Aksidentet rriten frikshëm, 7 të vdekur në katër ditë

Gjatë katër ditëve të fundit në të gjithë vendin kanë humbur jetën 7 persona, ndërsa janë plagosur dhjetëra të tjerë si pasojë e aksidenteve. Jemi në ditë e para të sezonit turistik dhe rritja e frikshme e aksidenteve është një kambanë alarmi për policinë. Në të gjitha rastet është konstatuar se shkak për aksidentet është bërë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve, por edhe nga mungesa e sinjalistikës në disa raste.
Vetëm ditën e djeshme ndodhën tre aksidente me pasojë tre të vdekur në Vlorë, Durrës dhe Lushnjë. Një 22-vjeçar humbi jetën në një aksident të ndodhur në orën 7.30 minuta të ditës së djeshme në aksin rrugor Vlorë-Fier. Shtatë bashkudhëtarë të tij kanë marrë dëmtime. Ngjarja ndodhi kur automjeti tip furgon për transport mallrash me targa AA 050 EK është përplasur me trafikndarësen pas çarjes së gomës së parë. Kjo shkaktoi humbjen e ekuilibrit e më pas përplasjen fatale që i ka marrë jetën drejtuesit të mjetit nga Fieri.
Sipas policisë, në afërsi të Novoselës, gjatë ecjes, goma e krahut të pasagjerit ka shpërthyer dhe për shumë metra mjeti ka ecur anash duke u përplasur me trafikndarësen, e cila ka penguar rëndimin e pasojave të këtij aksidenti. Drejtuesi i mjetit është goditur me forcë në mungesë të rripit të sigurisë, ndërsa 7 persona që ndodheshin pa asnjë masë sigurie në mjet janë plagosur. Pas aksidentit ishin kalimtarët që u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve e më pas mbërriti edhe policia që ka ndihmuar të lënduarit. Të gjithë janë dërguar me ambulancë në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që janë marrë në pyetje edhe nga policia.
Mëngjesin e djeshëm një 27-vjeçar që po udhëtonte në autostradën Durrës-Tiranë ka qenë viktima e radhës që ka humbur jetën në aksident automobilistik. Aksidenti ndodhi në afërsi të Kasharit, ku Ervin Shehu nga Lushnja u përplas për vdekje nga një makinë tip “Golf”. Sipas policisë, shkak i aksidentit dyshohet se është bërë fakti që 27-vjeçari ndaloi automjetin e tij në autostradë dhe po ecte në këmbë kur u përplas nga një makinë tip “Golf”. Përpjekjet për t’i ardhur në ndihmë 27-vjeçarit kanë qenë të kota, pasi ai mbeti i vdekur në vend.
Po ditën e djeshme një persona ka humbur jetën në një aksident rrugor në aksin Lushnjë-Rrogozhinë. Burime nga policia bëjnë me dije se, një kamion tip “Benz”, me targë AA 476 PH, ka goditur për vdekje kalimtarin me iniciale R.I., 30 vjeç, banues në fshatin Zhamë. “Ky i fundit, po përpiqej të kalonte trafikndarësen në momentin që është goditur nga mjeti i tonazhit të rëndë, i drejtuar nga B.Sh.”, shtojnë të njëjtat burime.
Aksidenti më i rëndë u shënua mesditën e së shtunës, ku një makinë u përplas me një autobus me studentë e për pasojë humbi jetën një vajzë 12-vjeçare dhe u plagosën rëndë 6 persona të tjerë të gjithë pjesëtarë të së njëjtës familje. Aksidenti ndodhi në qafën e Muzinës afër Sarandës, ndërsa mësohet se shkak i tij ka qenë rrëshqitja e mjetit që ishte i mbingarkuar me 7 persona nga derdhja e një sasie nafte në rrugë.
Ndërsa të hënën një 57-vjeçar nga fshati Vukatanë ka gjetur vdekjen si pasojë e një infarkti. Isa Qardaku ka qenë duke udhëtuar nga qyteti i Shkodrës në drejtim të pikës së kalimit kufitar të Muriqanit, kur të hënën rreth orës 12.55 minuta në fshatin Oblikë është goditur nga infarkti, duke bërë që automjeti me të cilin po udhëtonte të përplaset me kontenierët e mbetjeve urbane. Fatmirësisht në ato momente nuk ka patur kalimtarë në rrugë dhe as mjete të tjera, si dhe 57-vjeçari ka qenë duke ecur me shpejtësi të ulët.
Sipas bilancit të bërë nga vetë Policia Rrugore, gjatë katër muajve të parë të këtij viti kanë humbur jetën në aksidentet rrugore më shumë se 90 persona në mbarë vendin. Sipas ekspertëve, trendi në rritje është i frikshëm. Në të gjithë akset në Shqipëri, autoritetet kanë konstatuar 144 “njolla të zeza”, ku sipas specialistëve, policia duhet të riorganizojë shërbimet për të parandaluar aksidentet fatale.
Në 4-mujorin e parë të këtij viti kanë ndodhur më shumë aksidente në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga të dhënat konstatohet gjithashtu se, rritje të ndjeshme ka pasur edhe numri i personave të plagosur që janë rreth 723 persona, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky numër është rritur 30,4%. “Policia Rrugore duhet të bëjë përditësimin e shërbimeve qoftë në pikat e zeza dhe plan veprimet e tyre, qoftë edhe me një kosto më të lartë me lëvizje patrulluese në pikat ‘hotspot’-e në vijueshmëri. Kjo do të sillte faktikisht edhe lëvizjen e trafikut dhe shkelje më të vogla të përdoruesve të rrugës, shkelje të Kodit Rrugor. Në këtë këndvështrim do të ulej elementi më i rrezikshëm në vendin tonë, shpejtësia”, tha një ekspert i sigurisë rrugore.

Artikulli paraprakNdryshim korruptiv me Lungomaren, dy korsi në xhep të Edvin Kokëdhimës
Artikulli tjetërDy muaj shtëpia e kyçur, OSHEE faturë 340 mijë lekë