Amir Abrashi feston ditëlindjen, një ditëlindje ndoshta ndryshe për të. 27-vjetori e gjen mesfushorin në një situatë disi të veçantë. Të shtunën e kaluar u largua bashkë me Taulant Xhakën nga grumbullimi i kombëtares, të dy nuk u aktivizuan ndaj Italisë, por menaxhimi i situatës ka qenë i ndryshëm. Nëse Xhaka e shfaqi hapur pakënaqësinë me trajnerin, Abrashi largimin e tij e ka motivuar me një lëndim që kishte që para grumbullimit, arsyetim ky i përcjellë publikisht nga De Biasi në konferencën për shtyp pas humbjes në Palermo. De Biasi ka lënë të kuptohet se ka zero probleme me trajnerin. Përtej deklaratave publike është e lehtë të kuptohet se edhe Abrashi ka pakënaqësitë e tij në lidhje me aktivizimin, nga një nga lojtarët më të vlerësuar në Francë pas Europianit kuotat e tij kanë rënë ndjeshëm dhe nuk është aktivizuar më që pas zëvendësimit në pjesën e dytë ndaj Lihtenshtejnit.
Abrashi ka preferuar të mos shprehet për mediat pas Italisë, ndoshta i vetëdijshëm se një deklaratë e tij mund të shkaktojë reagime të ndryshme, apo ndoshta edhe të keqinterpretohet. Për ditëlindjen e tij të 27 nuk ka munguar edhe një urim publik nga kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, një urim i thjeshtë, ashtu siç numri një i Federatës në fakt nuk ka munguar të bëjë për çdo lojtar të Kombëtares, por që në situatën e krijuar merr akoma më shumë kuptim. Abrashi nuk e ka kompromentuar të ardhmen e tij me Kombëtaren dhe në këtë 27-vjetor, një urim mund të jetë edhe ai për ta parë edhe për shumë vite të tjera me fanellën kuqezi!