Djathtas dhe Drejt, shpresa e vetme për shqiptarët

Erl KODRA

Shqiptarët janë zhytur në mjerim. Domethënë, nga ai lloj mjerimi ekstrem dhe ekzistencial si buka e përditshme. Qytetarët po e braktisin masivisht vendin, shumicën e herëve me shpresën që minimalisht do të arrijnë të ushqejnë fëmijët e tyre qoftë edhe për dy tre muaj. Ky është fakti tragjik; unë jam dëshmitarë i dorës së parë i këtij fakti. Kam takuar me dhjetra familje shqiptare, me fëmijë të mitur nëpër qytetet evropiane, që janë larguar nga Shqipëria pikërisht për copën e bukës.
Buka është gjë e madhe për një qenie njerëzore, për më tepër buka e fëmijëve. Me bukën lidhet nderi dhe dinjiteti i njeriut. Uria e tjetërson çdo gjallëse, mosushqyerja mbjell sëmundje të pashërueshme dhe denatyrim të moralit njerëzor. Uria masive për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së vendit nuk erdhi në kushte lufte ose katastrofe natyrore. Uria në terma absolut do të thotë kur familja nuk është në gjendje të sigurojë tre vakte normale ushqim në ditë, por në pamundësi për t’i siguruar ato me anë të blerjeve financiare, i redukton në dy vakte ose më pak.
Uri do të thotë kur ushqimi nuk përmbush nevojat minimale për proteina dhe vitamina, një situatë kjo shumë e rrezikshme për shëndetin e fëmijëve të vegjël dhe grave e reja. Uria është trishtim dhe depresion i thellë, është humbja e ekulibrit social dhe e dinjitetit njerëzor; uria është ai çasti fatal kur je gati të shkëmbesh me një thes miell gjithçka, përfshirë votën dhe të ardhmen.
“The Great Famine” (Zia e Madhe) në vitet 1845 – 1849 në Irlandë; 1866-1869 në Finlandë dhe Suedi, pati pasoja të jashtëzakonshme; me qindra mijëra të vdekur, si dhe emigrimin më masiv të popullsisë në historinë e këtyre vendeve. Gjatë Zisë së Bukës në Irlandë rreth një milion njerëz vdiqën, ndërsa një milion më shumë emigruan nga Irlanda duke shkaktuar rënien e popullsisë nga 20% deri në 25%. Po ashtu, edhe në Suedi pati emigrim masiv të popullsisë; mbi 1 milion suedez emigruan në SHBA. Gjithçka ishte e lidhur me prodhimin e patates, që përbënte ushqimin bazë për banorët e këtyre vendeve.

Si rrallë herë në Historinë e Shqipërisë, emigrimi përgjatë qeverisë së Edi Ramës është i lidhur drejtë për së drejti me urinë. Popullsia e rretheve të veriut të vendit pothuaj është përgjysmuar; nga Kukësi, Tropoja, Hasi, Dibra, Bulqiza, Puka, Mirdita, Lezha, Shkodra njerëzit janë larguar saktësisht për shkaqe ekzistenciale siç është uria.
Tashmë nuk po emigrojnë vetëm ata që janë në kufinjtë e mbijetesës, por edhe ata njerëz që kanë humbur përfundimisht shpresën për një jetë dinjitoze dhe një të ardhme të sigurtë për familjen dhe fëmijët. Mjekë, inxhinierë, ekonomistë dhe persona të mirëarsimuar po largohen. Qysh sot ndjehet një mungesë e frikshme e mjekëve, ndërkohë që gjithçka po degradon në kufinjtë e të pakthyeshmes.
Është një zinxhirë shkaqesh dhe pasojash, një rreth vicioz ky i kthyer në lëmsh, që nëse nuk zgjidhet saktë rrezikojmë seriozisht si popull. Popullsi e plakur, të rinjë që emigrojnë masivisht, të rinjë që nuk martohen, fëmijë që nuk lindin kurrë, rënie e qarkullimit dhe konsumit, rënie e prodhimit dhe ekonomi anemike janë e tashmja e jonë.
E ardhmja? A mund të ketë të ardhme me realitetin e tanishëm?!
II
Është folur dhe flitet shumë për ndryshimin që i duhet Shqipërisë, shumicën e herëve nga njerëz që artikulohen me fjalë të përgjithshme, sllogane që shprehin dëshpërimisht dëshirën, por vetëm kaq.
“Duhet të zhdukim këta politikanë, të vijnë të tjerë, të rinjtë, të papërlyer”. Fjalë të bukura, një lloj liste dëshirash që nuk përmbushet kurrë. Sepse ndryshimi nuk ndodhë vetiu, jashtë politikës, jashtë programeve politike dhe ligjeve kushtetuese. Të shpjegohem.

