A mund të shpëtohet OKB-ja?

Nga Thant Myint

Synimi për të reformuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara, është thuajse po aq i vjetër sa vetë ky organ i rëndësishëm ndërkombëtar. Tetëdhjetë vjet më parë, udhëheqësit e aleatëve, imagjinuan një rend të pasluftës, në të cilin fuqitë e mëdha do të ruanin së bashku një paqe të përhershme.

Këshilli i Sigurimit, i dominuar nga 5 anëtarët e tij me të drejtën e vetos – Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe, Franca dhe Kina – pasqyronte botën ashtu siç ishte në atë kohë. Pjesë të tjera më pak hierarkike të sistemit të ri të OKB-së, synonin të nxisnin bashkëpunimin ndërkombëtar në një mori çështjesh:ekonomia globale, shëndeti publik, bujqësia, arsimi.

Ishin që në gjenezë të dukshme “farat’ e një qeverie të ardhshme planetare. OKB -ja u konceptua fillimisht si një aleancë ushtarake, por me fillimin e Luftës së Ftohtë, ky objektiv u bë i pamundur. Ndaj shumë analistë parashikuan një vdekje të hershme të OKB-së.

E megjithatë organizata mbijetoi, dhe shumë shpejt u riaktivizua, duke vendosur synime që themeluesit e saj nuk i kishin imagjinuar ndonjëherë, siç është ruajtja e paqes. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së u bë një figurë e njohur në skenën globale si një diplomat i shquar, duke vizituar vazhdimisht zonat në luftë për të negociuar armëpushimet.

Agjencitë e specializuara të OKB-në, si Organizata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (UNESCO), dhe një sërë programesh të reja të asistencës teknike, patën suksese të mëdha. Për disa zyrtarë, studiues dhe aktivistë, brenda dhe jashtë OKB-së, kjo organizatë mbeti bartëse e një vizioni shpresëdhënës mbi qeverisjen globale.

Studiuesi amerikan Richard Falk dhe ish-diplomati gjerman Hans von Sponeck, janë qartazi në kampin e atyre që do të donin të shihnin një OKB shumë më të fortë. Në librin e tyre të fundit “Çlirimi i OKB-së”, ata japin sugjerime e tyre sesi ajo mund të përballet në mënyrë më efektive me morinë e sfidave me të cilat përballet sot bota, nga ndryshimi i klimës deri tek përhapja e armëve bërthamore.

Ata nuk shohin ndonjë alternativë tjetër. Në të njëjtën kohë, ata ankohen për gjendjen aktuale jofunksionale të OKB-së dhe zbehjen e rëndësisë së saj në lidhje me problemet kryesore të momentit. Libri bazohet tek përvojat e vetë autorëve në këtë organizatë.

Falk, për shumë dekada profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Prinston në SHBA, ishte në fillimin e viteve 2010 raportuesi special i OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967. Ndërkohë Von Sponeck, ishte koordinator i i OKB-së për ndihmës humanitare në Irak në fund të viteve 1990. Ai dha dorëheqjen në shenjë proteste për dëmin që i shkaktuan sanksionet civilëve irakianë. Ata përshkruajnë mënyrat e shumta, përmes të cilave përpjekjet e saj u penguan nga gjeopolitika. Pra nga interesat e Shteteve të Bashkuara dhe të qeverive të tjera të fuqishme.

Ata pretendojnë se përgjatë dekadave, pavarësisht pengesave të mëdha, OKB-ja e ka dëshmuar veten si një “tipar i domosdoshëm i një rendi botëror të qëndrueshëm dhe pozitiv, dhe me më shumë fonde, si dhe me durim më të madh nga aktorët gjeopolitikë dhe më shumë vlerësim nga qeveritë anëtare, shoqëritë civile dhe mediat”, ky organ global mund të rikthehet në lavdinë e të shkuarës.

Në këtë rast, pengesë është një formë e vjetruar e “realizmit politik”, që për t’u kapërcyer do të kërkojë një luftë të fortë ideologjike. Qeveritë mbeten peng të llogaritjeve të tyre gjeopolitike, dhe nuk e vlerësojnë faktin se e vetmja përgjigje ndaj sfidave të sotme globale, është një OKB e reformuar në zemër të bashkëpunimit të fuqishëm global. Që të ndodhë kjo, ata bëjnë thirrje për një “lëvizje progresive transnacionale të popujve”, mjaftueshëm të fortë për të ushtruar një ndikim dashamirës në praktikat institucionale qeveritare dhe ndërkombëtare”.

