Jo, tërmetet nuk mund të parashikohen. As shkencëtarët e Qendrës Gjeologjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo shkencëtarë të tjerë nuk kanë mundur të parashikojnë kurrë një tërmet të fortë.
Sipas vetë Qendrës Gjeologjike Amerikane (USGS), deri më sot, shkencëtarët nuk dinë sesi dhe shprehen se dita kur do të mund të parashikojnë tërmetet është ende e largët. Shkencëtarët munden vetëm të përllogarisin probabilitetin se një tërmet domethënës do të ndodhë në një zonë specifike, brenda një numri të caktuar vitesh.
Parashikimi i një tërmeti duhet të përmbushë 3 elementë: datën dhe orën, vendngjarjen dhe magnitudën.
Po, disa njerëz thonë se mund të parashikojnë tërmetet, por agjencia amerikane sjell arsyet përse pretendimet tyre janë të pavërteta.
1-Nuk bazohen në prova shkencore dhe tërmetet janë pjesë e një procesi shkencor. Për shembull, tërmetet nuk kanë asnjë lidhje me retë, dhimbjet në trup, etj.
2-Ato nuk përmbushin 3 elementët e nevojshme për një parashikim.
3-Parashikimet e tyre janë kaq të përgjithshme sa thuajse gjithmonë flasin për një tërmet që shkon me situatën, si për shembull; a-do të ketë një tërmet me magnitudë 4 diku në SHBA, në 30 ditët e ardhshme. b-do të ketë një tërmet me magnitudë 2 në bregun perëndimor të SHBA, gjatë ditës së sotme.
Nëse ndodh një tërmet që ka qoftë ngjashmërinë më të vogël me parashikimin e tyre, ata do të pretendojnë se ishin të suksesshëm, ndonëse 1-3 e elementëve të parashikuar është totalisht ndryshe nga ajo që ndodhi, që do të thotë se është një parashikim i dështuar.
Parashikimet (nga persona që nuk janë shkencëtarë), zakonisht nisin të qarkullojnë nëpër rrjete sociale, kur ndodh diçka që mendohet se mund të jetë shenjë paralajmëruese e një tërmeti që do të ndodhë në të ardhmen e afërt.
Të ashtuquajturat “shenja paralajmëruese” janë zakonisht një numër lëkundjesh sizmike të lehta, rritja e sasisë së radonit në ujin e zonës, sjellja e pazakontë e kafshëve, rritja e madhësisë së magnitudës në ngjarje me madhësi të moderuar, ose një event me magnitudë të moderuar, aq i rrallë sa për të sugjeruar se mund të ketë një lëkundje paraprirëse.
Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e këtyre shenjave zakonisht ndodhin pa u pasuar nga një tërmet, kështu që parashikimi i vërtetë nuk është i mundur.
Dekada më parë në Kinë u bë një parashikim për një tërmet, bazuar në tërmetet e vogla dhe aktivitetin e pazakontë të kafshëve. Shumë njerëz vendosën të flinin jashtë shtëpive dhe ata shpëtuan kur tërmeti kryesor ndodhi dhe shkaktoi dëme masive, transmeton Qendrës Gjeologjike Amerikane.
Megjithatë, tërmetet masive nuk ndjekin këtë lloj aktiviteti sizmik dhe fatkeqësisht shumë tërmete pasojnë pa ngjarje paralajmëruese. Tërmeti tjetër masiv që goditi Kinën ishte totalisht i pa parashikuar dhe i mori jetën mijëra personave.