Edhe Diego Armando Maradona në krah të Lionel Mesit. Legjenda e Argjentinës, hija e të cilit e ka përndjekur gjatë gjithë karrierës së tij yllin e Barcelonës, kërkon kthimin e tij në kombëtare. Në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, Maradona shkruan se Mesi është braktisur dhe në këto momente ka nevojë për mbështetje që të kthehet më i fortë dhe të drejtojë kombëtaren drejt titullit kampion bote në “Rusi 2018″.
“Leo duhet të vazhdojë në kombëtare, sepse ka shumë për të dhënë. Ai do të shkojë në Rusi për t’u shpallur kampion bote. Do të më pëlqente që të flisja me të. Mendoj se e kanë lënë vetëm. Unë nuk dua ta braktis”, u shpreh Maradona.
Maradona gjithmonë ka rezervuar fjalë të ngrohta për 29-vjeçarin, madje edhe atëherë kur ndaj tij ka patur kritika për faktin se me kombëtaren nuk po arrin të tregojë atë që bën te Barcelona. Pikërisht dështimi për të fituar trofe të rëndësishëm në përfaqësuese është ajo pjesë negative e karrierës së tij që e lë prapa Maradonës në vlerësimin që i bën opinioni sportiv në Argjentinë. Trofetë e shumtë të fituar me Barcelonën dhe çmimet individuale, janë asgjë në vendin e tij para trofeut të kampiontit të botës, i fituar për herë të fundit në vitin 1986 nën udhëheqjen e një lideri të padiskutueshëm siç ishte Maradona.
Në Argjentinë ka nisur një fushatë për të bindur Lionel Mesin që të rishohë vendimin për largimin nga kombëtarja. Me dhjetëra tifozë të skuadrës “albiceleste” pritën me duartrokitje dhe banderola në duar mbërritjen e futbollistëve në aeroportin e Buenos Airesit, për t’i inkurajuar pas dështimit në finalen e Copa America Centenario ndaj Kilit.
Një tifoz i ri mbante një banderolë ku shkruhej: “Mesi nëse do të luaje në Parajsë, do të vdisja që të të shikoja”. Një fansë e zjarrtë shkonte më tej me banerin e saj ku shkruhej: “Mesi mos më braktis, të dua më shumë se nënën time”.
Në të tjera pankarta që mbaheshin nga tifozët argjentinas i bëhej thirrje 5 herë fituesit të Topit të Artë që të ndryshonte mendje. “Lio, mos u largo” apo “Të gjithë mund të dështojmë Leo”.
Një tifoz i zjarrtë u shpreh se nuk mund ta imagjinonte kombëtaren pa Lionel Mesin. Është e pabesueshme që lojtari më i mirë në botë të largohet nga kombëtarja në mosën 29-vjeçare vetëm se humbi një tjetër finale.