Pasi u detyrua të tërheqë kandidaturën e gruas së trafikantit Gentian Daja, Edi Rama, ka zgjedhur një tjetër person për Bashkinë e Kavajës po aq të implikuar në korrupsionin e kësaj Bashkie, sa paraardhësi i tij. Bëhet fjalë për Klodian Shehin, i cili me firmën e tij që nga dhjetori ka ligjëruar të gjitha pazaret e Roshit në këtë bashki, lejet e ndërtimit, tenderat e rrugëve e të tjera si këto. Burime nga ky qytet bëjnë me dije se Shehi, ishte pjesë e grupit Roshi-Daja, dhe qehaja i punëve të ish-kryetarit në qytetin e vogël bregdetar.
Dënimi në Itali
Por, kjo nuk është e gjitha! Klodian Shehi duhet t’i përgjigjet dhe një pyetjeje që ka të bëjë me ligjin e dekriminalizimit, të cilin duket se e ka fshehur në formularin që plotësohet për këtë qëllim. Klodian Shehi, dyshohet se ka qenë i dënuar me gjashtë muaj arrest shtëpie përpara 10-12 vjetësh në shtetin italian për aktivitete të paligjshme atje. Eshtë detyrë e Prokurorisë të verifikojë, nëse bëhet fjalë për trafik narkotikësh, prostitucion, apo ndonjë vepër tjetër penale. Të njëjtat burime bëjnë me dije se njohjet mes Enverit të Kavajës, Klodian Shehit dhe Gentian Dajës janë të hershme, dhe nuk përjashtohet mundësia që të kenë qenë shokë armësh në trafiqet e paligjshme në rininë e hershme të tyre, të cilat për momentin i kanë pezulluar, pasi i kanë hyrë lojërave të pushtetit. Në rast të një verifikimi nga ana e Prokurorisë, ligji për dekriminalizimin e detyron Klodian Shehin të heqë dorë nga kandidimi, por dhe nga funksioni që ka aktualisht si nënkryetar i Bashkisë atje. Por nga ana tjetër, kandidimi në fjalë tregon dhe diçka tjetër, e cila po përcillet me shqetësim nga qytetarët e Kavajës. Nevoja që ka Edi Rama dhe banda e Roshit për të mbajtur me çdo kusht Bashkinë e Kavajës, i çon në ndërrmarje të tilla, sa të jepet përshtypja se në qytetin që u ngrit i pari për demokraci këtu e 27 vite më parë, nuk mund të gjesh një njeri për të qenë që të administrojë punët e qytetit, por vetëm banditë, kriminelë dhe narkotrafikantë.
Bashkia
Klodian Shehi, ka qenë kryetari de jure i Bashkisë së Kavajës, që prej dhjetorit të këtij viti kur KQZ i hoqi mandatin Roshit me pesë emra. Themi de jure, sepse de fakto këtë bashki ka vijuar ta komandojë Roshi, i cili ka dhënë miratimin ose jo për tenderat e zhvilluara. Shehi ka dhënë vetëm firmën, dhe me sa duket ky është dhe qëllimi. Roshit dhe Ramës i duhet një kryetar de jure, sepse de fakto do të vazhdojë të qeverisë Roshi. Aq paranojak është bërë ky i fundit se mos humbasë benefitet që i vijnë nga të qenurit Kryetar Bashkie, sa burime brenda PS-së së këtij qyteti bëjnë me dije, se pas kandidimit të bashkëshortes së Gentian Dajës, ka kthyer mendje dhe ka ndërhyrë personalisht tek Rama që ajo të mos kandidojë, duke bërë të mundur miratimin e kandidaturës së Shehit, një ish-ushtar i tij i rinisë. Një skenar tipik mafioz, ku personazhet nuk ja kanë besën për punët e pista as miqve të tyre më të ngushtë, siç është rasti Daja-Roshi. Sot, Gentian Daja në Kavajë, ka mbetur dhe pa Bashkinë, por edhe pa Partinë, nga e cila dha dorëhqjen siç ishte marrëveshja paraprake.
Basha: Nuk do të ketë zgjedhje në Kavajë pa opozitën
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se në Kavajë nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën. “Opozita do të jetë në Kavajë më 7 maj, jo për të votuar, por për të protestuar për votën e lirë. Atë ditë në Kavajë nuk do të ketë zgjedhje, por një protestë kombëtare, popullore dhe zgjedhjet në Kavajë njësoj si zgjedhjet kombëtare do t’i mbajmë vetëm me qeverinë teknike që do të garantojë vullnetin e kavajasve dhe gjithë shqiptarëve. Dhe po i shkoi mendja ta provojë, ta mendojë të bëjë zgjedhje pa demokratët në Kavajë, atëherë jo tekstualisht, jo në kuptimin romantik, Kavaja do t’i bëjë atë që i bëri etërve të tij komunistë. Dua të garantoj çdo shqiptare dhe çdo shqiptar, të djathtë e të majtë, që një ndër tre kriteret bazë për përfaqësuesit e ardhshëm të Partisë Demokratike në Parlamentin e Shqipërisë, tre kriteret bazë do të jenë: Dosjet e pastra nga lidhjet me krimin, dosjet e pastra nga korrupsioni dhe dosjet e pastra nga e kaluara si bashkëpunëtorë apo si xhelatë të diktaturës komuniste.
Dorëheqja e bashkëshortes së Dajës pas presionit publik
Silva Daja, gruaja e Gentian Dajës ishte një nga 6 emrat e propozuar nga PS për Bashkinë e Kavajës. Një ditë para se të shpalleshin kandidaturat për ansamblenë e PS-së, ajo do të jepte dorëheqjen. Pazaret ishin ndarë, Gentian Daja do të merrte Bashkinë dhe Roshi Partinë. Por pas zhurmës që u bë në media, krejt papritur një ditë para punimeve të asamblesë, Daja do të jepte dorëheqjen, ndërsa Rama thërret me urgjencë Roshin në Tiranë, për të dhënë një emër tjetër, dhe ai përzgjodhi Klodian Shehin, ndoshta dhe për shkak të së kaluarës së tij. “Miq, gjatë ditëve të fundit kam parë tymnajën e madhe të krijuar mbi kandidimin tim në pozicionin e Kryetares së Bashkisë së Kavajës, qyteti ku kam lindur, ku kam ndërtuar familjen dhe ku do të kaloj jetën. Pavarësisht se në jetën time nuk i kam bërë keq asnjë mize dhe do të doja të jepja më të mirën nga vetja në këtë proces, zhurma e ngritur kaloi çdo imagjinatë dhe parashikim, duke sulmuar bashkëshortin tim, i cili për mua vlen më shumë se një karrige. Ndaj, nisur nga molla e sherrit, që Kavaja e vogël, por e bukur ka shkaktuar në politikën e madhe, me keqardhje dua të heq dorë nga ky kandidim dhe të tregoj tolerancën që më ka karakterizuar gjithë jetën me qëllim që asnjëherë mos jem bllokuese e fateve të askujt”, do lajmëronte Daja.