NGA GJERGJ EREBARA
Në pranverën e vitit 2000, një revistë italiane me emrin Limes, deklaroi se, sipas këndvështrimit të saj, rreziku i madh për Italinë ishin një numër “shtetesh mafioze” që po zhvilloheshin në anën tjetër të Ballkanit. Limes është termi që romakët përdornin për kufijtë e perandorisë dhe për telashet që shfaqen në ata kufij.
Revista përmendte grupet kriminale të dala nga rënia e ish-Jugosllavisë, persona me eksperiencë ushtarake dhe akses të bollshëm në informacion dhe në armë, të fuqizuara nga përdorimi i huliganëve dhe gangsterëve në luftërat civile në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Ajo përmendte transformimin e Malit të Zi në një republikë kontrabande cigaresh si dhe të Shqipërisë, në një republikë kanabisi dhe trafiku qeniesh njerëzore.
Përdorimi i termit “Shtet Mafioz” për Shqipërinë në atë kohë u pa i ekzagjeruar. Grupet kriminale shqiptare ishin në këtë kohë relativisht të reja.
Sot jemi 24 vjet pas atij botimi dhe situata duket shumë ndryshe. Kryeministri Edi Rama u pyet në një intervistë, e para në aq kohë sa mbahen mend ku gazetari nuk ishte 120% në shërbim të kryeministrit, mbi opinionin e shumë personave, që e përshkruajnë Shqipërinë si “shtet mafia”.
“Duhet të jenë burime të ndotura,” deklaroi Rama duke iu referuar deklaratave të Arben Ahmetajt, ish-zëvendëskryeministrit të tij, sot në arrati. Të nesërmen e intervistës, Rama iu kundërvu Ahmetajt edhe më ashpër, ndërsa mediat pranë tij nxorrën lajme arkive për të shënjestruar personin që për më shumë se 15 vjet ka qenë fare pranë Edi Ramës.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp të mërkurën në Gjadër me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, Rama tentoi të argumentojë më thellë se pse, sipas tij, nuk ekziston diçka që të mund të quhet “mafia shqiptare”, siç ekziston mafia napoletane.
E para, le të shohim përkufizimet: Është Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, e ratifikuar edhe nga Shqipëria, që ka një përkufizim se çfarë është një grup kriminal i organizuar, termi zyrtar me të cilin është përkthyer në shqip. Përkufizimi është që kemi të bëjmë me grupe prej tre apo më shumë personash, bashkëpunimi i të cilëve për kryerjen e krimeve të rënda, të cilët dënohen me mbi 4 vjet burg, është i vazhdueshëm në kohë dhe ku anëtarët kanë role të kombinuara.
Sa i përket mafias, është Europol ai që ka dhënë një përkufizim lehtësisht të kuptueshëm, duke iu referuar grupeve mafioze historike të Italisë, Cosa Nostra, Camorra dhe Ndrangheta. Dallimi thelbësor mes grupeve të strukturuara të krimit dhe grupeve mafioze duket se qëndron te aftësia e këtyre të fundit për të kontrolluar territor dhe për ta shfrytëzuar atë; për të mbajtur veten në bazë të një kodi nderi, me bazë krahinore apo familjare; te aftësia për të manipuluar proceset zgjedhore dhe për të instaluar përfaqësues të vet në pozicionet administrative në territoret që ata kontrollojnë. Nuk është e domosdoshme që një grup mafioz të ketë një kumbar apo një këshill, siç supozohet se kanë grupet mafioze italiane apo italo-amerikane.
Në fakt, ideja e mafias si një strukturë e unifikuar, me rregulla të forta të caktuara dhe të zbatuara nga udhëheqës të plotfuqishëm, të cilëve u referohen me emrin Kumbar apo Padrino, këto janë më së shumti krijesa të letërsisë se sa të jetës reale.
Në jetën reale, mafia përbëhet nga grupe të ndryshme kriminale, të cilat shpesh bashkëpunojnë ose luftojnë njëra-tjetrën dhe, përmes bashkëpunimit, shtrijnë aktivitetin në një territor të gjerë, me veprimtari kriminale në njërën anë dhe me aktivitete në ekonominë e ligjshme si maskë apo si mjet pastrimi parash për të ardhurat nga aktivitetet e paligjshme.
Strukturat mafioze dallojnë nga grupet e strukturuara kriminale edhe për faktin që ato kanë burime financiare shumë të fuqishme, të cilat u mundësojnë të kompromentojnë strukturat shtetërore të pushtetit. Aftësia e tyre për të kontrolluar territorin vjen para së gjithash nga fuqia financiare e përdorur për të korruptuar strukturën e vetme ligjore të një vendi që ka për detyrë kontrollin e territorit: Policinë e Shtetit. Apo për t’u maskuar me strukturat e pranuara nga shoqëria si legjitime për ushtrimin e pushtetit, si partitë politike apo organizatat e shoqërisë civile.
