“Monitor”
Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, javën e kaluar në Vjenë hodhi për tryezën ballkanike idenë e një bashkimi doganor mes vendeve të rajonit. Modeli i propozuar nga Vuçiç është i njëjtë me atë që ndoqi Bashkimi Europian: një treg të lirë, një bashkim doganor e më pas një union i vetëm politik. Sipas Vuçiç, ky model, i cili po mbështetet edhe nga kryeministri Rama, do të sjellë një integrim më të shpejtë të vendeve në Bashkimin Europian.
Ideja e riformuluar së fundmi nga zoti Vuçiç nuk është origjinale. Ajo u frymëzua nga Brukseli pas luftës në Kosovë, me paktin e stabilitetit, i cili më pas synonte që vendet e Ballkanit të ndiqnin të njëjtën rrugë, për t’u integruar në bllok drejt BE-së.
Por pakti mbeti në gjysmë dhe vendet e Ballkanit ndoqën secili rrugën e vet të integrimit. Dhe tani jemi në një moment ku ngecjet ose përparimet e vendeve si Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi nuk varen vetëm nga kriteret ekonomike, por kanë natyrë tjetër. Maqedonia ka çështje të pazgjidhura të emrit me Greqinë, Serbia nuk po e njeh Kosovën si shtet, Shqipëria ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe shtetin e së drejtës etj.
Ndërkohë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mes tyre një marrëveshje të tregtisë së lirë që quhet CEFTA, nga e cila Shqipëria ka dalë përfituese pasi sipas të dhënave rezulton që në vitin 2015, eksportet vendase me CEFTA janë rritur në 14.27% kundrejt rreth 6.7% që ishin në vitin 2005 (marrëveshja CEFTA u arrit më 2003), pra ka rritje të madhësisë së tregut për produktet kombëtare. Ndërkohë me rajonin (CEFTA) Shqipëria eksporton 840 lekë për çdo 1.000 lekë import, kurse me BE-në, Shqipëria eksporton 570 lekë për çdo 1.000 lekë import.
Në kushtet kur këto vitet e fundit rikuperimi i rënies së eksporteve po bëhet i stërmundimshëm cenimi i CEFTA-s për Shqipërinë në favor të një marrëveshjeje tjetër do të ishte me shumë pikëpyetje.
Mirëpo çështja nuk është kaq ekonomike. Kryeministri serb kur mbron idenë e një bashkimi doganor dhe avancimi drejt një tregu unik si BE, për vendet e Ballkanit Perëndimor, ka parasysh vetëm Serbinë kur thotë se kamionët serbë presin mbi 20 orë në pikat kufitare. Por nëse edhe qeveria shqiptare do të avancojë me këtë ide janë përpara disa pyetje që presin përgjigje të matura, sepse së pari iniciativa serbe duket kontradiktore kur flet për një Ballkan pa barriera, por në Mitrovicë të Kosovës tentoi të ngrinte mur ndarës dhe kur si model të lëvizjes së lirë ofroi trenin e mbushur me ngjyra e parulla nacionaliste dhe shoviniste. A mos vallë me këtë ofertë serbe “minohet” procesi i integrimit kombëtar të tregjeve dhe kombit shqiptar mes Shqipërisë dhe Kosovës, projekt i cili ka nisur prej dy vjetësh? A do të marrë pjesë Kosova si shtet në këtë marrëveshje që de fakto duhet të jetë edhe një njohje e Kosovës nga Serbia? A mos vallë Serbia pikërisht këtë synon, të dobësojë faktorizimin e shqiptarëve si entitet shtetëror, kombëtar dhe ekonomik në rajon? Këto pikëpyetje të forta mund të fshihen nëse pala shqiptare, në idenë e një bashkimi të ri ballkanik, vendos si kusht të parë dhe vendimtar njohjen e Kosovës nga Beogradi. Njohja e saj duhet të jetë nga qeveria e Tiranës hapi i parë dhe i panegociueshëm për nisjen e çfarëdo bisede për treg apo integrim rajonal.
Një tjetër çështje që vlen për t’u detajuar mirë është si do të vendosen marrëdhëniet e këtij blloku të ri ballkanik me Rusinë, e cila ka Serbinë, spirancë të saj në rajon. Vetë BE ka shqetësime për rritjen e shkallës së ndikimit të Moskës në Europë përmes vendeve më të dobëta. A mos është kjo një manovër e Lindjes për të fryrë më shumë në Perëndim përmes brigjeve ballkanike?
Pra, ka pak histori ekonomike, por dhe mjaft çështje politike, shtetërore dhe kombëtare që duhen pasur në konsideratë.
Idenë e hershme të Bashkimit Europian për një treg të unifikuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor që lëvizin bashkërisht drejt BE-së, siç tregoi koha, e mbyti nacionalizmi. Klima në Ballkan nuk është më e njëjtë si gati dy dekada më parë, por gjithsesi nuk është aq bardhë se të rinxjerrë nga sirtari një histori të vjetër, ku secili vend tani ka shkruar një histori të tij të integrimit me BE-në. Ndërkohë ka disa shqetësime që burojnë nga brenda. Ne si Republikë e Shqipërisë kemi bërë shumë pak për integrimin kombëtar dhe se Serbia gjithnjë e ka penguar këtë proces. Një shembull i fundit është linja strategjike e interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë që nuk ka filluar të funksionojë pasi pengohet nga Serbia që kërkon tarifë për këtë marrëdhënie të re mes shqiptarëve.
Atëherë si do të shkëlqejmë ne si drejtues të një unioni të ri multietnik, kur nuk kemi mundur të punojmë bashkë mes shqiptarëve? Kjo paaftësi do të reflektohet edhe në maksimizimin e përftimeve që mund të arrinim nga një union i tillë ballkanik, sikundër ka ndodhur gjithnjë.
Shqipëria e shqiptarët në rajon nuk kanë pse nxitohen, pa peshuar mirë të gjitha përftimet dhe humbjet e veçanërisht pa arritur më parë sinergjinë mes vetes.
Megjithatë, një marrëdhënie që rrit mirëqenien e njerëzve dhe mbyt nacionalizmat ballkanikë mbetet gjithnjë një mundësi e mirë, por nëse mbron interesat e gjithë shqiptarëve dhe është transparente. Deri tani, qeveria shqiptare nuk ka folur ende për këtë çështje.