De Biasi: Te Anglia? Nuk i dihet

Gianni De Biasi mund të marrë drejtimin e Anglisë pas dorëheqjes së Roy Hodgson. “Nuk e di nëse ekziston mundësia që unë të jem trajner i Anglisë, por uroj që të jetë kështu”, ka thënë trajneri i kombëtares sonë. Por, italiani shtoi se nuk do i linte dot kuqezinjtë pas arritjeve të kohëve të fundit. “Në kontratën time me FSHF-në ekziston një klauzolë që më lejon ta prish atë, por tani e kam të vështirë nga ana emocionale ta lë Shqipërinë”, tha De Biasi për “Radio Anch’io lo Sport”.
Paraqitja pozitive e kuqezinjve ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane që vazhdojnë të kenë një interes të veçantë për ekipin shqiptar dhe trajnerin që këtë skuadër e bëri të madhe. Për Gazetën e Modenas, ai është njeriu që i dhuroi një ëndërr një populli të tërë. “Ai jo vetëm që arriti kualifikimin historik, por u largua me kokën lart pavarësisht eliminimit në fazën e grupeve”, shkruan gazeta në fjalë që shton se Shqipëria u eliminua për shkak të kombinimit të rezultateve jo në favor të saj. “Gjëja më e rëndësishme është mirënjohja e një populli pavarësisht rezultatit final”, shton Gazeta e Modenas që sjell një intervistë të gjatë të trajnerit italian, i cili po shijon ditët e pushimit pas evenimentit kontinental ku presioni ishte i madh për një kombëtare të vogël.
“Zhvilluam një europian të madh, pasi grumbulluam tre pikë, po aq sa Portugalia e Ronaldos, por edhe për faktin se zhvilluam dy ndeshje pozitive me Francën dhe Zvicrën. Për fat të keq shpërdoruam shumë, por nga ky turne u larguam me kokën lart. Ky rrugëtim fantastik erdhi edhe falë mbështetjes së tifozëve tanë që na ndoqën nga afër në çdo stadium. Ndaj Francës në Marsejë në një stadium me 64 mijë vende, 20 mijë ishin mbështetës të Shqipërisë, ndërsa ndaj Rumanisë kishte 30 mijë tifozë përballë 9 mijë rumunëve. Një tifozeri e jashtëzakonshme si ajo që na priti pas rikthimit në shtëpi”, thekson De Biasi, sipas të cilit, aventura me Shqqipërinë në këtë europian shënjoi edhe kulmin e karrierës së tij. Gjatë muajve të fundit është folur shumë për të ardhmen e trajnerit dhe ai tregohet korrekt, duke e pranuar se i vjen keq që drejtuesit e Federatës Italiane të Futbollit nuk i besuan stolin e kaltër. Gjithsesi, për De Biasin kjo është një histori e mbyllur, pasi ai thekson se kontrata e tij me Shqipërinë skadon në vitin 2017 dhe vetëm pas këtij viti do të marrë një vendim për të ardhmen.
Gjithsesi, De Biasi u prononcua disa orë më vonë edhe në një intervistë për Radio “Anch’io lo Sport”, ku jep sinjale se një eksperiencë në stolin e Anglisë e josh tashmë që Hodgson ka dhënë dorëheqjen. “Ekziston mundësia, por nuk e di nëse mund të realizohet, çfarë mund të them tjetër, uroj që të jetë kështu. Kam një klauzolë largimi nga Shqipëria dhe mund ta aplikoj në çdo moment, por unë kam lidhje të forta me Shqipërinë në këto momente dhe një vendim i tillë do të ishte shumë i vështirë”, thekson trajneri 60-vjeçar.

Artikulli paraprakBrukseli kundër negociatave
Artikulli tjetërPolemika për fondin e punësimit në Kosovë