“Masakrohet” Anglia

Të pamëshirshëm. Tabloidet britanikë, të vetëm në stilin e tyre, vendosin në bankën e të akuzuarve të gjithë lojtarët dhe stafin e Anglisë pas eliminimit nga Euro 2016. Ndoshta është një nga të paktat herë kur gazetat më të mëdha të tregut britanik nuk zgjedhin të bëjnë lojëra fjalësh, duke preferuar t’i shigjetojnë drejtpërdrejtë njerëzit që dështuan sërish në një eveniment madhor. Anglia nuk fiton asnjë trofe që prej vitit 1966, por më shumë se ky, tabloidet nuk arrijnë të përtypin faktin që një grup lojtarësh të mbivlerësuar dhe mirëpaguar bëjnë një paraqitje të shëmtuar përballë një skuadre modeste si Islanda.
Në këtë linjë, “The Sun” është tabloidi më i pamëshirshëm, duke mos kursyer asgjë. “Dështim, siklet, fatkeqësi, diskreditim, turp, mos u ktheni në shtëpi” shkruan “The Sun” në faqen e parë. “Star Sport” kërkon një ndihmë nga lart me titullin: “Zoti na ndihmoftë”. “The Times” në një analizë të paprecedentë vendos notën zero për të gjithë lojtarët që zbritën në fushën e lojës, ndërsa “Daily Mail” i cilëson lojtarët “dështakë”.
“Daily Nation” i cilëson si jo të denjë lojtarët dhe veçon Hart e Hodgson si dy njerëzit fajtorë të kësaj disfate. “The Guardian” e lidh eliminimin me rezultatin e referendimit, duke theksuar se “Anglia ka dalë për të dytën herë nga Europa”, ndërsa “Sport Mirror” ngarkon me faj ish- trajnerin Roy Hodgson për Brexit numër 2.
Eliminimi i Anglisë në ruandin e 1/8-ve të Europianit, nga surpriza e vërtetë e këtij edicioni që mban emrin e Islandës, ka sjellë edhe pasojat e para. Menjëherë pas disfatës me shifrat 2-1 të pësuar në Nice, Roy Hodgson është dorëhequr nga stoli i përfaqësues së Tre Luanëve. Në konferencën për shtyp në përfundim të sfidës, 68-vjeçari britanik bëri të ditur largimin e tij nga drejtimi i Anglisë.
”Jam shumë i zhgënjyer sepse kjo humbje na eliminoi nga kompeticioni. E nisëm Europianin me idenë se do të shkonim larg por edhe pse kishim një skuadër me lojtarë shumë të mirë në përbërje, nuk ishim të aftë të tregonim të gjitha aftësitë tona dhe kjo është e papranueshme. Bëmë ata që mundëm dhe futbollistët nuk mund ti akuzoj për asgjë sepse janë impenjuar maksimalisht deri në sekondat e fundit. Askush nuk ka faj por na duhet ta braktisim këtë turne. Dua ti falenderoj lojtarët për këtë aventurë fantastike”, u shpreh Hodgson.
Përfundoi në mënyrën më te keqe eksperienca e Roy Hodgson në stolin e Anglisë. Trajneri 68-vjecar e mori drejtimin e përfaqësueses së Tre Luanëve në vitin 2012, por pasi u eliminua që në fazën e grupeve në Botërorin e Brazilit, erdhi një tjetër skualifikim, ai ndaj Islandës që në ruandin e parë me eliminim direkt të Euro 2016. Paraqitja fantastike e Anglisë në eliminatore nuk vlejti për asgjë sespe një vend shumë i vogël si Islanda, kyci në sirtar ëndrrën e një kombëtareje që prej dedakash nuk po arrin të jetë protagoniste në një kompeticion madhor.

Artikulli paraprakCaparros zëvendësuesi i Del Bosques te Spanja
Artikulli tjetër“Leo do të fitojë botërorin Rusi 2018”