Ndryshe nga strukturat e krimit të organizuar, strukturat mafioze, për shkak të tiparit familjar, fisnor apo krahinor mbi të cilin operojnë, janë në gjendje të mbijetojnë më lehtë përballë goditjeve të agjencive ligjzbatuese, përmes promovimeve brenda strukturave apo përmes rekrutimeve të reja. Me pak fjalë, nëse anëtarët e një organizatë kriminale bien në burg, organizata mbaron me aq. Një grup mafioz, kur i goditen disa anëtarë, apo kur i goditet drejtuesi, është në gjendje të ruajë si kapitalin monetar apo fizik të akumuluar, ashtu edhe lidhjet dhe njohuritë mbi linjat e aktiviteteve kriminale për shkak se të arrestuarit mundet, ose të drejtojnë nga burgu, ose të zëvendësohen nga anëtarë të tjerë të familjes kriminale.
Hetimet vendëse apo të huaja, si dhe fakte të njohura botërisht mund të na ndihmojnë ne të shohim grupet kriminale shqiptare, ekzistenca e të cilave është e njohur dhe tiparet që ato shfaqin, pra nëse operojnë në nivel të grupit kriminal apo kanë marrë tiparet e grupeve kriminale mafioze.
Ndërsa procesi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve mbart përkufizime, të cilat ndihmojnë për të konstatuar ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal apo lidhjeve kriminale të një zyrtari. Sipas këtij përkufizimi, kontaktet me personat e dyshuar por të padënuar për krime të rënda, përbëjnë argument për shkarkimin e një zyrtari të drejtësisë për mungesën e pastërtisë së figurës, me përjashtim të rasteve kur një proces i rregullt gjyqësor i ka shpallur ata të pafajshëm.
Ishte ky përkufizim që m’u kujtua kur, në intervistën me RAI-n, kryeministri Edi Rama doli në mbrojtje të Artur Shehut, një figurë e përfolur gjerësisht si eksponent i krimit të organizuar, duke deklaruar se ai nuk ka qenë kurrë i dënuar. Një person tjetër, një gjyqtar nga Vlora, paraqiti të njëjtin argument gjatë procesit të vetingut, argument që në rastin e tij nuk piu ujë.
Për të gjykuar situatën nëse Shqipëria ka thjesht nivel të lartë kriminaliteti, apo ka përfunduar në pikën e shtetit mafia, mundet të shikojmë ekzistencën e grupeve të njohura të krimit të organizuar, nga veriu në jug, llojet e aktiviteteve të tyre si dhe tiparet e veprimtarisë së tyre.
Në plan të përgjithshëm mund të themi se kultivimi dhe trafikimi i kanabisit, trafikimi i kokainës, bixhozi dhe, gjatë viteve të fundit, prokurimet publike, falsifikimi i dokumenteve të pronësisë në tokat me perspektivë zhvillimore si bregdeti i Velipojës, i Shëngjinit, i Lalzit, Durrësit e Vlorës, janë fushat kryesore të veprimtarisë së grupimeve kriminale shqiptare.
Edhe pse Rama mund ta mohojë nga mëngjesi deri në darkë, numri i personave me të shkuar kriminale të tillë që klasifikohet si krim i organizuar, të dënuar apo të dyshuar, të cilët sot si magjistarë janë në gjendje të investojnë në sektorin e ndërtimit, është i lartë. Edhe aksesi në vendimet e niveleve më të larta të qeverisjes, pra vendimmarrjes së vetë Edi Ramës, i personave të njohur për aktivitet kriminal është gjithashtu i njohur.
Mundet që ta nisim nga veriu në jug: në Shkodër njihet ekzistenca e familjeve kriminale Bajri dhe Liçi, ndërsa pak më në jug, në Velipojë, njihet grupi i Pëllumb Gjokës. Nga sa është hetuar në të shkuarën nga prokuroria shqiptare, por edhe nga dosjet e bujshme të kohëve të fundit, Metamorfoza apo dosja e shtatë bandave, këto grupe dukshëm kanë burime ekonomike të fuqishme. Dhe kur një eksponent i tyre arrestohet apo goditet, grupi vijon.
Kontrolli i tyre mbi territorin dallohet para së gjithash nga historia e kamerave të paautorizuara të përgjimit, si dhe nga hetimet që kanë zbuluar se këto lloj grupesh kriminale janë në gjendje të kontrollojnë tregjet, ku zhvasin tregtarët nën emrin e “mbrojtjes”, apo kontrollojnë plazhin e Velipojës. Lidhjet politike të këtyre grupeve janë gjithashtu të dukshme si në nivel vendor, ashtu edhe në nivel qendror.
Në Lezhë, dosja e fundit e zbardhur nga SPAK falë asistencës së Europol dhe Eurojust dhe të dhënave të siguruara nga aplikacioni Sky ECC, tregon se familja Ndoka dhe kreu i saj, ish-deputeti socialist Arben Ndoka, kontrollon territor në bashkëpunim me rrethin e tij të ngushtë familjar. Drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë vetëm një numër nën kontroll apo në bashkëpunim me grupet kriminale. Kanabisi mbillet gjithandej dhe familjarët më të ngushtë të një deputeti aktual socialist akuzohen se janë në biznesin e prodhimit dhe trafikimit të drogës.
