A duhet të vaksinohen fëmijët për COVID-19?

Një komitet këshillues i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave rekomandoi të martën që agjencia të japë autorizimin për përdorim urgjent të vaksinës Pfizer-BioNTech për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç. Më pas, FDA vendos nëse do ta autorizojë vaksinën dhe më pas Komiteti këshillues i vaksinave i Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të mblidhet për të shqyrtuar nëse vaksina duhet të rekomandohet për këtë grupmoshë.

Nëse drejtoresha e CDC-së Dr. Rochelle Walensky nënshkruan këtë rekomandim, fëmijët më të vegjël mund të vaksinohen duke filluar nga java e ardhshme. Shumë prindër dhe fëmijë kanë një serë pikëpyetjesh se çfarë do të thotë të vaksinohesh kundër Covid.

Ekspertja Mjekësoree CNN, Dr. Leana Wen ka dhënë informacione për vaksinimin e fëmijëve.

CNN: Çfarë dimë për efektivitetin e vaksinës anti-Covid për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç?

Leana Wen: Sipas të dhënave të rishikuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, vaksina anti-Covid është më shumë se 90% efektive kundër simptomave të rënda për fëmijët e kësaj grupmoshë. Vaksina është efektive dhe u jep siguri prindërve se fëmijët e tyre do të jenë të mbrojtur.

CNN: A nënkupton kjo që pas vaksinimit, fëmijët nuk do të mbajnë më maska në shkolla?

Wen: CDC ka deklaruar që fëmijët duhet të mbajnë maska në shkolla, edhe pasi të jenë vaksinuar. Besoj se diçka e tillë do të ndryshojë me kalimin e kohës. Nëse ka shumë viruse në komunitet, rreziku është i lartë dhe ne kemi nevojë për shumë masa mbrojtjeje. Nëse niveli i virusit është i ulët, na duhen më pak masa. Vaksina është mbrojta më e mirë që kemi, kështu që sapo të vaksinohen fëmijët më të vegjël, do të ishte e arsyeshme të diskutohej se cilat masa të tjera mund të zëvendësojë.

Në zonat me transmetim të ulët, dhe veçanërisht nëse ekzistojnë masa të tjera si testimi, mund të jetë e arsyeshme të rishikohet vendimi për mbajtjen e maskës. Mbajtja e masave nuk pritet të hiqet menjëherë.

CNN: Po në lidhje me aktivitetet e tjera shoqërore – a mund të marrin pjesë fëmijët e vegjël të vaksinuar në më shumë aktivitete, duke përfshirë edhe kinematë?

Wen: Kjo varet nga prindërit dhe niveli i tolerancës ndaj rrezikut në familje. Shumë familje nuk i kanë lejuar fëmijët më të vegjël të marrin pjesë në aktivitete me rrezik më të lartë, sepse fëmijët nuk janë vaksinuar ende. Pasi fëmijët të jenë vaksinuar plotësisht, shumë prindër mund të vendosin nëse do ti lejojnë fëmijët të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme. Mos harroni se për tu vaksinuar plotësisht duhen dy doza dhe më pas duhet të presim deri në dy javë pas dozës së dytë, raporton abcnews.

Në fakt, pas vaksinimit, të gjitha aktivitetet – duke përfshirë kinematë do të jenë shumë më të sigurta. Prindërit duhet të vlerësojnë rreziqet mjekësore të familjes së tyre dhe të bisedojnë me fëmijët rreth asaj se çfarë mund të bëjnë të gjithë pasi të jenë vaksinuar.

Një familje që ka foshnja ose fëmijë mbi 4 vjeç ose jeton me një të afërm të moshuar mund shmangë ambientet e mbushura me njerëz që nuk janë vaksinuar. Nga ana tjetër, një familje që tashmë është plotësisht e vaksinuar dhe përgjithësisht e shëndetshme, mund ti rikthehet aktiviteteve para pandemisë.

CNN: A është e sigurt vaksina për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç? Çfarë lloj efektesh anësore mund të ketë?