Vetëm në këtë terren, OKB-ja do të jetë në gjendje të zgjidhë probleme të tilla themelore strukturore si kapitalizmi grabitqar, militarizmi global dhe paqëndrueshmëria ekologjike. Falk dhe von Sponeck përmendin edhe nevojën për të përditësuar përbërjen e një Këshilli të Sigurimit, që është ende një relike e epokës së Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka shumë argumente bindës për t’i mohuar përfaqësimin në këtë këshill të vendeve si India.

Dekadat e fundit, historia e Këshillit të Sigurimit ka qenë ajo e një organi të dominuar nga 5 vende të pasura, të cilat diskutojnë mbi konfliktet në vendet me të ardhura të ulëta. Përbërja jo përfaqësuese e 5 anëtarëve të përhershëm të KS çon në një mori pabarazish, siç janë emërimet e njëanshme të zyrtarëve të lartë, që kalojnë përmes sistemit të OKB-së.

Ndaj në pjesën më të madhe të botës, ka rënë në mënyrë të vazhdueshme entuziazmi për OKB-në. Megjithatë çdo lloj përpjekje për të reformuar OKB-në, do të përballet me sfida të mëdha politike. Është thuajse e pamundur të imagjinohet një paketë ndryshimesh në KS pa mbështetjen e anëtarëve të përhershëm aktualë.

Por ekziston një sfidë edhe më themelore:bollëku i rrugëve alternative që mund të ndjekin qeveritë në raport me interesat e tyre, përfshirë marrëveshjet dypalëshe; organizatat rajonale, si NATO ; dhe forume si G-20. Selia e OKB-së në Nju Jork, ishte dikur i vetmi vend në botë ku mund të takoheshin përfaqësues të shumë vendeve. Falk dhe von Sponeck arrijnë në përfundimin se unilateralizmi i SHBA-së, është arsyeja kryesore e kufizimit të rolit të OKB-në. Është e dukshme që Uashingtoni që nuk dëshiron të investojë në reformimin e organizatës. Por nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që synojnë të veprojnë jashtë OKB-së.

Për shtetet më të vogla, OKB-ja mund të jetë arena e vetme ku ata kanë një vend të barabartë në tryezë. Por për të tjerët, si fuqitë e mesme ka një menu opsionesh gjithnjë në rritje. Ndërkohë ka edhe një sfidë akoma më të madhe:vetë natyra e OKB-së. Përgjatë 8 dekadave, OKB-ja ka zhvilluar kulturën, gjuhën dhe mënyrat e veta të punës. Ato janë produkte të paçmueshme të përpjekjes së vetme deri më sot, për të ndërtuar një institucion që përfshin gjithë njerëzimin. Por ka qenë prej kohësh i varur nga procesi në dëm të rezultatit. Nevoja e organizatës për të pasqyruar pikëpamjet e të gjithëve, në çdo paragraf të çdo teksti që miratohet, i heq shpesh kuptimin dhe vlerën, pavarësisht përpjekjeve të saj qëllim-mira.
Një problem tjetër shqetësues, është mënyra se si OKB-ja i menaxhon njerëzit e saj.

Organizata përfshin grupime të shumta nëpunësish publikë, përfshirë punonjësit e ndihmës humanitare dhe paqeruajtësit, të cilët janë të përkushtuar ndaj parimeve të saj të larta dhe që e përmbushin detyrim shpesh në rrethanat më të vështira. Por pak prej tyre kanë përfituar nga menaxhimi i mirë. Më të aftët njihen rrallë për aftësitë dhe sakrificat e tyre. Qeveritë, veçanërisht fuqitë e mëdha, këmbëngulin në emërimin e tyre (shpesh të pakualifikuar) për postet kryesore,
duke krijuar një perversitet në zemër të sistemit që e minon moralin dhe efikasitetin.