Historia politike e Shqipërisë është një rast ndryshe nga vendet e tjera evropiane, madje mund të thuhet se është ndryshe edhe nga vendet e rajonit. Asnjë vend në Evropë nuk ka kaluar nëpër ferrin komunist shqiptar, një lloj pushteti horror që mretëroi me terror sistemik për 45 vjet me rradhë. Terrorizmi enverist i ngritur në sistem kreu genocid të pashembullt politik; fshiu nga faqja e dheut gjithë klasën politike të vendit, rrënoi nga themelet kisha dhe xhamia, vrau dhe burgosi klerin, rrafshoi gjithë shtresën e mesme shoqërore, pronarët e tokave, tregtarët, intelektualët. Në fund të viteve 90-të ne gjendeshim në një udhëkryq politik të pashembullt, ku gjithçka kishim më të vyer moralisht dhe shpirtërisht, me mundim e investuam në Partinë Demokratike.
Ne e njohim Historinë e re të Shqipërisë; domethënë atë çfarë ka ndodhur përgjatë tranzicionit të gjatë shqiptar. Partia Demokratike e përmbushi misionin e saj duke i dhënë vendit kursin euroatlantik, ajo përcaktoi përfundimisht aleancat strategjike, hartoi dhe miratoi ligjet kryesore të ekonomisë së tregut të lirë. Ndryshe, Partia Demokratike mund të cilësohet si reformatorja e madhe politike, ekonomike dhe sociale e Shqipërisë, reforma të cilat nuk rezultuan të mjaftueshme, kjo për shkaqe dhe arsye objektive politike, që lidhen ngushtë me të kaluarën historike, politike dhe ekonomike të vendit. Thënë ndryshe, gërmadhat e komunizmit shqiptar nuk qe e thënë të restauroheshin aq lehtë, madje kjo është edhe merita themelore e Partisë Demokratike që miratoi dhe zbatoi reformat më të thella politike dhe ekonomike në Historinë e re të Shqipërisë.
Lufta politike asnjëherë nuk ka qenë e lehtë në Shqipëri. Madje mund të thuhet lirisht se kjo ka qenë dhe është lufta më e egër, më e ndyrë, më e pisët, me pasoja të jashtëzakonshme për vendin. Pasardhësit dhe trashgimtarët e Partisë së Punës rilindën në formë dhe përmbatje krimet e vjedhjes së hapur, grabitjes me ligj, kriminalizimit masiv të shoqërisë, kriminalizimin e politikës, zhytën në mjerim shtresat e varfëra dhe varfëruan shumicën e popullsisë. Institucionet kryesore të vendit kanë rënë, ndërsa Edi Rama zgërdhihet dhe përqeshë shqiptarët teksa i grabitë ata pa pikë mëshire. Duket se vetëm një personazh si ai, i paskrupullt dhe i pamoral është në gjendje të përmbytë popullin e tij deri në shkatërrim.
Si mund të shpëtohet Shqipëria?
1. Rrëzimi pa kushte i Edi Ramës nga qafa e Shqipërisë
2. Reformimi politik dhe ekonomik i vendit

