A është e sigurtë jeta e fëmijëve tanë në “parkun e lojërave” te Liqeni?

Gjok VUKSANI

Për të qenë i sinqertë unë si pedagog i “Arkitekturës së Peisazhit” nuk kam qenë dakort me ndërhyrjen në “Parkun e Liqenit” për të krijuar bazamente prej betoni dhe elementë të tjerë stuktural ,sepse kjo ndërhyrje është në kundërshtim me idenë e projektuesve të Tij si “Park Natyral”.
Pavarësisht protestave që bëri Shoqëria Civile dhe disa ambjenatalistë në Tiranë, pavarësisht se çështja iu nënshtrua dhe një procesi gjyqësor,“parku i lojërave” për fëmijë u realizua.
Ajo që më shqetëson sot mua si profesionist, është sa i sigurtë është ndërtuar ky park për të mbrojtur fëmijët nga dëmtimet dhe incidentet gjatë lojës së tyre ? A i plotëson ky park standardet europiane për “Këndet e Lojërave” dhe konkretisht direktivat EN1176 dhe EN 1177 të Bashimit Europian?
Më poshtë unë po rendis disa pyetje në mëyrë që ndërtuesit dhe Bashkia e Tiranës të verifikojnë sa nga këto standarde janë përmbushur.
1-A do jetë i rrethuar “parku i lojërave” për fëmijë sipas standardeve të përcaktuara me një gardh të paktën 1 m të lartë, jo metalik? Me qëllim që fëmijët të jenë të sigurtë në hapësirën e tyre dhe të mbrojtur nga kafshët (p.sh qentë) që lëvizin lirshëm në Parkun e Liqenit.
2-Lodrat dhe pajisjet e vendosura a janë të çertifikuara për sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve gjatë lojës së tyre apo janë të improvizuara nga ndërtuesit? Sot në Europë janë disa kompani të çertifikuara dhe të specializuara për prodhimin e lojërave që janë tërësisht të sigurta.
3-Sipërfaqia përqark lojërave rrotulluese dhe lojërave që kanë larteësi mbi 1m a është e siguruar me zona mbrojtëse me gomë, rërë etj? Sipërfaqet dhe shkallët prej betoni të hedhura në park, a janë të mbuluara dhe të parrezikshme për shëndetin e fëmijëve ?
4-Pjerrësia e sipërfaqes është brenda normave të lejuara nga standardet EN 1176 dhe EN 1177 të Bashkimit Europian më e vogël se 1:12 në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e fëmijëve ?
5-A është bërë një studim për bimët e parkut të lojërave nëse janë helmuese, a shkaktojnë alergji tek fëmijët a kanë gjethe me hala apo të mprehta, të cilat dëmtojnë fëmijët?
Siç e shikoni të nderuar bashkëqytetarë të Tiranës janë shumë pikëpyetje që unë nga ana profesionale nuk mund t’i jap përgjigje, sepse nuk kam patur mundësi të shikoj punimet për realizimin e këtij parku, pasi ka qenë i rrethuar dhe i ruajtur .
Prandaj i lutem Bashkisë së Tiranës që para se ta inauguroj “Këndin e Lojërave” të sigurohet se është në përputhje me standardet në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e fëmijëve tanë .
Mendoj se nuk ka asnjë ngutje, inaugurimi patjetër me 1, 2 apo 3 qershor, nuk është një bast, më e rëndësishme është siguria e shëndetit të fëmijëve.

Exit mobile version