A po rrëshqasim sërish në një diktaturë hoxhiste?

Nga Spartak Ngjela

Shkrimtari Aloys Winterling në veprën e tij të famshme biografike CALIGULA ka shkruar: Si ndodh që mund të vijë në një sistem politik kombinimi unik kontradiktor e historik i republikës dhe monarkisë?

Dhe kjo sigurisht që është pika kyçe në historinë e shtetit modern brenda pyetjes: republikë apo monarki?

Por kjo pyetje universale ende nuk është zgjidhur, sepse çdo kryeministër që ka përfunduar diktator ka pasur brenda vetes kërkesën për të qenë monark me pushtet absolut.

Por që ka qenë vetëm kryeministër.

Një i tillë ka qenë edhe Musolini, por edhe Enver Hoxha.

Po ku janë tani?

Që të dy gjenden ne ferrin e një diktatori të kriminalizuar.

Po demokracia si ka degraduar në pushtete diktatorialë?

Demokracia si rregull historik ka degraduar në diktaturë nga vullneti i kryeministrit që, pasi ka ardhur në pushtet me vota, ka krijuar sistemin e tij politik individual dhe ka vrarë ose ka persekutuar kundërshtarët politikë.

Dhe pse kanë përfunduar kështu?

Sepse kanë ardhur në pushtet jo si mbretër të fisnikërisë së lartë, por si njerëz të thjeshtë të popullit që kanë shtënë në dorë pushtetin me revolucion me thirrjen: për popullin dhe me popullin.

Por që, pasi kanë ardhur në pushtet, gjithçka e kanë bërë për të ushqyer sëmundjen e tyre patologjike në një pushtet absolut, duke mos qenë mbretër.

Dhe si kanë përfunduar këta sot në historinë e Evropës.

Të gjithë këta janë të regjistruar si figura kriminale në histori.

Pse, a nuk është në një regjistër të tillë edhe Enver Hoxha sot në historinë e Shqipërisë, por edhe Musolini në Itali?

Por me gjithë këtë, a ka ende rrezik Shqipëria dhe populli shqiptar të bien sërish në një diktaturë të tipit Hoxha?

Rreziku sigurisht që ekziston, prandaj shqiptarët, në Shqipëri dhe në Kosovë, duhet të jenë shumë të vëmendshëm me fatin e tyre historik në funksion të sistemit politik. Diktatori, si rregull historik, nuk është me psikikë normale, por me psikikë të sëmurë që e shtyn drejt krimit dhe dhunës, në funksion të pushtetit të tij personal.

Artikulli paraprakFJALIMI HISTORIK i Franklin D. Roosevelt mbi Katër Liritë themelore pas kërcënimit të despotëve gjatë Luftës së II Botërore
Artikulli tjetër“Kosotot e jetesës, pagat e pensionet problemet e shqiptarëve, jo të pandëshkuarit që luftojnë kundër SPAK”, Basha: Më 11 maj të çelim një kapitull të ri për një politk që u shërben qytetarëve