Absurdi i projektit me parkingjet smart, 7500 euro për një parking

Ola Xama

Kur nuk kanë lënë rrugë e lulishte pa ndërtuar, situata me menaxhimin e kryeqytetit po arrin në përmasa komike.

Tirana Parking ka hapur një tender ku kërkohet instalimi i parkingjeve ‘smart’. Një projekt i cili parashikon që në rrugët e Tiranës të vendosen parkingje me struktura metalike dykatëshe të cilat do të akomodojnë dy makina.

Kjo zgjidhje synon “të shmangë parkimet dyshe në rrugë”, ndërsa vetëm për instalimin e 40 vendeve do të shpenzohen 300 mijë euro me tvsh.

Pra, kostoja e një vendi parkimi në rrugët e kryeqytetit me këtë projekt kushton 7500 euro. Për të plotësuar të gjithë vendet që janë në dispozicion të parkimit në hapësirat e hapura me një kat shtesë (afërsisht 8 mijë), do të duheshin 60 milion euro. Nëse projekti zbatohet për gjysmën e tyre, do të nevojteshin 30 milion euro.

Tirana Parking është një agjenci jo-buxhetore që krijon të ardhura nga menaxhimi që i bën hapësirave publike të parkimit, pronë e qytetarëve të Tiranës. Por askush nuk e di nëse ekonomikisht kjo agjenci e përballon mbulimin kostove, pasi për asnjë vit nuk ka të publikuar, buxhetin, pasqyrat financiare dhe raportin e performancës.

Ajo që mund të thuhet me siguri është se jo në të gjitha rastet menaxhimi i hapësirave publike i përgjigjet interesit të qytetarëve. Në zonat më të frekuentuara, vendet e parkimit pushtohen në masë nga kompani që i rezervojnë dhe kanë mundësi të paguajnë tarifë vjetore, ndërsa qytetarët detyrohen të parkojnë mjetet në vende ku 1 orë kushton mbi 300 lekë.

Në raste të tjera, vendet paguhen nga institucionet publike për titullarët e tyre. Paratë dalin nga xhepat e shqiptarëve dhe po nga xhepi, ata detyrohen të përdorin vendparkimet e shtrenjta private, ndërsa agjencia që mbledh paratë nuk ka asnjë raport llogaridhënie se si i shpenzon ato.

Zgjidhja që po ofrohet është një absurd jo vetëm në aspektin ekonomik, por dhe estetik dhe moral. Nuk mund ta japë këtë zgjidhje, e njëjta administratë që ka firmosur shkatërrimin e qytetit. E njëjta administratë që nuk ka detyruar ndërtuesit që te leja të ndërtojnë parkingje në raport me numrin e banesave, por është bërë palë me privatin për tu pasuruar vetë.

Ganxhat metalike që do të fillojmë të shohim në kryeqytet, do të na kujtojnë se si interesat e lobit të ndërtimit, betonizuan çdo cep të vendit, dhe në vend të pemëve, trotuareve po u instalojnë teknologji kineze, si për të na tallur për herë të fundit.

Artikulli paraprak“Kam shumë vese”- Çfarë shkruante në letër mësuesi amerikan që mbyti gruan dhe më pas vari veten! Dyshohet se kishte borxhe! Prej 4 vitesh jetonte në Shqipëri
Artikulli tjetërShqipëria e marrë peng nga krimi