Nga Agim Baçi
Komedinë italiane, “L’Ora Legale”, mund ta shohësh pafundësisht dhe të vazhdosh të mos e besosh se nuk është bërë për këtu, për në Shqipëri, për atë që hasim dhe debatojmë por… pa i dhënë zgjidhje.
Fabula është ndërtuar rreth zgjedhjes së një njeriu të ndershëm në krye të bashkisë në Pietramare, një Siçili, përballë një kryebashkiaku që e akuzojnë si të korruptuar. Por, i shumëprituri njeri i ligjit, njeri i pakorruptuar, nis të duket një problem për të gjithë ata që thjesht janë ankuar për të keqen, që janë ankuar për ish kryebashkiakun e korruptuar Patane.
Po ku qëndron ironia? Ata që janë ankuar për kryebashkiakun e korruptuar del se nuk janë gati të bëjnë asnjë hap për të jetuar në mënyrë të ndershme dhe për të respektuar ligjin. Eshtë ajo çfarë i deleguari i politikës qendrore, nga Roma, u drejtohet qytetarëve, të mbledhur në Kishë, nën kryesimin e priftit, për të shpëtuar nga ajo që ai e quan “vurisi i ndershmërisë”, një virus që rrezikon shumë rendin që është ngritur. “Çfarë ndodhi me ju, jugorët? Ju keni ditur të zgjidhni gjithnjë të korruptuarit. Çfarë ju shkrepi në kokë të zgjidhnit këtë herë një të ndershëm? A e kemi luksin ne sot, me këtë krizë, ta kemi të përhapur njerëzit një fenomen me njerëz të ndershëm në të gjithë Italinë?”, pyet i dërguari I politikës qëndrore të Romës që është shqetësuar se një qytet në Siçili ka vendosur të zgjedhë një njeri që zbaton ligjin dhe realizon ato që ka premtuar në programin e tij politik.
Pyetja që ngre komedia është piëkrisht ajo së cilës ne kemi nevojë t’i përgjigjemi jo me sllogane, por me veprime konkrete- A jemi ne gati të ndryshojmë edhe vetë për të qenë njerëz që zbatojmë ligjin, që denoncojmë të keqen? A jemi ne nga ata që luftojmë për të shmangur të keqen dhe për të udhëzuar nga e mira, apo e presim ndryshimin vetëm nga të tjerët, apo nga një njeri i vetëm?
Filmi mbyllet me shkarkimin e kryebashkiakut të ndershëm, të cilit, vetë ata që e kishin votuar për të bërë ndryshimin, i ngrejnë në mënyrë të paligjshme brenda natës një shtëpi pa leje brenda oborrit të shtëpisë së tij, dhe më pas realizojnë kthimin në detyrë të kryebashkiakut të korruptuar dhe mafioz, që u rrëzua në zgjedhje nga ata që flisnin plot zell për ndryshim, por që vetë nuk donin të aplikonin asgjë nga ajo e shkuar e korruptuar. Pra, ka fituar dëshira për të qëndruar nën pushtetin e atyre që e konsiderojnë pushtetin si pronë, e ku ligji nuk ka ndonjë nderim.
Eshtë pikërisht kjo mbyllje e filmit që ngre pikëpyetjet mbi pafuqinë që po tregojmë si shoqëri për të përqafuar të ligjshmen, të ndershmen, të vërtetën, edhe pse duket sikur të gjithë ata që flasin janë pro zbatimit të ligjit, pro së drejtës. Rikthimi i kryebashkiakut mafioz Patane, po nga ata që e kishin akuzuar, është ironia e shoqërisë së sotme, e shoqërisë sonë, që nuk po gjen dot më rrugët për të mbështetur të ndershmin, që nuk është gati të jetojë duke respektuar ligjin.
Po ne, a do ta lejojmë “virusin e ndershmërisë” të bëhet pjesë e politikës, apo do vijojmë të duartrokasim ata që tallen me ne, ata që në vend të shtrirjes së dorës përdorin gjuhën e urrejtjes? Edhe për këtë pyetje, filmi ka një nga cinizmet më therëse që ka sjellë kinemaja, teksa prifti, duke komunikuar me qytetarët e zemëruar se po i lodh zbatimi i ligjit, refuzimi i favoreve, u kujton atyre çastin kur populli i Judesë u pyet nga guvernatori Ponc Pilati, nëse do shpëtonin Barabën apo Jezu Krishtin, dhe njerëzit shpëtuan Barabën dhe çuan në kryqëzim Krishtin. “Populli zgjidhi Barabën ta shpëtojë, dhe kjo është parë gjithnjë si e gabuar. Por, vërtet kemi gabuar?”, pyet prifti- një pyetje thërëse për këdo që sot, edhe pse thotë se do një politikë të ndershme, vijon të mos bëjë asgjë për të larguar nga politika ata që janë talluar, që shkelin ligjin, që nuk mbajnë asnjë përgjgegjësi për asgjë që kanë bërë apo bëjnë ende dhe që përdorin gjuhën e urrjetjes në vend të zgjatjes së dorës për ata që duan një politikë në favor të një qeverisjeje për qytetarët.
“L’Ora Legale” është komedia që ja vlen ta shohim e rishohim, jo për të qeshur, por për të menduar edhe një herë- kë po zgjedhim? Cilit apo cilëve duhe t’u besojmë të ardhmen tonë?