A është Ilir Meta i infiltruari i Ramës?

Ilir Meta ka treguar se sa herë i është nevojitur Edi Ramës, ai ka shkuar dhe i ka shërbyer Edi Ramës. Në vitin 2013 kur Edi Rama ishte i dëshpëruar dhe kërkonte të fitonte me çdo kusht e me çdo mjet, Ilir Meta shkoi në koalicion me të dhe i garantoi fitoren. U forcua në pushtetin e demokratëve, mori kryetarë komunash të PD, ish drejtorë dhe ish eksponentë të PD dhe i trafikoi ata tek Edi Rama. Pra Ilir Meta ua hipi shqiptarëve Edi Ramën mbi shpinë. Kur Edi Ramës i nevojiteshin 84 vota për Reformën Territoriale që nëpërmjet kësaj reforme ai ta ndërtonte arkitekturën e pushtetit të tij dhe të asgjësonte Partinë Demokratike në territor, Ilir Meta ja dha votat. Kur Edi Ramës i duheshin 6 ligjet e Reformës në Drejtësi pa konsensusin e PD, ishte Ilir Meta i cili përsëri ja dha votat e tij parlamentare. Siç mund ta shohim, për të gjitha çështjet e mëdha me rëndësi strategjike, Ilir Meta i ka shërbyer Edi Ramës. Ilir Meta është politikani i cili e ka forcuar më shumë se kushdo tjetër pushtetin e Edi Ramës. Në pranverë të vitit 2012, kur Edi Rama u pyet në Opinion për Ilir Metën, ai deklaroi se është sistemi që i korrupton njerëzit. Kjo ishte shenja se ai kishte marrëveshje të fshehtë me Ilir Metën dhe pas 1 viti, marrëveshja e fshehtë doli në sipërfaqe dhe u firmos publikisht në Shkodër. Sot Edi Rama njëlloj si në vitin 2012 i ka ndaluar akuzat për Ilir Metën. Nuk e sulmon më. A është kjo shenjë e një marrëveshjeje të fshehtë midis dy liderëve të së majtës shqiptare? Të mos harrojmë, si Rama e si Meta, janë politikanë të së majtës. E gjejnë bashkëpunimin midis tyre sepse sado që konfliktohen, kanë fije të fshehta e miq të përbashkët. Po ta analizojmë edhe në terren, shumë nga faktorët e Ilir Metës siç është rasti i Agron Çelës në Shkodër por edhe të tjerë të cilët publiku nuk i njeh, janë rreshtuar me Edi Ramën. A e ka dërguar Edi Rama Ilir Metën tek Opozita që ai të marrë votë opozitare dhe pastaj pasi ta marrë, ta çojë votën tek Edi Rama, siç ka vepruar gjithmonë?

Exit mobile version