Në kohën e diktaturës dhe Paktit të Varshavës qarkullonte në Rumani një fjalë mjaft popullore: Nga të gjithë fqinjët e vendit vetëm Deti i Zi është më besniku. Tani duket se edhe kjo ka ndryshuar. Aneksimi i Krimesë nga Moska dhe lufta në Lindje të Ukrainës kanë shqetësuar Europën Lindore e Juglindore. Rumania ndjehet sidomos e kërcënuar dhe synon të marrë premtime zyrtare për përforcimin e krahut juglindor, ashtu si në Poloni dhe në vendet e Balltikut. Në Bukuresht dëgjohet shpesh, se Deti i Zi është prej kohësh “det rus”.
NATO e merr seriozisht nevojën për më shumë siguri të shteteve europianolindore. Këtë e tregon edhe prezenca e rreth 4.000 ushtarëve në Balltik dhe Poloni. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Samitin e Varshavës do të merren “vendime të prera sipas nevojës së rajonit juglindor”. Për shembull, në Samit pritet të merret vendimi për krijimin e një brigade shumëkombëshe në Rumani dhe vendosjen nën kompetencën e NATO-s të sistemit amerikan të mbrojtjes antiraketore në jugun rumun.
Heinrich Brauss, gjeneral gjerman, një nga të atashuarit tek sekretari i Përgjithshëm, përgjegjës për politikën e mbrojtjes dhe planifikimit të trupave në shtabin qendror në bisedë me “Deutsche Wellen” e vlerëson politikën e NATO-s në krahun lindor si “një strategji kërcënimi, të cilën ne në zhargonin e NATO-s e quajmë të orientuar drejt 360 gradë. Pra, edhe në Lindje, në Jug, edhe në Juglindje”. Sipas Brauss është e qartë që hapësira e Detit Balltik është e një rëndësie të veçantë dhe se Deti i Zi nuk duhet dhe nuk mund të bëhet një det i dominuar nga rusët.
Katarzyna Kubiak dhe Wolfgang Richter, ekspertë për çështjet e sigurisë në fondacionin gjerman “Shkenca dhe Politika”, kanë theksuar në intervistë me “Deutsche Wellen” se, “nuk mund të përjashtojmë që përgatitjet për vendosjen e sistemit antiraketor në Poloni dhe Rumani perceptohen në Rusi dhe vendet e stacionimit brenda kontekstit të masave për sigurimin e partnerëve lindorë të NATO-s”. Nëse nga Samiti i Varshavës del një sinjal i armatimit dhe marshimit të trupave në Balltik, kështu mund të pritet një lloj rimilitarizimi i kufijve mes NATO-s e Rusisë apo Bjellorusisë, thonë ekspertët.
Drejtuesi i Konferencës së Sigurisë në Mynih, Wolfgang Ischinger në një takim me shtypin e huaj në Berlin e mbrojti strategjinë e NATO-s në Europën Lindore. Situata e kërcënimit për partnerët lindorë -përmes ngjarjeve në Ukrainë dhe në rajon nuk është krijuar nga NATO. Por nga ana e Moskës po punohet me “argumente propagandistikë të fuqishëm”. NATO ka reaguar “e përmbajtur” ndaj nevojës për siguri të partnerëve lindorë. Sipas Ischinger katër batalionet në Poloni dhe Balltik nuk janë në kundërshtim me dokumentin themeltar NATO-Rusi. Edhe nga Rusia ai pret të njëjtën vetëpërmbajtje. “Rusia nuk duhet të reagojë në mënyrë të ekzagjeruar ndaj karakterit të përmbajtur të masave që ka marrë NATO dhe të vërë në lëvizje spiralen e armatimit”. Varet nga Rusia të pranojë ofertën e bashkëpunimit me aleancën.
Një temë tjetër që do të preokupojë Samitin e NATO-s në Varshavë. Krahas vendimeve të parathëna si “historike”, pritet edhe një sinjal i qartë i Britanisë së Madhe pas Brexit. Jo vetëm europianolindorët tremben se dalja e Britanisë së Madhe nga BE e dobëson pozicionin e NATO-s në Lindje. Londra nuk duhet të izolohet dhe do të ishte mirë të mos hiqte dorë nga roli i saj esencial në NATO.