Partia Demokratike ka reaguar ndaj Bashkisë Tiranë, e cila hidhte poshtë pretendimet e PD për devijim të lumit të Lanës për një projekt luksoz rezidencial.
“Pas Arben Ahmetajt, sot i erdhi radha Erion Veliajt për të bërë rolin e budallait për projektin luksoz rezidencial 60 milionë euro të trafikantit të drogës pranë Unazës së Madhe. Shqiptarët kanë parë me sytë e tyre dokumentat zyrtare të paraqitur nga Partia Demokratike, që provojnë se Plani Urbanistik i Tiranës dhe projekti për Lumin e Lanës u ndryshuan me firmat e Edi Ramës dhe Erion Veliajt për të favorizuar tokën ku Edmond Bego ka parashikuar të ndërtojë projektin 60 milionë euro”, thuhet në reagimin e PD.
PD bën të ditur se, përmes dokumenteve të publikuara dallohet qartë se projekti i Lanës i vitit 2013 zinte një pjesë të konsiderueshme të ish-Serave, ndërsa projekti i vitit 2017 shmang plotësisht ish-serat, vetëm pasi kjo pronë u privatizua në mars 2016.
“Erion Veliaj mashtron paturpësisht, kur thotë se nuk ka asnjë aplikim për leje ndërtimi në atë zonë. PD ka paraqitur dokumente zyrtare që provojnë se aplikimi për leje ndërtimi nga Edmond Bego, në zonën e ish Serave, pranë Unazës së Madhe, e ka kaluar fazën e parë të miratimit dhe tani leja është vetëm formalitet”, thekson PD.
Më herët bashkia e Tiranës sqaroi se në gjurmën e lumit Lana, në pjesën perëndimore të qytetit, nga ura e shkollës Teknologjike deri ku kryqëzohet me Unazën e Re, nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi dhe se Plani i Përgjithshëm Vendor i qytetit të Tiranës nuk ka ndryshuar.
Drejtoresha e Drejtorisë së Kontrollit të Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës, Frida Pashako, shprehet se projekti për disiplinimin e lumit të Lanës bëhet nga inxhinierë hidroteknikë dhe se në këtë zonë nuk ka asnjë kërkesë për leje ndërtimi nga subjekte private.
Bashkia e Tiranës nënvizon se projekti i disiplinimit të Lumit të Lanës është i parashikuar në Planin e Përgjithshëm Vendor dhe se ai nuk ka asnjë lidhje me projektin tjetër për ndërtimin e Unazës së Re.
Gjithashtu, nisur edhe nga deklarimet e opozitës, Bashkia e Tiranës shpjegon se nuk ka asnjë ndryshim në Planin e Përgjithshëm Vendor që është miratuar në vitin 2017. Sipas Drejtoreshës së Kontrollit të Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës, deri më tani nuk ka asnjë nismë që të kërkojë ndryshimin e PPV-së së miratuar në 2017.
Bashkia e Tiranës hodhi poshtë çdo pretendim dhe imazh grafik të paraqitur nga opozita për devijimin e vijës së Lumit të Lanës. Pashako tha se Plani i Përgjithshëm Vendor nuk përcakton gjurmën ekzakte të një rruge apo të një vije ujore, por jep vetëm drejtimet, konceptet kryesore për këto zhvillime.
Gjithashtu, ajo nënvizon se aktualisht në këtë zonë nuk është kryer asnjë veprim konkret në terren në zbatim të këtij projekti. Sipas saj, zona është e dominuar kryesisht nga ndërtime informale dhe se nuk është bërë asnjë ndryshim.
Bashkia e Tiranës bën me dije se nuk ka asnjë emergjencë për zbatimin e projektit të disiplinimit të Lumit të Lanës dhe se ajo që mbetet objektiv i saj është realizimi i projektit të zgjerimit të Unazës së Re.
Reagimi i Partisë Demokratike
Pas Arben Ahmetajt, sot i erdhi radha Erion Veliajt për të bërë rolin e budallait për projektin luksoz rezidencial 60 milionë euro të trafikantit të drogës pranë Unazës së Madhe.
Shqiptarët kanë parë me sytë e tyre dokumentet zyrtare të paraqitur nga Partia Demokratike, që provojnë se Plani Urbanistik i Tiranës dhe projekti për Lumin e Lanës u ndryshuan me firmat e Edi Ramës dhe Erion Veliajt për të favorizuar tokën ku Edmond Bego ka parashikuar të ndërtojë projektin 60 milionë euro.
Shqiptarët e kanë parë vetë dhe nuk kanë nevojë për mashtrimet banale të Erion Veliajt se Projekti i Lanës i vitit 2013 zinte një pjesë të konsiderueshme të ish Serave.
Shqiptarët kanë parë gjithashtu se projekti i vitit 2017 shmang plotësisht ish serat, vetëm pasi kjo pronë u privatizua në mars 2016 me paratë e trafikantit të drogës. Të gjithë i kanë parë 4 faturat prej 1.5 milionë euro të paguara për privatizimin nga Edmond Bego për llogari të Ministrisë së Financave.
Erion Veliaj mashtron paturpësisht, kur thotë se nuk ka asnjë aplikim për leje ndërtimi në atë zonë.
Partia Demokratike ka paraqitur dokumente zyrtare që provojnë se aplikimi për leje ndërtimi nga Edmond Bego, në zonën e ish Serave, pranë Unazës së Madhe, e ka kaluar fazën e parë të miratimit dhe tani leja është vetëm formalitet.
Afera e projektit luksoz rezidencial 60 milionë euro provon se Erion Veliaj nuk ka asnjë ndryshim nga Edi Rama. Ai është njësoj në shërbim të trafikantëve të drogës, për të shembur shtëpitë e qytetarëve. për të ndërtuar pallatet e krimit dhe për të pastruar paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.