A po e amniston Sali Berisha korrupsionin qeveritar duke sulmuar SPAK?

Nga Ervis Iljazaj

Me shumë gjasa qeveria aktuale është një qeveri me nivel korrupsioni të lartë. Ky nuk është një opionin, por një fakt. Si asnjëherë më parë janë akuzuar, hetuar apo arrestuar për korrupsion dhjetëra kryetarë bashkie të Partisë Socialiste. Ndoshta korrupsioni po del më shumë në pah kohët e fundit për shkak të aktivitetit të SPAK, por gjithsesi fakti mbetet. Janë dënuar ish-ministra, deputetë, pushtetarë, deri edhe ish- zv/kryeministri. Së fundmi, janë arrestuar disa drejtorë në Bashkinë Tiranë, po të pushtetit. Madje dhe vetë kryetari i saj, një nga njerëzit me më shumë pushtet në Shqipëri, Erion Veliaj, u paraqit pranë dyerve të SPAK.

Po të ndjekësh logjikën e Partisë Demokratike, sidomos të kryetarit të saj Sali Berisha, këta njerëz nuk janë të korruptuar, por të akuzuar dhe të hetuar nga një organizatë kriminale. Me pak fjalë, duke qenë se SPAK është vegël e Edi Ramës, ajo përdoret kundër tyre politikisht. Njërëz si Vangjush Dako, Ili Beqaj, Alqi Bllako, Arben Ahmetaj apo emra të tjerë të rëndësishëm të mazhorancës, sipas kësaj logjike po përndiqen politikisht. Pra, drejtësia e kapur nga Rama dhe e konsideruar si organizatë kriminale po u bie më qaf këtyre. Sepse janë të korruptuar dhe drejtësia po bënë punën e saj, ose përdoret polikisht nga Rama dhe hetimet ndaj tyre janë me urdhër politik.

Tashmë duket qartë që kjo është një logjikë që nuk qëndron në këmbë dhe s’ka asgjë të vërtetë. Por ama në sytë e opinionit publik. Sali Berisha duke quajtur SPAK një organziatë kriminale po i amniston ata.

Edhe pse duhet të jetë një kosto e madhe për pushtetin, Edi Rama asnjëherë nuk e ka kritikuar, mallkuar apo sulmuar SPAK për hetimet e tij edhe pse i ka marrë bashkëpunëtorë të afërt. Sigurisht nën rrogoz ka bërë të pamundurën për t’i ndalur këto hetime ndaj pushtetit të tij. E duke parë që s’ja ka dalë dot, luftën ndaj korrupsionit nga kosto e ka kthyer në avantazh. Duket paradoksale, deri në një skizofreni politike, por Rama në vend që të japë llogari për korrupsionin e kthen atë në një avantazh duke i thënë shqiptarëve që është vullneti i tij që po e lufton atë, dhe është ai që ka bërë Refomën në Drejtësi.

Sigurisht kjo qasje nuk ka asgjë të vërtetë, është thjesht një strategji politike. Duke qenë se nuk e ndalon dot avancimin e hetimeve të SPAK, Rama do ta kthejë luftën ndaj korrupsionit gjatë fushatës së ardhshme në një kalë betejë. Sepse dihet fare mirë që është nga ata liderë që nuk shikon fatkeqësi në rrethana të caktuara, por i kthen ato në avantazh.

Jo më kot nuk mbron asnjë personazh të pushtetit të tij sa herë që ata bien në rrjetën e SPAK. Dhe për këtë i ka dalë nami se Rama i ‘’shet’’ njerëzit e tij. E vërteta është se nuk i ‘’shet’’, thjesht merr maksimumin edhe në vështirësi, siç është korrupsioni në qeverinë e tij.

Nga ana tjetër kemi një sjellje totalisht të kundërt të një pjese të opozitës siç është Partia Demokratike. Sa herë që një pjesëtar i saj hetohet, akuzohet apo edhe arrestohet, Rithemelimi kritikon SPAK, e konsideron atë si një organizatë kriminale, apo edhe si një vegël të qeverisë. Këtë sjellje ka patur që me hetimin e liderit të saj, Sali Berisha. Duke u sjellë në këtë mënyrë, Partia Demokratike po humbet një nga kauzat kryesore të opozitës, atë të luftës ndaj korrupsionit.

Këtë kauzë po e humbet pikërisht duke sulmuar SPAK çdo ditë, institucionin që ka për detyrë të hetojë korrupsionin.
Kjo sjellje përveçse po bën që opozita të humbasë një nga kauzat e saj kryesore, nuk është as elektorale. Sepse SPAK aktualisht ka një mbështetetje të madhe në opinionin publik shqiptar, rreth 70 përqind.

Partia Demokratike ka vetëm një shans për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Të mbështesë SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe ta kthejë këtë betejë në motivin ekzistencial të saj. Imagjinoni për një moment sikur PD të fitonte të gjithë kapitalin politik nga hetimet e SPAK në luftën kundër korrupsionit. Përkundrazi, në vend që të përfitojë politikisht nga puna e SPAK, duket sikur qëllimi kryesor i saj është ta delëgjitmojë punën e tij. Madje, shprehet publikisht që sapo të vijë në pushtet do ta ç’bëjë këtë institucion. Në këtë retorike të PD nuk ka asnjë logjikë politike, asnjë strategji komunikimi, asnjë orientim politik të qartë. Por ka vetëm një konflikt të madh interesi, nga i cili Partia Demokratike nuk përfiton dot politikisht./Liberale.al

Exit mobile version