Mrekullia Islandë ka pushtuar botën. Fitorja ndaj Anglisë në çerekfinalet e Francë 2016 ka hapur një kapitull të ri në futbollin e këtij shteti që nuk ka më shumë se 120 lojtarë profesionist. Pavarësisht këtij numri të vogël futbollistësh, mediat europiane shkruajnë se, Islanda po vjel frytet e investimit 16-vjeçar për infrastrukturën në futbollin vendas.
Janë ndërtuar 20 fusha futbolli të mbyllura, 150 fusha të vogla për fëmijët e moshave të ndryshme dhe 11 komplekse ku përveç stadiumit ka të përfshirë edhe fushën ku skuadra bën stërvitjen. Sipas mediave një tjetër faktor i këtij suksesi është rëndësia që i është dhënë trajnimit. 70% e trajnerëve në Islandë kanë licencën B, ndërsa 23% licencën A të UEFA-s. Kjo gjë bën që islandezët të trajnohen mirë që në moshë të vogël.
Përfaqësuesja e këtij vendi drejtohet nga dy trajnerë, suedezi Lars Lagerback dhe islandezi Heimir Hallgrimsson. Ky i fundit, është një dentist dhe në kohën kur nuk ka impenjime me kombëtaren ushtron këtë profesion. Ndërkohë zv/trajneri Benediktsson ka dhe një detyrë, është komentari i ndeshjeve të këtij europiani për televizionin islandez. Portieri i përfaqësueses, Hannes Halldorsson, i cili është një nga pikat e forta të skuadrës, është regjisor. Madje, ai ka bërë videoklipin e këngës me të cilën Islanda u përfaqësua në Eurovision 2012.
Pas eliminimit befasues nga Europiani i Francës, Federata angleze ka filluar të mendojë për të ardhmen. Roy Hodgson dha dorëheqjen menjëherë pas humbjes me Islandën, duke detyruar drejtuesit e institucionit më të lartë të futbollit anglez që të kërkojnë pasuesin e tij. Orët e fundit drejtuesit e Federatës Angleze të futbollit janë takuar për të vlerësuar kandidatin më të mirë që mund të marrë përsipër të drejtojë skuadrën e “Tre Luanëve” dhe identikiti i përcaktuar prej tyre përkon me figurën e Wenger.
Trajneri francez i Arsenalit ka një kontratë me klubin londinez deri në vitin 2017 dhe te Anglia janë gati që të presin skadencën e saj për t’i dhënë atij çelësat e kombëtares. Claudio Ranieri, Steve Bruce, Eddie Hou, Sam Allardyce, janë disa prej trajnerëve të tjerë që janë marrë në konsideratë nga drejtuesit e Federatës angleze, por asnjë nuk ka të njëjtën eksperiencë dhe njohuri të Premier League si Wenger.
Ndërkaq në shtator nisin ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2018 dhe Anglisë i duhet me çdo kusht një trajner. Për këtë arsye në Federatë po mendojnë që të vendosin një trajner të komanduar ku favoriti në këtë pikë është Gareth Southgate.