Nga Kreshnik Spahiu
Ishte ora 4:30 e mëngjesit. Babai më zgjoi dhe unë u vesha me shpejtësi. Mora shishet e qumshtit dhe zbrita me vrap shkallët drejt dyqanit të bulmetit.
U trishtova shumë kur pashë, që kisha 50 shishe të tjera pëpara. Kjo nënkuptonte që në radhë kisha 50 burra dhe 50 gra përpara, të cilët do kishin mundësi të blenin qumësht para meje.
Dyqani hapej ora 8:00 mëngjesit dhe unë prita me ankth 3 orë deri sa erdhi furnizimi.
Erdhën vetëm 20 arka me qumësht dhe unë nuk munda të marr dy shishe për familjen time.
Ishte viti 1987 dhe Shqipëria vuante nga kriza e ushqimeve bazike:
– radhë për qumësht
– radhë për bukë
– radhë për vezë
– radhë për vaj guri
– radhë për miell dhe sheqer
E çuditshme ishte se nuk kishte një radhë por dy: Majtas radha burrave dhe djathtas e grave. Shitësi mbante radhën: Një burrë, një grua.
Ne adoleshentët e lagjes kishim gjetur një zgjidhje. Shpesh ndihmonim vullnetarisht në dyqan që të na jepnin ushqime pa radhë.
Për disa produkte s’lejohej radhë, sepse ishin me racion dhe “tollon”:
– 1 kg mish në muaj
– 1 kg sallam në muaj
– 1 pulë në muaj
– 1 pako mish të grirë në muaj
Mu kujtua kjo histori kur pash sloganin e Partisë Demokratike për fushatë elektorale:
“Radha jonë”
Qesha dhe i mirkuptova.
“Legjenda” e tyre është rritur 50 vite, duke pritur radhën për çdo gjë. Komunist i vjetër. Gjysëm shekulli duke pritur në radhë qumshtin dhe 35 vjet në radhë duke pritur pushtetin.
Ai mendon se edhe pushteti është radhë dhe prandaj bën pazare me shitësin?!
Ai gjithë diskursin politik e ka me “shishe qumshti”. Ka vendosur shishen dhe pret radhën!
– E keni parë që nuk lë asnjë parti të hyj në radhë?
– E keni parë që dhe listat e deputetve i ka me radhë?
Pret që Rama të mbush “thesin me ushqime” dhe të largohet. Ai pret dhe nuk largohet, deri sa ti vij radha. Por nuk arrin ta kuptoj, që koha e radhave ka perënduar.
Edhe sikur të rikthehet koha e radhave atë do e largonin nga dyqani sepse ka mbush thesin disa herë.
Populli ka vite që pret në radhë dhe largohet bosh si unë në moshën 15 vjeçare i përlotur që nuk i çova dot ushqime prindërve.
Prandaj i kujtoj Sali Berishës që pushteti nuk dhurohet as me radhë dhe as me pazar.
Radha jote ka kaluar doktor.
Largohu se është radha e të tjerve.