Nishani takon ambasadorin Cannon

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim lamtumire Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Cannon, në mbyllje të misionit të tij diplomatik në Shqipëri. Presidenti Nishani vlerësoi punën dhe kontributin e Ambasadorit Cannon në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë gjatë katër viteve të fundit, duke specifikuar në mënyrë të veçantë bashkëpunimin për çështjet e sigurisë dhe të përmirësimit të standardeve demokratike në Shqipëri. Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer dhe substanciale të Britanisë së Madhe në kuadër të integrimit euroatlantik të vendit, duke theksuar se Shqipëria e konsideron integrimin euroatlantik jo thjesht rrugën më të mirë, por të vetmen që garanton standarde dhe zhvillim të qëndrueshëm për vendin. Presidenti Nishani e uroi Ambasadorin Cannon për vijimin me sukses të përmbushjes së misionit të tij të ardhshëm diplomatik, si dhe shprehu besimin se ai do të vijojë të mbetet një mik i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve edhe në të ardhmen.

Artikulli paraprakDy muaj shtëpia e kyçur, OSHEE faturë 340 mijë lekë
Artikulli tjetërKushtetuesja i drejtohet Venecias për ligjin e pronave