Bledi KASMI
Fukarallëku dhe maskarallëku, ky binom shekullor që shoqëron një pjesë të mirë të historisë së këtij vendi nuk do të ishte kaq pjellor, nëse do të kishte më pak injorantë dhe më shumë njerëz të ditur. Nëse do të kishim më shumë guximtarë që vrasin ballazi të keqen se sa spurdhjakët që tinëz, vrasin njëri-tjetrin për vijën e ujit.
Dje ishte 2 korriku. Kujtojmë atë që ndodhi 26 vjet më parë dhe shohim ku jemi sot për të kuptuar se sa kemi ndryshuar. Sot kemi internet, facebook, teknologji, mini dhe bikini, mundësi për makina luksi dhe udhëtime me avionë e kroçera, banane, kivi dhe Coca Cola, por në fund ne jemi po ata që ishim.
Ne vazhdojmë të ikim si përpara 26 vitesh. Dhe nëse sot pas 26 vitesh, ne ende jemi në të njëjtën rrugë të madhe ku ishim përpara 26 vitesh, atëherë shumë mirë mund të parashikojmë se ku mund të jemi pas 26 vitesh të tjera. Ndoshta do të jemi sërish duke kujtuar 2 korrikun ’90, vetëm se atëherë si 52-vjetor.
Dhe të mendosh se jemi vetëm 3 milionë. Jemi pak më shumë se një lagje e madhe e Parisit, Londrës apo e Stambollit, por që ndryshe nga ata kemi liderë globalë në udhëheqje që mund t’i konkurrojnë denjësisht të gjithë miliarderët e Britanisë, Francës dhe Italisë për nga pasuria personale, sepse askund si këtu nuk vidhen mbi 20 milionë euro në mes të ditës në mes të aeroportit dhe hajdutët të ikin në drejtim të paditur. Askund si këtu, Kryeministri nuk merr vendime për t’i dhënë vëllait dy koncesione. Askund si këtu, ministri i Shëndetësisë jep për llogari të shefit të tij 320 milionë euro para të thata për koncesione dhe merr si kompensim 15 milionë euro tendera për kompaninë e tij.
Nga etërit tek bijtë, asgjë nuk mund të ndryshojë. Shtohet hakmarrja dhe urrejtja sepse padrejtësia është kthyer në sistem dhe për ta legjitimuar përjetësisht pushtetin i duhet edhe guri i fundit i dominosë, kapja e drejtësisë dhe vendosja në krye të saj e aranitëve të rinj edhe më të devotshëm në luftën e klasave.
Një komb që akoma endet rrugëve të botës i përzënë nga një kastë të babëziturish i ngjan historisë së Faraonit me banorët e Egjiptit. Ata iknin për t’i shpëtuar dhe ai i ndiqte për t’i ndëshkuar derisa atyre u erdhi ndihma dhe atij ndëshkimi. Kur pa fundin, Faraoni u pendua, por nuk kishte vlerë ndaj dhe trupi i tij sot është i ruajtur si një shenjë për ata që duan të kuptojnë.
Pyetja është, a i duhet vënë flaka të keqes njëlloj si shkurreve për t’i lënë vendin një toke pa ferra nëpër këmbë? Jemi ende në pritje të votës së lirë dhe drejtësisë. Koha shkon, por për aq sa ka mbetur duhet të ëndërrojmë.