A e kemi guximin të pohojmë, pas shumë hapave, se mund të kemi gabuar dhe se ja vlen të rifillojmë sërish?

Nga Agim Baçi

Nuk është e lehtë as ta pohosh e as të veprosh, por është mahnitëse të rigjesh veten të veshur me kurajën që të rinisësh udhën me bindjen sikur gjithë koha dhe bota është e jotja. Shkrimtari italian, Alessandro Baricco, ka sjellë portretin e zotit Guajn, shkrimtarit anglez, i njohur dhe për shumë shitje të veprës së tij, që një ditë vendos të publikojë 24 gjërat që nuk dëshiron të bëjë më, mes të cilave edhe të mos shkruajë më. Një vendim që prek të shkuarën e tij dhe gjithë interesat përrreth. Eshtë një vendim që pasohet në fillim nga një meditim i gjatë. Më pas, profesioni është brenda tij. Por ai nuk mund të bëjë të njëjtën rrugë. Të shkruarit me mendje nuk e qetësojnë. Mendon dhe shkruan fjalë, që janë vetëm brenda tij. Por sërish nuk mund të plotësojë atë që i mungon.
Por a do të mjaftonte ajo që mendojmë dhe besojmë për botën nëse nuk gjejmë një rrugë që t’i praktikojmë ato në jetë? Do të ishin më të vlefshme duke qëndruar vetëm brenda nesh? A mundet një zhgënjim të na mbajë në kufijtë e refuzimit? Si mund të dalim në rrugëtimin e ri?
“Xhesper Guajni duhej të pranonte me veten e tij se braktisja e librave kishte shkaktuar një zbrazëtirë që nuk dinte ta ndreqte përveçse duke përgatitur liturgji zëvendësuese të përkryera dhe të përkohshme, si të vënit bashkë të frazave në mendjen e tij apo të lidhur të këpucëve me një ngadalësi prej idioti. I ishin dashur vite të pranonte që zanati i të shkruarit ishte bërë i pamundur për të dhe tani gjendej i shtrënguar të regjistronte se sa të vështirë e kishte të jetonte pa atë zanat…”. (Alessandro Baricco, “Zoti Guajn”, “Dudaj”, përkthim nga Adrian Beshaj, f. 27)
Baricco vendos t’i gjëjë zgjidhjen ndryshimit. Tashmë, pas meditimit, gjërat e kanë dritën brenda nesh. Pikërisht aty ku u ndez llampa që na ndriçoi vendimin për të mos vijuar në kotësi, aty dhe duhet gjetur rinisja. Personazhi Guajn kërkon fillin për të ndezur dritat brenda njeriut. Për këtë rrugëtim vendos të bëhet kopist – një person që bën portrete me fjalë.
Të përshkruash, të gjesh dritën, është rindezja e magjisë për të kërkuar njeriun. Baricco vendos ta rishohë këtë kontratë, përmes magjisë së shkrimtarit. Si njeriu që duhet të kërkojë njeriun, e njëkohësisht të ruajë të vërtetën e tij, e portretit të tij të brendshëm, Baricco vendos të sjellë Xhesper Guajn tashmë në formatin e pikturës së fjalëve, duke e vënë “personazhin” dhe autorin në një përballje, kur personazhi duhet të kthehet te vetja, ashtu si shkrimtari tek imagjinata dhe drita e tij.
Duket një version modern i Diogjenit që me qiri në mes të ditës kërkonte Njeriun. Por tashmë, Baricco e ndez këtë dritë përmes Guajnit jo vetëm për të kërkuar Njeriun përballë nesh, por edhe veten tonë, të humbur në turravrapin e modernitetit, që e ka larguar kaq shumë njeriun nga vetja. Dhe ashtu, përballë personazheve, me një shikim brenda vetes, përzier me dashurinë e tij për Rebekën, Guajn fillon të rishohë njeriun dhe botën rreth tij. Nuk është një person tjetër, por është një botë brenda së vjetrës, që ka nevojë për emër tjetër, për një marrëdhënie të re me gjithë botën. Si për të përmbyllur një të shkuar, edhe menaxheri i tij, Tomi, që kish bërë gjithçka ta rikthente në botimin si më parë të romaneve, kërkon në prag të vdekjes që zoti Guajn t’i bëjë një portret me fjalë.
Por ai e di, që ajo që zbulojmë, për veten dhe të tjerët, kërkon shtegun që të jetë edhe për shumë të tjerë, që mund të gjejnë herë veten e herë atë që kërkojnë te të tjerët. E nëse Guajn kalon në heshtje, është Rebeka, njeriu që shënjoi ndryshimin, që na rrëfen se, portretet me fjalë tashmë janë edhe për publikun, por në një emër tjetër.
“Kohëve të fundit doli një libër tjetër i Klarisa Rode-s, i papërfunduar. Dukej se vdekja e kishte kapur kur ende duhej të shkruante sipas planeve që përmbaheshin në shënimet e saj, një gjysmë të mirë të tijën. Eshtë një tekst i çuditshëm sepse, kundër çdo logjike, pjesa që mungon është fillimi. Janë dy kapituj në kaur, por ata të fundit. Pra, për lexuesin bëhet fjalë për një përvojë që me të drejtë mund të quhej e veçantë dhe që, megjithatë, do të ishte e pasaktë të gjykohej absurde. Pikërisht në këtë mënyrë njeriu i njeh prindërit e vet, tek e fundit, dhe ndonjëherë deri edhe veten e vet”. (Alessandro Baricco, “Zoti Guajn”, f. 174).
Guajn s’është më ai i pari pasi ka përshkruar portretete me fjalë. Ai ka udhëtuar brenda vetes së tij dhe ka zbuluar atë që na duhet ta kërkojmë të gjithë, nëse duhet të shijojmë nga vetja jonë dhe nga ajo që na bën të ndjehemi mirë.

FB IMG 1731144258307

Exit mobile version