Bayern Munchen ka lajmëruar se futbollisti i kombëtares franceze Benjamin Pavard do të transferohet në Bavari këtë verë.
Pavard, 22 vjeç, shkëlqeu në Kupën e Botës me Francën, duke luajtur si mbrojtës i djathtë për skuadrën e drejtuar nga Didier Deschamps. Goli i tij në ndeshjen kundër Argjentinës u përzgjodh Goli i Botërorit.
Mbrojtësi i Stuttgart-it ka shkuar në Gjermani nga Lille në vitin 2016 dhe ka spikatur, duke luajtur në qendër të mbrojtjes, ndaj ka kohë që ndiqet nga Bayern dhe shumë klube të interesuar.
Klubi bavarez ka mohuar gjithnjë ndonjë marrëveshje të mundshme, por ka muaj që flitet për një akord dhe tashmë duket se kampionët e Gjermanisë janë detyruar të dalin me një lajmërim zyrtar, edhe pse nuk e kanë zbuluar shifrën e transferimit, që pritet të jetë 35 milionë euro.
Drejtori sportiv i Bayern-it, Hasan Salihamidzic, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka deklaruar: “Mund të konfirmoj se Pavard do të bashkohet me ne prej 1 korrikut, ka firmosur kontratë 5-vjeçare”.
Salihamidzic konfirmoi gjithashtu interesimin për adoleshentin e Chelsea-t, Callum Hudson-Odoi, për të cilin oferta gjermane po shkon drejt 40 milionë euro: “Është një lojtar shumë interesant, të cilin duam ta afrojmë patjetër”, tha Salihamidzic për 18-vjeçarin anglez.
“Ai ka cilësi që përshtaten me lojën tonë, driblon mirë dhe ka aftësi mjaft të mira në fazën sulmuese. Është futbollist me potencial të madh”.