Nga Sebastian Zonja
Në vitin 2013, ministri aktual Eduard Shalsi na tha se do vidhin ndryshe kur të merrnin pushtetin. Ai na e tha dhe ne zgjodhëm një formë më demokratike të korrupsionit se ajo e qeverisë Berisha.
Tetë vjet më pas, në vitin 2021, zgjodhëm një formë më autokratike të korrupsionit sepse kryeministri Edi Rama e kërkoi i vetëm timonin duke kënduar e vallëzuar tallava nëpër Shqipëri. Rrumpalla, që Rama akuzonte dikur Berishën, tashmë ishte kthyer në model qeverisës të socialistëve.
Tradita politike në Shqipëri dhe më gjerë na tregon se liderat bëhen gjithnjë edhe më autoritarë kur kohezioni në strukturat shoqërore mungojnë. Politologia Hana Arend e quan atomizim të shoqërisë, konservatorët bjerrje të vlerave përball tregut, liberalët e quajnë mungesë të institucioneve. E thënë më thjeshtë – kur rrënohet shtresa e mesme, mundësitë e përçarjeve dhe ekstremizmave në shoqëri dhe politikë rriten.
“Tirania e prakticitetit”
Si e kuptojmë që ka shthurje dhe jo thjesht përçarje?
Na e tregon ligjërimi publik dhe privat që përdorim. I keni dëgjuar se si ju thonë përditë: “Kjo nuk është praktike”. “Nuk bën”. “Mos u bëj teorik!”. Nuk e di se si u gjet kjo lehtësi e bërjes së gjërave, zgjidhjes së problemeve dhe dhënies fund të debateve publike kësisoj. Ajo që kuptojmë është nevoja gjithnjë e më masive për t’u larguar nga barra e rëndë e mendimit. Për më tepër, edhe pse largohemi nga barra e mendimit, neoliberalët e tregut na çojnë edhe në keqkuptimin e praktikës. E thënë ndryshe – kur ishte komunizmi e dinte Partia, sot e përcakton tregu. Në të dyja rastet mungonte ai që është as me ne, as me armikun. Epo, këtë luks s’ta lejonte Partia. Sot, këtë luks s’ta japin fondamentalistët e tregut të lirë, sepse duhet me qenë praktik me mbijetu, përndryshe vdes i varfër.
Të mos vdesim të varfër; t’i lëmë diçka fëmijëve
Me këtë logjikë, politikanët të parët (ata si Eduard Shalsi) dhe të ashtuquajturit intelektualë si Fatos Tarifa me shokë, me tezën se jemi praktikë, siç ishin dikur teoricienë të enverizmit, zbrazën politikën nga morali. Analistët e darkave, me tezën se jemi praktikë, zbrazën bisedën publike nga virtytet. Gazetarët, me tezën se jemi praktikë, themeluan, pa e ditur se si, një parim gazetarie të pandodhur kund: E kërkon publiku. Tirania e prakticitetit i futi në qerthull të gjithë. Dihet dhe s’ka nevojë për shumë shpjegime se njeriu mendon, pastaj vepron. Shtaza vetëm vepron se e ka të lidhur veprimin me instiktin. Kur e mendon kështu na del se Eduard Shalsi dhe kolegët e tij, si dhe Fatos Tarifa me bashkëintelektualët e vet, janë më afër shtazës se njeriut. E trishtë.
Në rrafshin e mendimit nuk ka kompromis
Kanë 30 vjet që për arsye praktike palët politike akuzojnë njëra-tjetrën se i vodhën votat. Por, me logjikën se duhet të lë diçka pas për fëmijën, duhet thënë se, për arsye praktike, vota është e lejueshme të manipulohet. Manipulimi vijon më tej kur analiza shtrihet në nivel kombëtar. “Atje në Kosovë janë më të mirë. Në Maqedoni njësoj”, i dëgjon. Ta thonë këtë me lehtësinë më të madhe, thua se ka matje konkrete për këto çështje. Ta thotë kolegu i Eduard Shalsit, siç ta thotë kolegu i Fatos Tarifës. Pasi justifikuan me lloj e soj fjalësh se është e lejueshme të manipulohet vullneti i sovranit (vota), tani duhet t’i lejojmë të manipulojnë edhe vetëdijen kombëtare. Është e rrezikshme logjika me shqiptarë të mirë andej e të këqinj këtej. Ajo që na dallon është fuqia dhe arkitektura institucionale. Kjo na ka dalluar edhe me fqinjët serbë dhe grekë. Futja në diskurin publik të veçantive antropologjike (si dallon një vlonjat nga një shkupjan) si dallime politike është dritëshkurtësi dhe dashakeqësi. Po tentohet të vendoset një kufi hipotetik mes shqiptarësh për arsye nga më të ndryshmet.
Po sjell në vëmendje Mitrush Kutelin, autor që identifikon dhe fshikullon rëndë shumë vese tonat. Fatos Tarifa dhe Eduard Shalsi janë pjesë e një tregimi që ai ka shkruar një shekull më parë. Ata janë si ai lopçari që u bë kaçak dhe pastaj pyeste me endje “Ç’thotë fshati për mua?”. Sot, kjo pyetje e lopçarëve që u bënë politikanë dhe pedagogë është kthyer “Ç’thotë shefi për mua?”.
Epo, në rrafshin e mendimit nuk ka kompromis.
Sot, dje, nesër…
Shkolla, më herët feja, ka fuqi të madhe dhe jep fryte vetëm kur je i ç’interesuar për botën materiale. Sot kemi maksimumin e të shkolluarve që kemi pasur ndonjëherë në historinë tonë dhe minimumin e angazhimit të tyre për një gjë të hajrit për vendin, ekonominë apo jetën publike.
Arsyeja – dje ishte i parë Sevo Tarifa se mbante shënim fjalët e Enverit, sot është Fatosi se thotë çfarë do lali Eri. E nesërmja kur Fatosi dhe Sevo, lali Eri dhe Eduard Shalsi, do quhen njëzëri aksidenca në jetën politike dhe intelektuale duken të largëta.