Opozita këmbëngul në nismën e saj për vettingun në politikë, ndërsa Edi Rama e ka thënë haptas se është kundër këtij propozimi.
Por çfarë do të ndodhë nëse mazhoranca nuk e pranon këtë vetting.
Sipas kreut të PD-së, opozita do të shkojë drejt radikalizmit dhe të gjitha variantet janë në tryezë.
Pjesë nga intervista e kreut të PD, Basha:
Eni Vasili: Gjasat janë që mazhoranca të mos e pranojë vettingun në politikë, cili do të jetë hapi juaj i radhës?
Basha: Nëse kjo masë nuk pranohet apo futet në kalendat greke, ne na lind detyra që të bëjmë një konsultim mbarëkombëtar me qytetarët, për hapin tjetër që duhet të hedhim.
Vasili: A është opsion djegia e mandateve?
Basha: Të gjitha janë opsion. Momentin që mazhoranca hedh poshtë, mënyrën ligjore dhe kushtetuese për të larguar politikanët e lidhur me krimin dhe të gjithë ata që nuk justifikojnë pasurinë, në kushtet ku ndodhet vendi dhe që po qeveriset nga bandat dhe ku ekonomia është në dorë të bandave, ku kryeministri dhe ministrat janë kthyer në kukulla të bandave, atëherë ajo që shtrohet për zgjidhje është çfarë është detyra dhe vendi i opozitës në raport me këtë gjendje.
Dhe ajo që mund të ju them sot, duke filluar nga ditët e ardhshme, opozita, PD dhe unë personalisht do të jemi në një konsultim me qytetarët për të marrë vendimin që duhet të marrim të gjithë sëbashku, nëse Edi Rama e bën realitet atë që tha një javë më parë tek studio e Blendi Fevziut, që bllokon vettingun politik, pra vazhdon të mbajë politikanë të lidhur me krimin të marrin vendime në emër të shtetit.