Unai Emery është emëruar zyrtarisht në krye të stolit të Paris Saint Germain. Trajneri fitues i tre trofeve të Europa League me skuadrën e Sevillas, ka marrë detyrën e re duke pasuar francezin Laurent Blanc, i cili fitoi çdo trofe të mundshëm në Francë, por dështoi në objektivin Champions pasi u eliminua nga Manchester City në çerekfinale. Palët kanë nënshkruar një kontratë që do t’i lidhë deri në vitin 2018 me opsion rinovimin edhe për një tjetër sezon. Në intervistën e parë si drejtues i skuadrës pariziene, Emery u shpreh i emocionuar dhe e konsideroi aventurën e re si një sfidë shumë të madhe për karrierën e tij.
“Jam shumë entuziast që bëj pjesë në një klub të madh si Paris Saint Germain. Do të zbuloj një kampionat të ri, por kjo është një skuadër në rritje dhe dëshiron të arrijë objektiva të rëndësishme edhe në Europë. Për mua është një sfidë e madhe dhe dëshiroj të vazhdoj ta zhvilloj këtë klub. Synoj që skuadra të reflektojë ambicjet dhe idetë e mija dhe synoj që ekipi të jetë shumë agresiv me një identitet të qartë. Këtë energji pozitive duhet ta ndajmë me tifozët”, u shpreh Emery.
Në vijim ai përqendrohet te risitë që e presin në një vend të ndryshëm nga Spanja ku punoi për shumë vjet. “E dua Francën, sepse është një vend i lidhur ngushtë me sportin. Unë personalisht e dashuroj futbollin, por më pëlqen edhe çiklizmi. E kam ndjekur përherë kamionatin këtu. PSG është skuadra favorite e viteve të fundit, por nuk duhet të nënvlerësojmë edhe skuadra si Marseille, Lyon apo Monaco. Ligue 1 është një kampionat taktik dhe unë po pres me padurim për të nisur këtë eksperiencë”, tha ai.
Në fund, Emery bën një premtim edhe për të gjithë tifozët e Paris Saint Germain. “Do të impenjohemi maksimalisht për të bërë më të mirën dhe për të arritur sa më shumë fitore që të jetë e mundur. Do të bëjmë të pamundurën që të krijojmë gjithashtu një lidhje të ngushtë me të gjithë mbështetësit tanë në Francë”, përfundoi Emery.