Një grup i lidhur me Ndokën me bazë pak më në jug dhe që drejtohej nga Ervis Martinaj, aktualisht i zhdukur, e bënte qesharake idenë që Policia e Shtetit e kontrollon territorin.
Në Fushë-Krujë, dosja e shtatë bandave tregonte se si Durim Bami dhe familja Rraja ishin njëkohësisht grup kriminal, parti politike dhe autoritet shtetëror. Për aq sa pëmend vetë Durim Bami (aktualisht në arrati), gjatë pranverës së vitit 2020, kohë kur i përkasin përgjimet, ai vetë kishte mijëra dhe mijëra rrënjë kanabis të mbjella, nga bregdeti i Adriatikut deri në zonën e Qafështamës në Malësinë e Krujës. Ndërsa pak më në lindje, në zonën e Matit, personazhe të tjerë të krimit kultivonin drogë.
Në Shijak, të dhënat e publikuara nga tabloidi gjerman BILD në vitin 2019 sugjeruan se vëllezërit Avdylaj kanë emërtuar Ilir Ndraxhin si deputet në listat e Partisë Socialiste.
Në lidhje me Elbasanin, është e gjithëpranuar tashmë se qyteti është nën kontrollin efektiv të grupeve kriminale, ndërsa Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara sanksionoi në vitin 2022 ish-deputetin Aqif Rakipi për arsye se “ushtron ndikim politik në një grup të krimit të organizuar” në zonën e Elbasanit si dhe kryen emërimet në administratën publike në qarqet Tiranë e Elbasan.
Në rastin e Vlorës, moria e blloqeve absurde të pallateve bosh si dhe dosja italiane e kushërinjve të Saimir Tahirit besoj se mjafton për të dalë në konkluzionin se krimi kontrollon territor, ndërsa shteti shqiptar mundet të luajë vetëm rolin e turistit.
Shembuj të rinj ofruan edhe rezultatet e zgjedhjeve për pushtetin vendor në vitin 2023, ku grupe të ndryshme të lidhura me aktivitete kriminale dhe që funksionojnë në nivel familjar, ishin në gjendje të zgjidhnin veten apo familjarët e tyre në këshillet bashkiake, si dhe të ndryshojnë parti. Një herë konkurrojnë për njërën parti dhe pastaj për tjetrën, sipas dëshirës. Rezultatet për zgjedhjet për këshill sugjerojnë se partitë politike janë mysafire në shtëpinë e strukturave të gatshme kriminale, të cilat, përmes ryshfetit apo dhunës në territoret e veta, janë në gjendje të ndikojnë proceset zgjedhore.
Dosja e shtatë bandave, e cila formalisht mbetet sekret hetimor, por që përmbajtja e së cilës është publikuar gjerësisht nëpër portale, jep mundësinë, mes të tjerash, që të shohim se si krimi i organizuar e sheh këtë punën e kontrollit të territorit.
Emiljano Shullazi shfaqet si më elokuenti në dosje sa i përket gjykimeve të karakterit politik. Në një rast, kur dyshohet se po përgatitet të porosisë një vrasje në Durrës, ai thotë: “Vlla Tirana është pak problem, ama sa kalon Kaza Italia nuk e rruan kush. Andej nga kam hall unë nuk kalon policia vetëm një herë në ditë.”
Ndërsa në një rast tjetër, që tregon kontrollin e krimit mbi territorin, një i dyshuar komunikon një grup për t’i thënë se disa po planifikojnë “të ruajnë” (supozohet për ta vrarë), një person, të cilit, nuk i afrohen dot për shkak se banon në zonën e këtij grupi kriminal. Episodi sugjeron se grupe të ndryshme kriminale marrin leje nga njëri-tjetri për të aksesuar territoret përkatëse, ndërsa Policia e Shtetit, e cila, në letra ka më shumë efektivë se sa mundet të ketë kriminelë të organizuar në vend dhe ka një buxhet vjetor prej mbi 400 milionë eurosh, nuk ekziston asgjëkundi.
Dosja e shtatë bandave, sado voluminoze të jetë, mbart në fakt vetëm 15 muaj aktivitet kriminal të rreth 50 apo 60 eksponentëve të krimit. Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur para janarit të vitit 2020, kur fillojnë komunikimet në Sky ECC të kapura nga autoritetet dhe çfarë ka ndodhur pas marsit apo prillit të vitit 2021, kur këto komunikime ndërpriten.
Ne nuk e dimë gjithashtu se çfarë aktiviteti kriminal duhet të kenë kryer të tjera struktura të krimit, të cilat, për një arsye apo një tjetër, kanë zgjedhur të mos komunikojnë me Sky ECC. Megjithatë, dosja sugjeron se krimi i organizuar në Shqipëri është shumë më i gjerë se sa tetëmbëdhjetë episodet kriminale të zbardhura në të dhe që kryeministri Rama nuk bind kënd me viktimizimin se po i bien në qafë me gjysmë të vërteta.