Nga Ervis Iljazaj
Është e qartë se një forcë politike karakterizohet nga parime, vlera dhe qëndrime të njëjta për sa u përket çështjeve kryesore që shqetësojnë një shoqëri të caktuar. Partitë politike kanë lindur pikërisht për të grumbulluar brenda tyre njerëz me vizione të njëjta. Kështu është në fakt dhe përkufizimi i tyre në manualet e shkencave politike. Sigurisht, brenda një force politike ka nuanca të ndryshme dhe kjo gjë i bën mirë demokracisë së brendshme. Por kur bëhet fjalë për qëndrime thelbësore këtu ndryshon puna.
Rithemelimi u bashkua me disa deputetë duke e quajtur bashkim në diversitet. Diversitet për sa i përket qëndrimeve ndaj SPAK, apo ndaj aleatëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, sidomos ShBA-ve. Ku një pjesë brenda rithemelimit e konsiderojnë SPAK si ‘organizatë kriminale’ e një pjesë tjetër ka besim te ky organ. Një pjesë sulmon çdo ditë institucionet e ShBA dhe një pjesë e konsideron aleancën me të si të padiskutueshme.
E këto janë qëndrime që formësojnë identitetin e një force politike për kontekstin aktual shqiptar. Ndërsa ky diversitet i çuditshëm që bashkëjeton brenda rithemelimit është ndoshta unikal në historinë e partive politike. Ka vetëm një shpjegim. Interesat politikë që kanë për momentin palët, që janë aty brenda. Nga bashkimi gjithkush bëri interesat e veta. Si të thuash, është një bashkim nga halli që herët apo vonë do të fillojë të kriset, sepse nuk ka logjikë politike që i mban gjatë interesat e ndryshme.
Madje që tani ky diversitet ka filluar të jetë problematik për këtë bashkëjetesë të çuditshme. Një palë mendon se me komisionet hetimore ka fituar opozita. Në fakt, me ligjin e ri për komisionet hetimore nuk ka më hetim, por thjesht debate politike. Por ky është një diskutim tjetër.
Ndërsa pala tjetër shikon e çuditur që edhe pse ka një marrëveshje që konsiderohet fitore, lideri i tyre është ende në arrest shtëpie dhe mban fjalime nga ballkoni. Me të drejtë janë të çuditur, pasi për ta, për ndjekësit e Berishës, është e pamendueshme që të thërrasësh fitore kur lideri i opozitës qëndron ende në arrest me urdhër të Edi Ramës, sipas tyre.
Zërat e parë që po kritikojnë ‘’normalitetin’’ e rithemelimit kanë filluar. Ka disa zëra të rëndësishëm pranë Berishës që kërkojnë që kushti i vetëm i aksionit opozitar të jetë lirimi i liderit të opozitës. Ndërsa të gjitha fitoret e tjerat të Gazment Bardhit nuk kanë kuptim. Në fakt ndjekësit e Berishës ende se kuptojnë që është vetë Berisha ai që e ka pranuar këtë marrëveshje edhe pse vazhdon të qëndrojë në arrest, sepse pozita ku ai gjendet nuk e lejon të ketë shumë hapësira veprimi. Por në të njëjtën kohë lejon dhe kritikat e kësaj marrëveshje. Sepse këto kritika i duhen për të quajtur tradhtar autorët e marrëveshjes kur të jetë momenti. Por jo tani!
Tani, të gjithë kanë fituar nga pak. Gazment Bardhi ka fituar protagonizmin e tij, afrimin e tij me ndërkombëtarët në Shqipëri. Sali Berisha ka fituar uljen në tryezat e politikës së brendshme nëpërmjet Bardhit, ndërsa Edi Rama qetësinë politike në sytë e ndërkombëtarëve. Çështja është se çfarë kanë fituar opozitarët në kuadër së pritshmërisë së tyre për të ardhur në pushtet?!
E megjithatë ky bashkim në diveristet brenda rithemelimit herët apo vonë do të shpërthejë. Diversiteti mund të qëndrojë për një kohë të caktuar dhe jo përgjithmonë sepse është i panatyrshëm në politikë. Ose do të jenë të gjithë njësoj dhe do të homogjenizohen duke shkuar të gjithë poshtë ballkonit të Berishës duke mallkuar SPAKUN dhe sulmuar ShBA-n, ose anasjelltas, do të braktisin të gjithë ballkonin dhe do të lavdërojnë ShBA dhe ndërkombëtarët në Shqipëri. Se cila nga rrymat do të fitojë brenda rithemelimit mbetet për tu parë, por e sigurtë është që nuk mund të bashkëjetojnë gjatë brenda të njëjtës forcë politike, çfarëdo të jetë marrëveshja momentale midis tyre./Liberale.al