Abuzimet 2.4 mln USD në Tiranë-Elbasan, KLSH çon për ndjekje penale zyrtarin e ARRSH

2.4 milionë dollarë, është dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit nga Autoriteti rrugor në lidhje me rrugës Tiranë-Elbasan.
Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi se ka përfunduar auditimin në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) për projektin “Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan”, për periudhën nga data 30.06.2014 deri më datë 30.06.2016”, ku ka gjetur një dëm të shkaktuar në vlerën totale 2,411,159 USD dhe të shpenzimeve jo në përputhje me parimet e ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit me vlerë 4,038,959 USD.
Nga auditimi u konstatuan pagesa ndaj kontraktorëve privatë të dhëna në kundërshtim me kontratën e punimeve civile, keqmenaxhim i fondeve, me pasojë dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit në vlerë mbi 2,4 milionë USD, si dhe shpenzime jo në përputhje me parimet e 3E-ve (efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit) me vlerë mbi 4 milionë USD.
Për të gjitha shkeljet e mësipërme, mban përgjegjësi kryesore drejtori i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, i cili është kallëzuar penalisht, thuhet në njoftimin zyrtar të KLSH-së.
Bazuar në Manualin e Prokurimeve për shërbime konsulente të Bankës Islamike për Zhvillim, KLSH ka rekomanduar masë administrative për shpalljen të papranueshëm për lidhje kontrate për shërbime konsulente kompaninë, e cila është ngarkuar për supervizionin e punimeve, si dhe moslidhjen e kontratave të mëtejshme me kontraktorët, të cilët po realizojnë punimet civile të këtij projekti.
Gjatë auditimit u konstatuan disa shkelje dhe parregullsi në lidhje me përcaktimet e bëra në kontratat e konsulencës, si dhe ato të punimeve civile, për sa i përket kryerjes së pagesave për punime të parealizuara, ndryshime të projektit të shoqëruara me rritje fiktive të çmimeve për zëra të ndryshëm punimesh, si më poshtë:
Nga auditimi i punimeve që po realizohen në Usekun e Mulletit, kanë rezultuar defektoze disa nga punimet e realizuara nga kontraktori (sipas projektit të ndryshuar nga vetë kontraktori nëpërmjet një vlerësimi inxhinierik, sipas të cilit risqet i mbeten zbatuesit të punimeve) duke rrezikuar shembjen e skarpateve, në momentin e vënies në funksionim të rrugës. