Vlora pa drita dhe ujë, pushuesit po braktisin plazhet

Ndërprerja e energjisë elektrike dhe mungesa e ujit të pijshëm në Vlorë kanë detyruar pushuesit që të braktisin plazhet. Alarmi është dhënë nga Operatorët Turistikë në Vlorë, të cilët shprehen se si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, si rrjedhojë ka dhe mungesë të ujit të pijshëm. Bizneset thonë se pushuesit vijnë dhe largohen menjëherë sapo konstatojnë mungesën e shërbimit. OSHEE po ndërhyn në linjën e tensionit të lartë në Orikum dhe Radhimë, për të siguruar furnizim pa ndërprerje në periudhën e pikut të sezonit veror, korrik-gusht.
Përgjatë gjithë vijës bregdetare të Vlorës të shoqëron zhurma e gjeneratorëve. Pavarësisht ndërprerjeve të energjisë elektrike, Operatorët Turistikë në bregdetin e Radhimës dhe Orikumit thonë se vazhdojnë të mbajnë aktivitetin hapur, ndonëse thonë se puna ka rënë dukshëm. Sipas tyre, pushuesit sapo përballen me mungesë të ujit dhe energjisë elektrike, i drejtohen zonave të tjera bregdetare.
Operatorët Turistikë theksojnë se kostoja është e lartë, ndërsa shtojnë se prej vitesh ndërprerjet e energjisë ndodhin pikërisht në fluksin e punës. “Puna na është prishur në lidhje me dritat, që është kryesorja. Vetëm për ta mbajtur hapur. Me taksat jemi të rregullt, nuk e di si do të zgjidhet deri në fund”, shprehet një biznesmen.
“Mungesa të energjisë elektrike kemi që nga fillimi i qershorit dhe në vazhdimësi. Ndërprerja është e vazhdueshme, 12-14 orë ne nuk kemi energji fare. Na vijnë pushues, futen në hotel dhe ikin përsëri për arsye se energjia mungon, uji po ashtu, mungojnë të gjitha”, thotë një tjetër.
Biznesmenët thonë se gjeneratorët nuk i përballojnë pajisjet që ndodhen në lokale. “Gjeneratori nuk i përballon dot pajisjet që kemi ne në lokal apo pajisjet në biznese të tjera”, shprehet një biznesmen.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka deklaruar se po kryhen investime me rëndësi në linjën e tensionit të lartë në Vlorë, Radhimë e Orikum. Punimet do të ndërpriten më 30 qershor për të rinisur sërish në shtator. Por biznesmentët janë shprehur të indinjuar se kjo ndërmarrje e OSHEE mund të kishte nisur para se të fillonte sezoni turistik.

Artikulli paraprakHarroji shantazhet, propozimet na u bënë për të anashkaluar rekomandimin 88 të Venecias
Artikulli tjetërArrestohet egjiptiani që mori peng anijen, nuk dihet fati i dy shqiptarëve