Nga Aleksandër Gabuev
Për momentin, prioriteti kryesor i Kremlinit është të shmangë një përshkallëzim të madh me Shtetet e Bashkuara mbi Ukrainën, përpara se Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë.
“Gjëja e vetme që nuk do të dëshironit të ndodhte asnjëherë, është një aleancë e ngushtë midis Rusisë dhe Kinës. Do të më duhet që t’i përçaj ato, dhe mendoj se mund t’ia dal”, u mburr Donald Trump në një intervistë në tetor për gazetarin amerikan Tucker Carlson.
Gjatë fushatës elektorale, presidenti i zgjedhur deklaroi vazhdimisht se do ta ndalë “brenda 24 orësh” luftën në Ukrainë, dhe se do të jetë shumë më i ashpër ndaj Kinës sesa ka qenë presidenti Joe Biden. Por Trump nuk ka thënë asnjëherë me saktësi, se cili është plani i tij për të “ndarë” këto dy vende nga njëri-tjetri.
Bazuar tek sjellja e tij në mandatin e parë, ai mund të përpiqet të improvizojë diçka menjëherë. Por shenjat e para, tregojnë se administrata e ardhshme mund të përpiqet ta dëmtojë partneritetin kinezo-rus duke ulur tensionet (dhe madje duke përmirësuar lidhjet) me Moskën, në mënyrë që të ushtrojë presion mbi Pekinin.
Kjo qasje ngjan si e kundërta e asaj që Sekretari i Shtetit Henry Kissinger, përdori më shumë se 50 vjet më parë, kur Shtetet e Bashkuara ulën tensionet me Kinën, për të shfrytëzuar përçarjet midis Pekinit dhe Moskës. Kjo shkollë mendimi, është shumë popullore tek njerëzit pranë Trump, përfshirë ata që janë emëruar tashmë në ekipin e tij të sigurisë kombëtare.
Për shembull Michael Waltz, kongresmen republikan, të cilin Trump e ka zgjedhur për të shërbyer si këshilltar i tij për sigurinë kombëtare, deklaroi për The Economist se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në përfundimin e luftës në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe më pas të devijojnë burimet për të “kundërshtuar kërcënimin më të madh që vjen nga Partia Komuniste Kineze”.
Për momentin, prioriteti kryesor i Kremlinit është të shmangë një përshkallëzim të madh me Shtetet e Bashkuara mbi Ukrainën, përpara se Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti rus Vladimir Putin, shpreson që nëse Moska i luan mirë kartat e saj, presidenca e Trump të sjellë një rënie të ndjeshme të mbështetjes perëndimore për Kievin.
Por ndërsa Putin ka arsye për të qenë optimist për Trump, Xi ka shumë arsye të jetë i shqetësuar. Sepse gjatë mandatit të parë, Trump nisi një luftë tregtare ndaj Kinës, shënjestroi gjigantin e teknologjisë kineze Huawei me sanksione, dhe me një fushatë presioni për të çinstaluar pajisjet e tij nga rrjetet e aleatëve.
Po ashtu, i përforcoi asetet ushtarake të SHBA dhe partneritetet në rajonin Indo-Paqësorit, dhe zhvilloi një luftë propagandistike për përgjegjësinë e Kinës në shkaktimin e pandemisë së Covid-19. Këtë herë, situata mund të duket edhe më e keqe. Në vitin 2016, ekonomia kineze ishte në një trajektore shumë më të fortë rritjeje sesa tani, ndërsa ajo SHBA-së anemike.
Sot është e kundërta, kryesisht për shkak të politikave të gabuara ekonomike të Xi. Pastaj është ekipi i profesionistëve të sigurisë kombëtare dhe tregtisë që ka emëruar Trump. Shumica e zyrtarëve të lartë të emëruar deri tani, janë të njohur për pikëpamjet e tyre të ashpra ndaj Kinës. Po ashtu, ata janë pro më shumë shpenzimeve në mbrojtje për t’iu kundërvënë Pekinit, si dhe për vendosjen e tarifave ndëshkuese, për më shumë kufizime të kontrollit të eksporteve dhe mbështetjen për Tajvanin. Si për t’i përkeqësuar më tej gjërat, shumica e zyrtarëve të lartë të ardhshëm të Trump janë ose krejtësisht të panjohur në Kinë, ose nuk kanë qenë atje prej vitesh, duke preferuar Tajvanin.
