A do të ‘godasë’ SPAK para 11 majit? Rreth 230 procedime të reja për pushtetarët, futet në lojë ligji Antimafia

Besimi te Prokuroria e Posaçme është rritur ndjeshëm kohët e fundit. Pavarësisht sulmeve dhe goditjeve politike, SPAK ka rritur të godasë emra që deri dje cilësoheshin të paprekshëm. Sot ka në burg ministra, deputetë, krerë bashkish, gjyqtarë, avokatë, etj.

Por duket se lista do të jetë akoma dhe më e gjatë. SPAK ka regjistruar 227 procedime të reja penale për veprat penale të korrupsionit, si dhe 101 procedime për krimin e organizuar. Thënë më thjeshtë, vetëm në vitin që lamë pas, janë hapur 328 dosje të reja.

Po ashtu bëhet me dije se janë 526 procedime të trashëguara nga vite e kaluara.

Në lidhje me pikën 1, më datë 01.01.2024 janë mbartur gjithsej 526 procedime penale nga të cilët : 165 procedime janë të regjistruara për veprat penale në kuadër të krimit të organizuar, 61 janë regjistruar për veprat penale të korrupsionit dhe veprat e tjera. Për periudhën 01.01.2024-31.12.2024 janë regjistruar 328 procedime gjithsej nga të cilët: 101 për veprat penale në kuadër të krimit të organizuar, 227 për veprat penale që lidhen me korrupsionin dhe veprat e tjera”, njofton SPAK.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme bën me dije se ka vënë në zbatim edhe ligjin Antimafia. Për vitin 2024 janë regjistruar 17 procedime pasurore në kuadër të këtij ligji.

Në lidhje me pikën 2, nga SPAK, për periudhën 01.01.2024-31.12.2024 janë regjistruar 17 procedime pasurore në kuadër të ligjit Nr. 10192, datë 03.12.2009”, thuhet në shkresë.

Tani pyetja që ngrihet është se kur do të godasë SPAK, para apo pas zgjedhjeve? Vetë prokuroria do të ketë fokus të veçantë krimin zgjedhor, por në media ka pasur akuza se në listën e partive ka kandidatë që janë aktualisht nën hetim nga SPAK dhe kjo do të thotë se disa mund të mos jenë në garë më 11 maj ose mund të mos e gëzojnë mandatin nëse SPAK vendos të mos ndërhyjë tani.

Artikulli paraprak“Madhështia” e një konsulence amerikane
Artikulli tjetërBasha në timon, i përgjigjet Ramës: Ku të mbetën Lali me shokë?