Eksportet në pikiatë, biznesi po falimenton nga taksat dhe korrupsioni i qeverisë

Eksportet përshpejtuan ritmet e rënies, duke u tkurrur me 8% për periudhën janar maj 2016, për të zbritur në 95 miliardë lekë, sipas statistikave të publikuara sot nga INSTAT. Për 5-mujorin rënia vjetore kishte qenë 6%. Dy janë grupet kryesore që po ndikojnë në këtë tendencë negative të eksporteve.
Së pari, mineralet, “lëndët djegëse dhe energjia”, që për 6-mujorin kanë rënë me 48% me bazë vjetore në vlerë, duke reflektuar konjukturën e pafavorshme ndërkombëtare, si me çmimet e ulëta, ashtu dhe me tkurrjen e interesit për të blerë naftën shqiptare që ka një cilësi të dobët. Efekt negativ ka dhënë edhe ulja e eksporteve të energjisë. Pesha e këtij grupi ka rënë ndjeshëm në 16% nga 28% të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Grupi i dytë që ka ndikuar në tendencën rënëse ka qenë ai i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, që është tkurrur me 27% për 6-mujorin. Falimentimi i Kurum, eksportuesit më të madh të metaleve në vend, ka dhënë ndikimin kryesor në këtë tendencë. Pesha e këtij grupi ka rënë në 13% nga 16% në 6-mujorin 2015.
Grupi i vetëm që po shënon një ecuri pozitive këtë vit, është ai i tekstileve dhe këpucëve, që është zgjeruar me 24% me bazë vjetore për periudhën janar-maj 2016. Flamur Hoxha i Kler, një prej sipërmarrjeve më të mëdha tekstile e pranon tendencën rritëse, dhe thotë se ajo vjen më së shumti si rrjedhojë e rritjes së vlerës së shtuar. Megjithatë, ai shton se industria po punon nën potencial, duke pasur parasysh kërkesat e larta që ajo ka nga furnitorët e huaj, teksa rritja e kostove (nga taksat dhe energjia elektrike) po e bën atë gjithnjë e më pak konkurruese. Pesha e grupit të tekstile e këpucë ka arritur në 47% për 6-mujorin, duke e bërë vendin tepër të varur nga ky sektor, që ka si avantazh kryesor krahun e lirë të fuqisë punëtore.
Me ecuri pozitive vazhdojnë eksportet e ushqimeve, pijeve e duhanit që janë rritur me 33%. Gjithsesi, rritja e këtyre dy grupeve ka qenë e pamajftueshme për të amortizuar tkurrjen e lartë të lëndëve djegëse e metaleve.
Dy grupe që kanë pasur ecuri të mirë vitet e kaluara, duke u rritur me vlera dyshifrore, ai i prodhimeve druri dhe letre dhe makineri e pjesë këmbimi kanë rezultuar me rënie këtë vit, duke mos arritur të diversifikojnë gamën e eksporteve dhe të shkojnë përtej shitjes së lëndëve të para dhe krahut të lirë të fuqisë punëtore.

Rënie me 14.8% në maj

Bien eksportet e mallrave me 14.8% në maj 2016, duke arritur 21 mln lekë, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Ndikimin kryesor duket se e ka pasur energjia elektrike, mineralet dhe lëndët djegëse. Sipas shifrave të INSTAT, raportohet sërish rënie të eksporteve edhe krahasuar me një muaj më parë, në maj 2016 kanë rënë me 2.9% krahasuar me prillin e këtij viti.
Nga ana tjetër, shifrat sugjerojnë për një rritje të importeve me 14.2% krahasuar me maj 2015, të cilat kryesohen makineritë dhe pajisje këmbimi. Importet kanë pësuar ulje me 2.5% krahasuar me një muaj më parë.
Deficiti tregtar i majit 2016 është 30 mld lekë, duke u rritur me 48,6% krahasuar me maj 2015 dhe duke u ulur me 2,3% në krahasim me prill 2016, përllogarit INSTAT.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:
Rënia vjetore e eksporteve prej 14,8% këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -21,5 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,5 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,3 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +8,0 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan”, kanë kontribuar me +2,2 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,0 pikë përqindje.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:
Rritja vjetore e importeve prej 14,2% këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3,5 pikë përqindje”. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,9 pikë përqindje.
Vendet tregtare:
Në muajin maj 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me maj 2015 janë: Italia me 5,8%, Greqia me 22,8% dhe Serbia 44,8%. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kosova me 44,6%, Gjermania me 16,2% dhe Maqedonia me 21,7%. Në muajin maj 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me maj 2015 janë: Gjermania me 90,5%, Kina me 97,4% dhe Turqia me 9,3%. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia me 0,3%, Greqia me 9,8% dhe Serbia me 12,4%.

Artikulli paraprakItalia s’na tremb!
Artikulli tjetërÇmenduria e qeverisë, gjoba 100 mijë lekëshe biznese ende pa hapur NIPT-in