, por zhurma që bëjnë nëpër stadiume është disa herë më e madhe se ajo e tifozëve kundërshtarë, pavarësisht diferencave të mëdha në numër. Fëmijë, femra, njerëz të moshuar dhe djem të rinj janë një trung i vetëm, ashtu si skuadra e tyre në fushën e lojës. Një simfoni perfekte mes 11 të besuarve në fushë dhe mijëra të tjerëve në shkallët e stadiumeve. Spektakli i islandezëve mori notën 10 edhe në stadiumin e qytetit të Nice, ku ata arritën të shurdhonin edhe anglezët e zhurmshëm. Një sukses që u finalizua me një sinkronizim perfekt mes lojtarëve dhe tifozëve në fushën e lojës, çfarë spektakli…