A do të largohen futbollistët shqiptarë

Pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA, e përditshmja zvicerane “Blick” në mënyrë të paevitueshme ngre pyetjen 1 milion dollarëshe; A do të largohen yjet e kombëtares helvete me origjinë kosovare për t’u bashkuar me Përfaqësuesen më të re të kontinentit? Fillimisht “Blick” thekson se beteja e radhës për Federatën e Kosovës është në FIFA, ku duhet të marrë dritën jeshile, në mënyrë që të hapen dyert e eliminatoreve të botërorit 2018. “Por a mund të zhvendosen menjëherë Xhaka dhe Shaqiri te Kosova? Kjo është një pyetje që e bëjnë të gjithë dhe rreziku për këtë ekziston. Gjithsesi, ata mund të luajnë me Zvicrën edhe në eliminatoret e Botërorit dhe më pas të bashkohen me Kosovën, pasi afati maksimal për të marrë një vendim shkon deri në 2 vjet”, shkruan ndër të tjera “Blick”.
Në vijim të shkrimit, e përditshmja zvicerane shkon edhe më tej, duke aluduar për ndryshimin e rregullores nga FIFA, në mënyrë që lojtarët që janë aktivizuar të mos ndryshojnë skuadër edhe pse Kosova nuk ka qenë e njohur ndërkombëtarisht. Sipas “Blick”, ndryshimi në këtë pikë të statutit do t’u jepte fund hamendësimeve. “Kjo është një traditë e trashëguar nga vitet ’90, kur shumë lojtarë ballkanas u bashkuan me Kroacinë, Slloveninë dhe Bosnjen pas pavarësisë së këtyre shteteve. Në këtë aspekt, koha shtrëngon sepse ata duhet të marrin një vendim deri në muajin shtator, kur nisin edhe eliminatoret. Aktualisht, Shaqiri dhe Xhaka nuk janë shprehur për një largim të mundshëm, por infrastruktura në Kosovë është shumë e dobët dhe për karrierën e tyre në nivelet ndërkombëtare, përfaqësimi me Zvicrën është një avatazh. Për më tepër, të dy lojtarët janë lindur dhe rritur në Zvicër dhe kanë një lidhje të veçantë me vendin që i priti”, përfundon shkrimin e përditshmja “Blick”.

Artikulli paraprakBashkia Kamëz partnere e projektit të KE, “Pjesëmarrja Civile e të Rinjve dhe Vullnetarizmi”
Artikulli tjetërUEFA, Bell: Nuk i trembemi arbitrazhit për Kosovën