Një OKB efektive ka nevojë për një shërbim civil shumë të motivuar, me një staf të përbërë nga gratë dhe burrat më të kualifikuar nga e gjithë bota. Mjerisht kësaj reforme nuk po i kushtohet pothuajse asnjë vëmendje. Skenari i preferuar, është ai në të cilin një OKB e pa reformuar ose pak e reformuar, vazhdon të zhvillojë një varg funksionesh – duke mbrojtur refugjatët, duke lehtësuar negociatat për ndryshimet klimatike, ofruar ndihmë zhvillimore – duke ecur mirë në disa fusha dhe më pak mirë në të tjerat.

Edhe nëse nuk zgjidhin domosdoshmërisht problemet globale, konferencat e saj mbajnë të gjallë dialogun për çështjet globale, duke ofruar nganjëherë një platformë për një sërë organizatash ndërkombëtare të shoqërisë civile. Problemi me këtë skenar të statuskuosë, është se duke mbajtur pak premtime, organizata po e shpërqëndron veten nga qëllimi i saj kryesor për të parandaluar luftërat.

Mjerisht, edhe për të ardhmen e parashikueshme, Këshilli i Sigurimit, organi kryesor përgjegjës për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, ka të ngjarë të mbetet i paaftë për të trajtuar kërcënimet kryesore të ditës, mes tyre pushtimin rus të Ukrainës, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe mosmarrëveshjet mbi Tajvanin dhe territoret në Detin e Kinës Jugore.

Në mungesë të një Këshilli Sigurimi dinamik dhe të reformuar, çelësi i suksesit të ardhshëm të OKB-së është roli i Sekretarit të Përgjithshëm si një diplomat i shquar në botë. Paqja është puna kryesore e OKB-së. Ka shumë konflikte që mund të zgjidhen pa ndonjë rol të OKB-së. Por 80 vitet e fundit, tregojnë se Sekretari i Përgjithshëm, një ndërmjetës i paanshëm që përfaqëson një organ universal, është ndonjëherë i domosdoshëm.

Nëse ai mënjanohet për çështjet e luftës dhe paqes, atëherë do të ketë shumë më pak ndikim me të cilin mund të udhëheqë në sfidat globale si ndryshimi i klimës dhe zhvillimi. Publiku pret që OKB-ja të kryesojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. Sot, luftërat e reja të tmerrshme, po shkatërrojnë jetët e miliona njerëzve, dhe po rrisin kërcënimin e luftës bërthamore. Është një kohë shumë e ndryshme nga vitet 1990, kur të gjitha fuqitë e mëdha ishin të kënaqura me dërgimin e operacioneve paqeruajtëse për t’i dhënë fund konflikteve të brendshme.

Bota është kthyer tek një periudhë lufte midis shteteve, dukuri që OKB-ja u krijua ta parandalojë. Për shkak se ka pak hapësire për reformimin e OKB-së, çfarëdolloj hapësire që ekziston duhet të shfrytëzohet me efikasitet për të rivendosur dhe zgjeruar rolin paqe-bërës të Sekretarit të Përgjithshëm, i cili mund të trajtojë jo vetëm konfliktet e brendshme, por edhe luftërat ndërshtetërore.

Por kjo do të kërkojë ndërtimin e një ekipi ndërmjetësuesish me përvojë të brendshme, të cilët kanë një njohuri shumë të imtësishme mbi atë që mundet ose jo të bëjë organizata. Dikur, OKB-ja arriti një sukses të madh nëpërmjet udhëheqjes së zyrtarëve të tillë si fituesi i Çmimit Nobelt Ralph Bunche, i cili i shërbeu si Hammarskjoldit dhe ashtu edhe Thantit, dhe ishte i rëndësishëm në dhjetëra përpjekje për të garantuar paqen në mbarë botën.

Në këtë moment të rrezikshëm dhe të pasigurt, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara mund të eksplorojë dhe të krijojë mundësi për zgjidhjen e konflikteve. Vetëm OKB-ja ka autoritetin dhe besueshmërinë për ta luajtur këtë rol. Dhe gjatë viteve të ardhshme, kjo mund të bëjë të gjithë diferencën midis luftës globale dhe paqes./Përshtatur nga ”Foreign Affairs”

*Shënim:Thant Myint-U, historian dhe autor i librit “Kriza e demokracisë në shekullin XXI”. Gjatë viteve 2000-2006, ka punuar në Sekretariatin e OKB-së në Nju Jork.

Exit mobile version