“Absurde dhe qesharake”/ Mirela Karabina: Pasi i përzunë dhunshëm shqiptarët nëpër botë, sot po i kërkojnë votën

Nga Mirela Karabina

Një situatë sa absurde, aq dhe qesharake!

Shkaktarët e tragjedisë shqiptare të shpopullimit masiv të vëndit në 34 vjet janë shpërndarë si zogjtë e korbit nëpër botë duke i kërkuar votën shqiptarëve në zgjedhjet e 11 majit.

Po pse duhet të votojë mërgata shqiptare Edi Ramën dhe Sali Berishën?

Shqiptarët mërguar prej vitesh u larguan se pronarët nuk po gëzonin pronat e trashëguara dhe vazhdojnë e dergjen dyerve të gjykatave 34 vjet e nuk i marrin dot, të përndjekurit politikë të dikaturës ata që e vuajtën më rëndë egërsinë e diktaurës dhe me humbje jetësh u larguan më shpejt nga vendi pasi e kuptuan që pluralizmi nuk solli lirinë dhe demokracinë e ëndërruar, të rinjtë largohen çdo ditë pasi kërkojnë cilësi në arsim, diplomë të vlefshme në treg të punës, punësim dhe pagë për një jetë të mirë dhe dinjitoze.

Këta politikanë, ky establishmet që nuk lëshon pushtet është shkaktari i largimit të shqiptarëve.

12 vite rresht në pushtet Edi Rama kishte kohë mjaftueshëm të bënte histori suksesi e ndryshimesh.

FB IMG 1738152087175

Por liston veç dështime me pasoja afatgjata për zhvillimin e vendit dhe për rrjedhojë rreth 600 mijë shqiptarë janë larguar në këto vite të qeverisjes së Ramës, 50 mijë shqiptarë në vit (INSTAT), sa disa dekada bashkë dhe asnjë politikë për të ndalur këtë hemoragji të trurit dhe fuqisë punëtore nuk është ndërmarrë.
Reth 50% e të larguarve gjatë viteve të fundit janë të rinj të moshës 15 -29 vjeç (INSTAT).

Dhe në këtë tragjedi mërgimi Rilindja+Rithemelim, gjendur në hallin e madh si subjekt hetimi nga drejtësia SPAK, po bëjnë të pamundurën për ruajtur pushtetin e tyre dhe për t’i thënë shqiptarëve të mërguar se “ne jemi përsëri alternativa”, “ju vazhdoni të jetoni këtu larg vendit tuaj por na jepni votën”.

Ndërkohë që mërgata shqiptare ka qenë gjithmonë shtylla e ekonomisë së vendit, pa të ardhurat e tyre familjet shqiptare nuk do të mund të jetonin dot.

Dhe për këtë Rama-Berisha i janë borxhlinj shqiptarëve të mërguar!

E tani më në fund ka ardhur momenti që mërgata (diaspora) të vendosë vetë për ata që duhet të drejtojnë Shqipërinë, duke ndëshkuar shkaktarët e tragjedisë shqiptare të shpopullimit të vendit dhe lënies së tij në duart e krimit në pushtet dhe korrupsionit endemik.

Është momenti historik që me votën e tyre të sjellin ndryshimin për t’i hapur rrugën zhvillimit europian të vendit dhe për ta afruar atë me standartet e vendeve ku ata jetojnë e punojnë.

Ashtu si e ka bërë në ekonomi, mërgata shqiptare do të duhet ta bëj këtë herë ndryshimin dhe në politikë.

Exit mobile version