A po mundohet Rama të mbajë gjallë flluskën e ndërtimit

Ditët e fundit kryeminisri Rama ka përsëriur disa mesazhe të çudishme që i shtyjnë shqiptarët, emigrantët dhe të huajt të investojnë në blerjen e pronave në Shqipëri. Ndonëse në pamje të parë këto deklarata duken optimiste, të nxitura nga efuforia elektorale e afrimit të mundshëm me BE-në, ato duhen analizuar me kujdes, sepse përtej këtyre notave pozitiviste mund të fshihet shqetësimi i përhershëm për plasjen e mundëshme të një flluske në industrinë e ndërtimit.

Fillimisht kryeministri foli pak ditë më parë, gjatë një takimi elektoral në Saranë duke i yshtur njerëzit të blejnë tani, pasi në momentin kur vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, çmimet mund të dyfishohen. “Në momentin që do hyjmë në BE, të gjitha pronat do të pësojnë rritje çmimi dyfish menjëherë siç ka treguar historia e të gjitha vendeve që kanë hyrë. Kur Kroacia hyri në BE, një muaj pasi gjithçka kërceu dyfish se prona e patundshme bëhet objekt interesi. Nuk është më interes thjesht i popullatës që banon këtu. Njësoj si një qytet i ri t’i shtohet Shqipërisë dhe të ketë potencialet që ka Shqipëria. Përfytyroni se çfarë interesi do të kishte që edhe pse dyfishohen janë më lirë sesa vendet e zhvilluara të BE. Kështu që çfarëdo investimi të bëni sot, pas disa vitesh do t’u kthehet në mirësi’, tha ai.

Nëse në rastin e parë kjo mund të dukej një shiringë zgjedhore për të ardhmen e sarandiotëve, përsëritja e mesazhit nuk mund të konsiderohet më e rastësishme. Në eventin “Match-Maker Albania 2025” me mbi 1000 pjesëmarrës nga 37 shtete, përfshirë investitorë, agjenci të zhvillimit dhe eksportues shqiptarë për investimet në pasuri të paluajtshme, Rama ftoi investitorët dhe agjencitë të investojnë tani në vendin tonë.
“Është koha për të investuar në Shqipëri. Është koha për të blerë qoftë një gur në Shqipëri. Sepse nesër të gjithë do duan të blejnë dhe do jetë shumë shtrenjtë. Kështu që, çfarë doni të blini, bëjeni tani. Është koha kur Shqipëria nis të lulëzojë dhe ende nuk është plotësisht e njohur për potencialin që ka”, përsëriti ai.

Përpos optimizmit elektoral këto thirrje mund të shihen edhe si një kambanë alarmi se kryeministri po përpiqet të pompojë me çdo mjet një industri, kurba e së cilës ka mbëritur majën dhe tani mund të pësojë rënie. Si njeriu më i informuar në Shqipëri, për shkak të detyrës, Rama e di se transaksionet për shitjen e pasurive të paluajtshme dhe sidomos apartamenteve në Tiranë kanë pësuar një rënie të ndieshme. Ndonëse kjo nuk është pasqyruar në luhatjen e çmimeve, pasi ndërtuesit më mirë preferojnë të mos shesin si më parë sesa të nxisin spiralen e rënies, Rama ka kontakte të drjejtpërdrejta me njerëzit e sektorit që ia kanë shprehur vështirësinë e tyre.

Prej kohësh në Tiranë është bërë e njohur shifra e mbi 50 mijë apartamenteve që qëndrojnë bosh. Po ti shtosh kësaj edhe numrin rekord të lejeve të ndërtimit që u dhanë në kryeqytet në vitin 2024, plot 1.9 milionë metra katrorë sipas INSTAT (tabela poshte nga Monitor), raporti midis kërkesës dhe ofertës rrezikohet të përmbyset ndjeshëm.

Pikërisht kjo frikë e ka shtyrë FMN dhe Shoqatatën e Bankave që të lëshonin në janar të këtij viti alarmin: Kujdes me ndërtimin! Pra frika e një plasje të mundshme të flluckës mund të rrezikonte edhe sistemin bankar. “Ekspozimi ndaj pasurive të paluajtshme mund të krijojë varësi të tepruar në një sektor që është i ndjeshëm ndaj luhatjeve ekonomike. Në rast të një rënieje të çmimeve të pasurive të paluajtshme, bankat mund të përballen me një rritje të kredive me probleme”, i tha dy muaj më parë revistës ekonomike Monitor, Spiro Brumbulli, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Ndërsa shefja e FMN për Shqipërinë, Anke Weber, vuri theksin tek mundësia e “frenimin e zgjerimit të shpejtë të kreditimit në sektorin e pasurive të paluajtshme”, pasi sipas analizës së këtij institucioni “rritja e ndjeshme e kredive hipotekore dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve në sektorin e pasurive të paluajtshme”, mund të krijojnë probleme.

Natyrisht që Edi Rama di shumë më tepër sesa sinjalet e alarmit që lëshohen publikisht, ashtu sikurse Berisha dinte më shumë për firmat piramidale nga jo që thoshte FMN-ja. Prandaj dhe fushata e tij e tanishme, për të nxitur blerjen e pasurive të paluajtshme dhe apartamenteve, përveçse me kuptimin e saj të parë, për të shtuar fitimet e investitorëve para hyrjes në BE, mund të shihet edhe me merakun e një njeriu që e di se flluska është në prag të pëllcitjes dhe prandaj do të stimulojë vazhdimin e blerjeve frenetike.

Exit mobile version