Abrashi shënon golin e parë me Freiburg

Amir Abrashi jo vetëm ka arritur që të hedhë pas krahëve problemet fizike që e kishin shoqëruar gjatë javëve të kaluara, por edhe është bërë protagonist i drejtpërdrejt i suksesit të skuadrës së Fraiburgut në ndeshjen e javës së 9 të Bundesligës. Ndaj Verder Bremen, ai realizoi golin e tij të parë në elitën e futbollit gjerman.
Mesfushori kishte përjetuar një dëmtim në kokë dhe një në kavilje gjatë muajit të fundit, i cili po dukej shumë pa fat për të. Por lojtari u shfaq dje përsëri mes titullarëve në radhët e Fraiburgut, duke zhvilluar një ndeshje shumë të mirë të kurorëzuar me golin e rezultatit përfundimtar 3-1 për ekipin e tij. Pas një aksioni në krahun e djathtë, kur regjistrohej minuta e 75-të e sfidës, topi mbërriti te Abrashi, i cili në hyrje të zonës gjuajti me të djathtën dhe falë një devijimi, arriti të kalonte portierin Viedvald të Verder Bremenit. Ky ishte goli i parë në Bundesligë për Abrashin, i cili në sezonin e kaluar, kishte realizuar tre të tillë në Bundesligën 2.
Bajerni i Mynihut fitoi derbin e Bavarisë, duke mundur pa shumë probleme Augsbugun në transfertë. Kampionët e Gjermanisë ruajtën kryesimin në Bundesligë, duke marrë fitoren e dytë radhazi me Lewandowskin që ishte protagonist i takimit me një dygolësh. Polaku ishte ai që zhbllokoi sfidën teksa qe në minutën e 19-të arriti t’i jepte epërsinë të tijve.
Dy minuta më pas, ndeshja ishte tërësisht e mbyllur me Roben, që dyfishoi rezultatin pas një asisti të Lewandowskit, që i ktheu favorin shokut të tij të skuadrës. Pa filluar ende mirë pjesa e dytë, Bajerni realizoi dhe golin e 3-të sërish falë dyshes Robben-Lewandowski, me polakun që mori përsipër dërgimin e topit në rrjetë.
Deri në fund pati kohë dhe për golin e nderit të Augsburgut që shkurtoi diferencën me anë të Koo Ja Cheol. Falë këtij suksesi, Bajerni ruan kryesimin në renditje pavarësisht fitores që mori në transfertë dhe Lajpcig, ndërkohë që Leverkusen i dha një shuplakë krizës, pasi mundi 2-1 në transfertë Wolfsburgun. Ujqërit, duke sikur ishin në rrugën e duhur për të marrë fitoren e parë që prej fillimit të kampionatit, kur shënuan në minutën e 37-të me Arnold, por në katër minuta nga 79-të deri në 83-të, Bajer arriti të përmbysë ndeshjen. Mehmedi ishte ai që shënoi i pari. Ndërsa Jedvaj katër minuta më pas, përfitoi nga një aksion i gjatë i të tijve për të dërguar topin në rrjetë për golin e fitores.
Borussia Mounchengladbach nuk shikon dritë në fund të tunelit. Skuadra e Andre Schubert nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola në sfidën e parë të javës së 9 të Bundesligës kundër Frankfurtit në “Borussia-Park”.

Exit mobile version