Klithjet e fundit për të mbajtur pushtetin, nuk e shpëton më as lakuriqësia

Boldnews.al

Kryeministri Edi Rama jo pa qëllim u bë pjesë e një spoti çmendurie teksa tregonte veten në dush, në krevat, duke pikturuar apo cjerrë vokalisht për një emision satirik, si ajo e “Xingut” . Përtej çmendurisë së sprovuar në sjellje, Rama po mundohet që edhe lakuriqësinë ta përkthejë në vota, mbështetje, e për të fituar kohë nga revoltat popullore që zien së brendshmi, e mjafton vetëm një shkëndijë që të dalë në shesh, ku i pari që rrezikon është vetë kryeministri me kastën e tij drejtuese.
Nëse në qeverisje do kishte një aleate politike, me siguri përgjegjësinë do ia vishte asaj, por tani që e ka të vetëm pushtetin në mandatin e dytë, po mundohet të shesë jo më premtime dhe një Shqipëri vituale që ia shkëmoqën studentët me protestat e tyre, por ka nxjerrë në treg lakuriqësinë e trupit e mendjes. Kujt i interson Rama në dush dhe krevat? Përveç perversëve që gjenden tek-tuk në çdo shoqëri, akujt tjetër, përfshi edhe ata që e votuan nuk kanë kuriozitetin e një “lakuriqësie politike” e aq më keq trupore.
Në shkencat politike njihen lëvizje të tilla që kur nuk ke çtë ofrosh qytetarëve që të kanë besuar, mundohesh të tregosh se ti je një prej tyre, një njeri i thjesht që lahet, zhvishet, pikturon, klith, mërzitet, lumturohet e në fund përmbush tablonë e çdo qenie të gjallë njerëzore. Por Edi Rama ka harruar më kryesoren, njerëzit nuk janë më ata të parët që i besonin, që ende shpresonin se një i “çmendur në sjellje” do të rregollonte një vend në depresion si i yni. Shumica qytetare socialiste, minimalisht po e akuzon si të paaftë, pjesa tjetër si të korruptuar dhe shumica si një lider që nuk ka më çtë ofrojë.

Pikërisht kësaj kryeministri i druhet.
I ka rënë përtokë propaganda që me aq finesë ia përdhosën studentët në 19 ditë revoltë. Nuk ka më kauz politike për të akuzuar kundërshtarët, fundja ata vegjetojnë në opozitë po aq të pashpresë sa edhe ai që po mban zvarrë pushtetin. Nuk ka më çengel që të mbahet në ndonjë parti bashkëqeverisëse, sepse po qeveris i vetëm. Në kushte të tilla, i kanë mbetur të sjellë diktaturën, duke shtypur me dhunë çdo revoltë, apo të bëjë karagjozin, duke rikthyer në treg lakuriqësinë e tij.
Herën e parë kur kryeministri u shfaq nudo në një plazh të europës ndodhi në vitin 2007 kur ishin zgjedhjet lokale. Kundërshtarët politik rrëmuan dhe siguruan një foto lakuriq të Ramës, bashkë me të dashurën e tij edhe ajo lakuriq.
Shumëkush atëherë e konsideroi si një shkelje privatësie, një gjest të ulët të kundërshtarëve dhe Partisë Demokratike iu kthye në boomerang ajo që serviri.
Rama u votua masivisht, jo për lakuriqësinë, por për një lloj shprese ndryshimi që qytetarët ende e mendonin se mund të sillte ai. Pas 11 vitesh, kryeministri shet veten duke u shfaqur gjysmëlakuriq në dush, apo i shtrirë në krevat.
Nuk është asgjë më shumë se tentativat e fundit e një politikani të fundosur, që në pamundësi për të genjyer edhe më shumë, po shet veten për të mbajtur pushtetin. Por këtë lakuriqësi askush nuk po e “blen”…

Artikulli paraprakBora zbardh Jugun, ja sa gradë minus shkojnë temperaturat në fundjavë
Artikulli tjetërRevolta në faqen zyrtare të Ramës: O gjytrym, mos tall ‘Erionin’ me njerëzit se…