Barometri në Euronews Albania në pyetësorin e fundit ka bërë një skaner të vlerave tek të cilat besojnë më shumë shqiptarët.
Ata janë vendosur këtë herë përballë pyetjeve që pyesin për veprime apo fenomene si prostitucioni, homoseksualiteti, aborti, marrëdheniet seksuale, divorci e të tjera.
Për të kuptuar tolerancën ose jo të shoqërisë sonë në raport me këto vlera, 1000 persona mbi 18 vjeç janë pyetur ballë për ballë si në çdo studim tjetër.
Vlerat e përgjigjes tregojnë se shoqëria jonë ka një mungesë tolerance për fenomene nga prostitucioni tek homoseksualiteti apo aborti dhe divorci, por në vlera të ndryshme për secilën nga ato.
Në listën e fenomeneve të mësipërme dallohet se vlerat më të larta të mospranimit apo mosjustifikimit janë për prostitucionin.
Rezultatet e anketimit tregojnë se 91,2 % nuk e justifikojnë prostitucionin, 85,5 % nuk justifikojnë homoseksualitetin, 77,2 % nuk e justifikojnë abortin.
Po kështu përqindje e lartë e mosjustifikimit është edhe për marrëdhëniet seksuale spontane 64.8%, divorci mbetet ende në vlera të larta me gjithë shifrat në rritje me 47,8 % të të anketuarve që shprehen se nuk e justifikojnë atë, dhe vlerën më të ulët në përqindje për mospranimin si veprim shqiptarët e kanë për marrëdhëniet seksuale para martese./ Euronews.al