Po e them që në krye; e vetmja forcë politike që i ka mundësitë dhe kredencialet e nevojshme për ta realizuar këtë ndryshim është Partia Demokratike e Shqipërisë.
Partitë e vjetra tradicionale shqiptare nuk ekzistojnë më, ato i vrau Enver Hoxha, ndërsa Rilindja e Edi Ramës është kthyer përfundimisht në një tufë hajdutësht mafioz të pafytyrë që nuk dinë të ndalen. Kumbari i Rilindjes nuk qeverisë më; në fakt ai nuk ka qeverisur për asnjë ditë; ai përfaqëson rastin tipik të kapjes së shtetit nga krimi politik, krimi mafioz dhe krimi ordiner. Në këto kushte nuk mund të flitet për Parti Socialiste.
Pavarësisht rrethanave komplekse ku ndodhet Partia Demokratike, pavarësisht paqartësisë së një pjese të saj, vendi ka nevojë urgjente për Partinë Demokratike. Ajo i ka burimet njerëzore më të mira në Shqipëri dhe njerëzit më kohezionin më të mirë moral. Partia Demokratike e di mirë se e vetmja zgjidhje për vendin është dhe gjendet brenda saj. Edhe qytetarët e dinë mirë se ajo nuk është e keqja më e vogël, por është e vetmja shpresë dhe zgjidhje për shqiptarët.
Reformimi i ekonomisë kombëtare është jetik për vendin. Ne jemi një vend me popullsi të vogël që po rrudhet përditë, ndaj është vrastare që ekonomia e vendit të mbështetet vetëm tek taksimi masiv i qytetarve.
Sado shumë të taksohen qytetarët shqiptar, Buxheti i Shtetit nuk mund të grumbullojë aq para, sa të sigurojë një zhvillim të qendrueshëm. Për më tepër, nëse paratë paketohen si PPP dhe u dhurohen një dyzine të qelbur oligarkësh siç po bën Edi Rama. Si mund të zhvillohet një vend me vetëm dy milion banorë i mbështetur tek tregëtia dhe shërbimet? Kush do të shesë më parë kur mungojnë konsumatorët; kur familjet shqiptare ndodhen në kushte pamundësie absolute për të ble bukën e përditshme?!

Hapi i parë i reformimit ekonomik të vendit do të ishte reforma e thellë në rishpërndarjen e taksave. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit në një vit buxhetor rreth 1 miliard euro vidhen nga taksat e shqiptarve, para të cilat përfundojnë kryesisht jashtë vendit. Sikur këto para të shpërndaheshin në formën e ndihmës ekonomike për 500 mijë shqiptarët e uritur, Shqipëria do të ndryshonte faqe.
Merreni me mend; këto para do të injektoheshin direkt në ekonominë familjare, do të kishte shumë më tepër konsum, rrjedhimisht do të kishte shitje të produkteve bujqësore vendase, shendeti i popullsisë do të përmirësohej ndjeshëm, do të rritej qarkullimi i parasë, i mallrave, i punësimit; por mbi të gjitha do të ndalte hemoragjia kombëtare e largimit të shqiptarve nga vendi.
Emigrimi masiv për bukën e gojës në fakt është tragjedi. Është tragjedi, sepse sot shqiptarët diskutojnë bukën e fëmijëve, cakun ku çdo qenie njerëzore dorëzohet para krimit dhe vesit; në këto rrethana njeriut nuk i hynë në sy asgjë.
Çfarë ka më shumë vlerë, rikthimi i shpresës do të nxiste sipërmarrjen private drejt prodhimit, shërbimeve cilësore dhe taksës së ndershme. Asgjë në botë nuk vlen më shumë se besimi tek e ardhmja dhe siguria për familjen. Sigurisht që kjo është vetëm një ndër pikat e para për reformat e thella ekonomike që duhen ndërmarrë, reforma të cilat duhet t’i nënshtrohen analizave të thella të ekonomistëve, por jo “analizave ekonomike” të oligarkëve të Edi Ramës.
Rruga është e vështirë, por jo e pamundur. Për fat jemi akoma në kohë, dhe 2019-ta duket se do jetë viti i shpresës. Partia Demokratike duhet t’i japë fund tranzicionit shqiptar, duke e orientuar përfundimisht vendin drejt zhvillimit të qendrueshëm.

Artikulli paraprakMobiljerja që u bë ministre Kulture dhe si Linda Rama do drejtojë ministrinë e Financave!
Artikulli tjetërSkema e re e basteve në lokale nga 1 Janari, si do të kamuflohen