A do të frenohen aventurat e Putinit?

Presidentin e ri dhe administratën e ardhshme të Shteteve të Bashkuara e pret një sfidë e rëndësishme e politikës së jashtme për mënyrën se si do të trajtojë agresivitetin ndërkombëtar dhe aventurat ushtarake të vendeve të huaja, veçanërisht Rusisë. Disa shenja në javët e mëparshme në lidhje me përballjet e fundit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, flasin për një qasje më miqësore të Shteteve të Bashkuara kundrejt Moskës. Cilado të jetë strategjia e zgjedhur, ajo do të ketë pasoja në të gjithë botën.
Riafrimi ndërmjet Washingtonit dhe Moskës mund të shkojë përtej përpjekjeve të dështuara të administratës Obama për të rihapur marrëdhëniet ruso-amerikane pas luftës së Rusisë me Gjeorgjinë në vitin 2008. Në fakt, një pjesë e mirë e pjesëtarëve të administratës së re si Rex Tillerson, Mike Pompeo apo James Mattis, janë shprehur egërsisht kundër imperializmit rus. Megjithatë, presidenti i zgjedhur Trump dhe ata që e këshillojnë për çështjet e Rusisë si Michael Flynn, Paul Manafort dhe Carter Page shpresojnë se toleranca amerikane kundrejt veprimeve të Rusisë në ish-hapësirën sovjetike, veçanërisht në Ukrainë, mund ta bëjë Kremlinin më bashkëpunues në fusha të tjera të rëndësishme, si lufta kundër terrorizmit dhe rajone të tjera si Siria dhe Arktiku.
Megjithatë, edhe presidenti i ri Trump bashkë me këshilltarët e tij e kuptojnë se çfarë rreziqesh mund të kenë përballë. Reziqet nuk kanë të bëjnë vetëm me interesat kombëtare të vendeve pro amerikane si Ukraina, Estonia, Gjeorgjia apo Polonia.
Pas garancive të sigurisë që Shtetet e Bashkuara i ofruan Ukrainës në vitin 1994 nën memorandumin e Budapestit, një lëvizje e Washingtonit për ta zbutur Moskën do të ishte një tjetër çarje e regjimit të dobët të mospërhapjes bërthamore ndërkombëtare. Miratimi i heshtur i zaptimit territorial të Ukrainës do të dëmtonte akoma Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore të vitit 1968, një nga marrëveshjet shumëpalëshe më të rëndësishme të botës.
Sipas Memorandumit të Budapestit, tri vende zyrtare me armë bërthamore – Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – garantuan paprekshmërinë e kufijve të Ukrainës. Në dy deklarata të ndara, dy vendet e tjera me armë bërthamore, Franca dhe Kina, shprehën gjithashtu respektin e tyre për sovranitetin kombëtar të Ukrainës.
Kjo ishte marrëveshja kryesore ndërmjet pesë shteteve garantuese dhe Ukrainës (së bashku me Bjellorusinë dhe Kazakistanin), të cilat kishin trashëguar arsenal bërthamor nga koha sovjetike. Në këmbim, gatishmëria e Kievit për të dorëzuar armët e shkatërrimit në masë, u garantua detyrimi për të monitoruar dhe mbrojtur integritetin territorial të Ukrainës dhe vendeve të tjera.
Por që pas vitit 2014, për të mos thënë më herët, Moska e ka shkelur në mënyrë manifestuese Memorandumin e Budapestit. Duke qenë se marrëveshja përbën një aneks të rëndësishëm të Marrëveshjes së Mospërhapjes Bërthamore, shkelja e tij përmes zaptimit të territorit të Ukrainës nga ana e Rusisë sfidon hapur mekanizmin ndërkombëtar ligjor që duhet të parandalonte përhapjen e armëve bërthamore.
Përmes kësaj lëvizjeje, Moska jo vetëm që ka dënuar padrejtësisht një vend që ka ftuar të dorëzojë vullnetarisht arsenalin bërthamor në këmbim të sigurisë territoriale, por tregon hapur se si një vend që zotëron armë bërthamore mund të përdorë potencialin e tij për të implementuar dhe siguruar zgjerimin territorial përmes mjeteve ushtarake.
Akoma më i rëndë është fakti se dy shtete të tjera zyrtare me armë bërthamore, Pekini dhe Parisi, e kanë asistuar Rusinë në shkeljen e regjimit të mospërhapjes bërthamore. Pavarësisht se kanë shprehur respektin e tyre për integritetin territorial të Ukrainës, Kina nuk e mbështeti rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2014 kundër ankesimit të Krimesë dhe shumë parlamentarë francezë e kanë vizituar Krimenë pas aneksimit të Rusisë.
Ende nuk dihet se si do të zhvillohen ngjarjet dhe nëse Shtetet e Bashkuara do të shfaqin tolerancë kundrejt aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë dhe ndërhyrjes së saj në rajonin lindor të Donbasit. Megjithatë, lëvizjet që do të ndiqen më pas do të ndikojnë fuqimisht në regjimin ekzistues të mospërhapjes bërthamore.

Exit mobile version