Wen: Në një studim me më shumë se 2,000 fëmijë të moshës 5 deri në 11 vjeç, vaksina ka rezultuar e sigurt dhe fëmijët kanë zhvilluar të njëjtat efekte me të rriturit. Këto efekte anësore përfshijnë dhimbje krahu, skuqje në vendin e injektimit, lodhje, ethe, të dridhura dhe dhimbje koke. Në përgjithësi ato janë më të dukshëm gjatë 24 orëve pas vaksinimit.

E rëndësishmja, është se nuk kishte raste të miokarditit, ose inflamacionit të muskujve të zemrës. Ekziston mundësia që sa më shumë fëmijë të vaksinohen, aq më shumë raste të miokarditit mund të zbulohen, pasi sëmundja inflamatore është lidhur me vaksinën Pfizer, kryesisht tek meshkujt më të rinj nën moshën 30 vjeç.

Është thelbësore të theksohet se miokarditi mund të shkaktohet edhe nga Covid-19 dhe rreziku i mundshëm i miokarditit të lidhur me vaksinën duhet të peshohet kundrejt përfitimit të vaksinës në parandalimin e një sërë problemesh që lidhen me sëmundjen.

CNN: Po në lidhje me efektet anësore afatgjata të vaksinës?

Wen: Me miliona persona janë vaksinuar kundër Covid në mbarë botën që nga dhjetori. Efektet anësore vihen re në javët e para të administrimit, jo muaj pas administrimit. Kemi përvojë edhe me shumë imunizime të tjera të fëmijëve të cilat ndjekin të njëjtin model. Prandaj, nuk ka asnjë arsye shkencore apo fiziologjike që të besojmë se vaksinat shkaktojnë efekte anësore afatgjata. Nga ana tjetër, ne e dimë se vetë koronavirusi shkakton probleme afatgjata, duke përfshirë edhe fëmijët.

CNN: Po fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç që kanë vëllezër e motra më të vegjël që ende nuk mund të vaksinohen, si duhet të mbrohen ata?

Wen: Shumë persona mund të vazhdojnë të marrin masa paraprake shtesë, por duke e ditur se fëmijët e tyre të vaksinuar janë më të mbrojtur, ata mund të lejojnë fëmijët të rikthehen në disa kurse jashtëshkollore dhe disa aktivitete në ambiente të mbyllura, veçanërisht nëse fëmijët e tyre të vaksinuar shoqërohen me persona që po ashtu janë të vaksinuar plotësisht.

CNN: Çfarë këshillë do tu jepnit prindërve që ende hezitojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre?

Wen: E kuptoj! Ne si prindër të gjithë duam më të mirën për fëmijët tanë.

Mendoj se është e rëndësishme të theksojmë se fëmijët mund të zhvillojnë simptoma të rënda nga Covid-19. Sipas të dhënave të paraqitura në mbledhjen e FDA-së më 26 tetor , ka pasur 1.8 milionë raste me Covid-19 në grupmoshat nga 5 deri në 11 vjeç.

Më shumë se 8000 fëmijë të kësaj grupmoshe janë shtruar në spital dhe tragjikisht 143 kanë vdekur . Ndërsa shumë prej tyre kanë pasur sëmundje bashkëshoqëruese, rreth një e treta e fëmijëve që kishin zhvilluar simptoma të rënda ishin përgjithësisht të shëndetshëm.

Gjithçka që duhet të bëjmë për fëmijët tanë ka të bëjë me peshimin e rreziqeve dhe përfitimeve. Merrni parasysh rreziqet e njohura të Covid-19 së bashku me përfitimet e vaksinave. Ne jemi shumë të etur për t’i vaksinuar fëmijët tanë të vegjël, në mënyrë që të mund të rinisin aktivitetet që i kemi pezulluar për shkak të shqetësimit të Covid-19.

Për shumë familje, do të jetë diçka pozitive pasi fëmijët e tyre të jenë në gjendje të vaksinohen dhe të jenë të mbrojtur. Nëse nuk jeni të sigurt, është gjithmonë një ide e mirë të flisni me pediatrin tuaj dhe, ndërkohë, le të sigurohemi që të gjithë të rriturit që kanë mundësi të vaksinohen.

Exit mobile version