A po bëhet dhe si po bëhet politikë sot në Shqipëri?!

Nga Neli Demi

Një mendje politike i’a bën vazhdimisht këtë pyetje vetes dhe artikulon e vepron në përputhje me përgjigjet që i jep vetes. Sigurisht këto përgjigje filtrohen nga idologjia në të cilën individi beson. Duke thënë këtë, çfarë unë mendoj aktualisht (2021- e në vazhdim), është që ka tre realitete dominuese që po shpërfaqen çdo ditë e më qartë në realitetin politik Shqiptar.

Mazhoranca parlamentare, e cila sa vjen e po përfaqson gjithnjë e më pak atë çfarë popullata ndjen, mendon dhe do, është e angazhuar prej kohësh në një proces kontrolli të dëmit që i ka shkaktuar vendit në përgjithsi, votuesve të saj por edhe vetë PS-së. Nuk dua të ndalem në këtë shkrim në çfarë dëmi, por tek pyetja në fillim të këtij shkrimi duke u përpjekur që të jem sa më politik në gjykim dhe duke shmangur interpretimet apo perceptimet. Ky proces kontrolli i dëmit normalisht do të ishte një proces i domosdoshëm dhe i dobishëm në dialektikën e një personi apo grupimi në qoftë se do shoqërohej nga një kurajo e mjaftueshme për të identifikuar arsyet dhe aktorët që kanë shkaktuar dëmin. Ajo që unë vë re në këtë përpjekje të mazhorancës më shumë se një ndryshim i veshjes politike ( duke marrë parasysh edhe koston e mospëlqyeshmërisë), duket si një përpjekje e pafund arnosjeje ku arnat vihen jo vetëm mbi vrimat e krijuara nga konsumimi por edhe mbi arnat e vendosura më parë. Ky “patchwork” politik po konsumon aq shumë energji dhe kohë saqë detyrat kryesore të këtij grupimi për të prodhuar politike në të mirë të vendit kanë kaluar në plan të tretë a të katërt.

Rithemelimi/ Foltorja/ Bardhistët po prodhojnë gjithnjë e më qartë një realitet dëshpërimi. Dëshpërim për të shpëtuar një kastë ligjërisht dhe politikisht. Për t’i shpëtuar sanksionimeve, hekurave, mungesës së “butësisë” së karrigeve parlamentare dhe në rastin më të mirë të mundshëm “mediokritetit” të të qenit njerëz të zakonshëm. Duke u munduar, si të gjithë të dëshpëruarit, të kapen pas fijeve të barit, ata po zbrazin të gjithë lëndinën e tyre politike. E në këtë realitet dëshpërues as që i bie ndërmend të prodhojnë politikë.

Partia demokratike dhe Basha treguan se ditën si të përjetojnë vuajtjen dhe si të shohin brenda vetes duke pasur kurajon për të pranuar çfarë nuk ka funksionuar dhe pse nuk ka funksionuar. Kjo gjë tashmë është reflektuar në produkte solide politike në disa rrafshe.

1. Kupola e PD përmban individë të pa-katapultuar profesionalisht dhe politikisht, kritikë me veten, PD dhe Bashën, me zë dhe qëndrim të pavarur nga “njëshi” dhe të përulur ndaj bindjeve.
2. Qëndrim i qartë dhe pa ekiuvoke ndaj fenomeneve, vlerave idologjike dhe programore, aleancave dhe drejtësisë.
3. Proces aktiv e gjithpërfshirës i ringritjes së forumeve partiake.
4. Përpilim dhe angazhim këmbëngulës për zbatimin e propozimeve politike që adresojnë problematika të rëndësishme si reforma zgjedhore, amendamente të projektligjit të amnistisë, mbështetje për mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës etj.
5. Denoncime politike e penale
6. Angazhimet programore për zgjedhjet e ardhshme.
7. Shpallja 1 vit para zgjedhjeve e listës së kandidatëve për deputetë.

Ka edhe një realitet të katërt në politikën e sotme Shqiptare që ka të bëjë me rolin e partive jo parlamentare që të shkëputura nga njëra-tjetra apo të pa atashuara me një nga tre të parat si dhe me pamundësinë për të qenë të dukshëm mjaftueshëm në sytë e elektoratit, kanë pasur një impakt fatkeqsisht jo të ndjeshëm në skakierën politike.

Artikulli paraprakKëshilltarët e PD në Këshillin Bashkiak Tiranë, depozitojnë në Gjykatën e Apelit padi për shfuqizim dhe rishqyrtim të Vendimit të Buxhetit 2024
Artikulli tjetërZëri i Amerikës: Qeveria shqiptare i fshehu UNESKO-s resortin që po ngrihet në Butrint!