A e kanë statusin e refugjatit muxhahedinët iranianë dhe a janë regjistruar lëvizjet e tyre?

Partia Demokratike kërkon informacion dhe transparencë nga Kryeministri në lidhje me masat e marra për pritjen dhe trajtimin e shtetasve iranianë, ish-anëtarë të organizatës MEK. Duke e vlerësuar partneritetin strategjik me SHBA dhe duke garantuar mbështetjen maksimale të objektivave të përbashkëta, PD e konsideron këtë çështje si të rëndësishme në fushën e sigurisë kombëtare dhe kërkon të dhëna të plota mbi ecurinë e procesit.
Zëvendëskryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka, ka depozituar dje në Kuvend kërkesën për informacion për masat e marra, për kapacitetet pritëse, për standardet e ofruara, për trajtimin e tyre. Noka kërkon gjithashtu numrin e saktë të personave të mbërritur, sa pritet të vijnë dhe afatet kohore. A e kanë statusin e refugjatit, a janë regjistruar lëvizjet e tyre, etj.
“Prej disa kohësh mediat e vendit dhe të huaja kanë shkruar mbi trajtimin në vendin tonë të rreth 3000 shtetasve iranianë, ish-anëtarë të organizatës MEK. Duke vlerësuar partneritetin strategjik me SHBA dhe mbështetjen maksimale të objektivave të përbashkëta në kuadër të këtij partneriteti, ne vlerësojmë në vazhdimësi çdo hap që hidhet në këtë drejtim. Nisur nga fakti se kemi të bëjmë me një aspekt të rëndësishëm në fushën e sigurisë kombëtare dhe një çështje me ndjeshmëri për opinionin publik, kërkojmë të informohemi si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me ecurinë e procesit të trajtimit të individëve MEK dhe përgatitjen në vijim nga ana e strukturave tona shtetërore për pritjen e tyre. Për këto arsye, në cilësinë e zv.kryetarit të Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë kërkoj që ju si kreu i ekzekutivit të na informoni në mënyrë të detajuar për masat e marra në vijimësi për rritjen e kapaciteteve pritëse, standardet e ofruara, mbrojtjen dhe trajtimin e tyre”, thuhet në kërkesën e depozituar nga Noka.
Konkretisht, janë katër pika që Partia Demokratike parashtron si kërkesë për informacion nga Komisioni i Sigurisë. Së pari, PD citon se sipas raportimeve numri i personave të mbërritur deri tani është 1220, në grupe 20-25 veta. Pyetja që shtron PD është: Sa i vërtetë është ky fakt dhe cilat janë masat e marra për strehimin e tyre? Cili është niveli i masave të sigurisë ndaj tyre dhe a janë nën mbikëqyrjen e organeve të specializuara? Sa persona të tjerë pritet të mbërrijnë dhe në çfarë kornize kohore?
Së dyti, PD thekson se nëse kanë aplikuar dhe/ose fituar statusin e refugjatit dhe nëse janë pajisur me dokument udhëtimi nga Ministria e Brendshme. Sipas raportimeve disa nga këta persona kanë shkuar në kampin e ngritur në Francë. Pyetja që shtrohet është: Nëse kjo është e vërtetë, me çfarë dokumentesh kanë udhëtuar dhe a janë regjistruar lëvizjet e tyre në sistemin TIMS?
Gjithashtu, në pikën e tretë PD ngre shqetësimin nëse a ka apo jo një mbështetje financiare dhe nga cilat organe mbulohen këto kosto? A ka një bashkëpunim me UNHCR apo organizma të tjerë të huaj që operojnë në vendin tonë?
Dhe së katërti, kërkohet transparenca nëse ka ndryshime në përcaktimet e mëparshme lidhur me kohëqëndrimin në vendin tonë apo për faktin nëse do të përfitojnë shtetësinë shqiptare.

4 pikat që kërkohet të bëhet transparencë

Sipas raportimeve numri i personave të mbërritur deri tani është 1220, në grupe 20-25 veta. Sa i vërtetë është ky fakt dhe cilat janë masat e marra për strehimin e tyre? Cili është niveli i masave të sigurisë ndaj tyre dhe a janë nën mbikëqyrjen e organeve të specializuara? Sa persona të tjerë pritet të mbërrijnë dhe në çfarë kornize kohore?
Nëse kanë aplikuar dhe/ose fituar statusin e refugjatit dhe nëse janë pajisur me dokument udhëtimi nga Ministria e Brendshme. Sipas raportimeve disa nga këta persona kanë shkuar në kampin e ngritur në Francë. Nëse kjo është e vërtetë, me çfarë dokumentesh kanë udhëtuar dhe a janë regjistruar lëvizjet e tyre në sistemin TIMS?
A ka një mbështetje financiare dhe nga cilat organe mbulohen këto kosto? A ka një bashkëpunim me UNHCR apo organizma të tjerë të huaj që operojnë në vendin tonë?
A ka ndryshime në përcaktimet e mëparshme lidhur me kohëqëndrimin në vendin tonë apo për faktin nëse do të përfitojnë shtetësinë shqiptare?

Exit mobile version