Dy muaj shtëpia e kyçur, OSHEE faturë 340 mijë lekë

OSHEE është kthyer në një tmerr për qytetarët me vjedhjet masive me mbifaturimet, por edhe me fatura pa harxhuar asnjë kilovat energji. Një qytetar nga Shkodra ka denoncuar publikisht skandalin e OSHEE, pasi ai e ka patur të mbyllur shtëpinë për dy muaj dhe nuk banonte asnjë njeri, ndërsa fatura e energjisë elektrike i ka ardhur 340 mijë lekë. Qytetari shkodran i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, i cili e ka bërë publik në rrjetin social Facebook. “Qytetari dixhital denoncon: Vjedhjen që u bën OSHEE qytetarëve! Lexojeni më poshtë mesazhin e tij! sb”, shkruan Berisha.
Qytetari nga Shkodra ka dërguar edhe faksimilen e faturës së energjisë elektrike ku tregohet shuma e 340 mijë lekëve, si dhe një foto të sahatit ku tregohet se nuk është konsumuar energji gjatë dy muajve që shtëpia ka qenë e kyçur.
“Përshëndetje Doktor! Dua të bëj një denoncim në lidhje me vjedhjen që po i bën këtij populli OSHEE. Kam dy muaj që shtëpinë që e kam në Shkodër e kam të mbyllur dhe më vjen fatura 34000 mijë lekë të vjetra. Nuk është problem për ato lekë, por këta e kanë bërë rrugë këtë punë. Sa ka si puna ime! Po të dërgoj edhe faturën edhe sahatin që nuk korrespondojnë me njëra-tjetrën. Me respekt D.H.”, përfundon mesazhi i qytetarit nga Shkodra.
OSHEE po bën kërdinë me mbifaturimet e energjisë elektrike në të gjithë vendin. Banorët e Lezhës ankohen prej muajsh për fatura të larta nga OSHEE. Mbifaturimet, sipas tyre, janë abuzime që nuk gjejnë zgjidhje në asnjë zyrë. Banorët ankohen se marrin borxh për të shlyer faturat me vlera më të larta se harxhimi ditor i energjisë në banesat e tyre. Qytetarët ankohen se nuk gjejnë zgjidhje edhe pas ankesave, të cilat i dorëzojnë zyrtarisht, madje ata denoncojnë edhe faktin se sahatet e tyre nuk vëzhgohen nga asnjë faturist, duke drejtuar vëmendjen nga shteti, i cili sipas tyre po u vjedh hapur. Një qytetar u shpreh se nuk e ka paguar faturën e energjisë elektrike sepse i ka ardhur 200 kilovat më tepër. Ai tha se nuk ka se ku t’i gjejë lekët që të paguajë mbifaturimin e energjisë elektrike.
E njëjta situatë është edhe në Qarkun e Elbasanit. Banorët e Elbasanit shprehen se, janë mbifaturuar dhe në sportelet e OSHEE-së askush nuk u jep zgjidhje. Zemërimi kolektiv i qytetarëve shikohet edhe pranë sporteleve, ku ka prej tyre që fatura u ka ardhur me shuma marramendëse dhe ata nuk kanë mundësi që të paguajnë. Numri i qytetarëve që kanë ngritur ankesat pranë zyrave të OSHEE është shumë i lartë, por askush nuk përgjigjet për dyfishimin e vlerës së faturuar.
Ndërsa banorët e Prrenjasit dhe pronarët e lokaleve janë ngritur në revoltë para pak ditësh për shkak të mbifaturimit të energjisë. Sipas tyre, faturat e energjisë elektrike për të gjitha familjet dhe bizneset për muajin qershor kanë ardhur dyfish në krahasim me një muaj më parë. Ata shprehen se, ndonëse harxhimi i energjisë ka qenë i njëjtë janë bërë mbifaturime për të mbushur arkën e OSHEE. Pronarët e lokaleve thonë se janë ankuar tek përgjegjësi i OSHEE në Prrenjas, por aty kanë marrë përgjigje se nuk është faji i tyre, pasi ata kanë faturuar aq energji sa është harxhuar. Thuhet se është bërë ndërhyrje në kompjuter nga drejtuesit e OSHEE të Qarkut Elbasan.
E njëjta situatë është edhe në Librazhd, ku banorët ankohen për fatura të larta nga OSHEE. Mbifaturimet, sipas tyre, janë abuzime që nuk gjejnë zgjidhje në asnjë zyrë. Banorët shprehen se marrin borxh për të shlyer faturat me vlera më të larta se harxhimi ditor i energjisë në banesat e tyre.

Artikulli paraprakAksidentet rriten frikshëm, 7 të vdekur në katër ditë
Artikulli tjetërNishani takon ambasadorin Cannon