Ndërkohë edhe ekipi aktual i Xi – veçanërisht drejtuesit e tij kryesorë në ekonomi – nuk njihen mirë në Uashington. Që nga viti 2022, Xi e ka rrethuar veten me njerëz – përfshirë shefin e tij të shtabit, Cai Qi dhe zëvendëskryeministrin He Lifeng – me profil relativisht të ulët në skenën ndërkombëtare.
Ata nuk flasin anglisht, dhe në përgjithësi kanë qenë të paarritshëm për Uashingtonin që nga ngritja e tyre në Byronë Politike. Nëse mandati i parë i Trump ishte i pajisur me kanale informale midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, nën Trump 2.0, shpresa më e madhe e Kinës mund të jetë Elon Musk, që ka shumë interesa biznesi në Kinë. Kompania e tij e automjeteve elektrike, Tesla, ka një fabrikë në Shangai.
Dhe kjo të paktën për aq kohë sa ai do të mbetet në marrëdhënie të mira me presidentin amerikan. Me gjithë pasigurisë që do të sjellë Trump 2.0, gjëja e fundit, për të cilën shqetësohen Putini dhe Xi, është aftësia e Uashingtonit për të provokuar një ndarje të vërtetë midis vendeve të tyre, pavarësisht premtimit elektoral të Trump për ta bërë këtë.
Para së gjithash, nëse Trump do të mundet të negociojë një marrëveshje mbi Ukrainën që e kënaq Putinin, kjo mbetet për t’u parë. Nëse nuk trajtohen shqetësimet thelbësore të Kremlinit, Moska mund të vazhdojë të luftojë, dhe në këtë skenar i gjithë plani për të përmirësuar lidhjet me Kremlinin në kurriz të Pekinit, do të jetë i pasigurt.
Edhe nëse të gjitha palët arrijnë një marrëveshje për Ukrainën dhe Trump lehtëson sanksionet e SHBA-së kundër Rusisë, reja toksike rreth ekonomisë ruse nuk do të zhduket menjëherë. Sigurimi i parave shtesë nga Moska do të kërkojë blerjen nga Evropa të energjisë së saj.
Por kjo nuk është aspak e garantuar, pasi shumë kryeqytete mbeten skeptike ndaj Rusisë së Putinit, dhe nuk duan të kthehen në epokën e varësisë ekonomike të paraluftës. Rusia është bërë shumë e varur nga Kina në aspektin ekonomik. Gjatë 2 viteve të fundit, 40 për qind e importeve ruse kanë ardhur nga Kina, dhe 30 për qind e eksporteve ruse shkojnë atje.
Kjo varësi po thellohet dhe nuk mund të zhbëhet brenda natës. Rikthimi tek kjo varësi, do të kërkonte gjithashtu përpjekje të koordinuara nga amerikanët dhe evropianët për të rritur tregtinë dypalëshe me Rusinë, gjë që është e vështirë të parashikohet nën presidencën Trump.
Së fundi, Putin dhe Xi e dinë se ky do të jetë mandati i fundit i Trump dhe se ai mund të pasohet lehtësisht nga një president që mund të anulojë çdo lloj marrëveshje të arritur nën presidentin republikan. Ndërkohë si Xi ashtu edhe Putin, planifikojnë të qëndrojnë në pushtet edhe përtej vitit 2029, kur do të përfundojë mandati i Trump.
Përveç marrëdhënieve personale midis dy autokratëve, mosbesimi i tyre i përbashkët ndaj Uashingtonit, dhe shpresat e tyre për t’u bërë më të fuqishëm në një rend në zhvillim me shumë pole pushteti – në kurriz të Shteteve të Bashkuara – ka të ngjarë të ofrojnë një bazë shumë të fortë për të mbajtur të qëndrueshme dhe në forcim të vazhdueshëm aleancën Kinë-Rusi.
Shënim: Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie Russia Eurasia me seli në Berlin./ Përshtatur nga “Foreign Affairs”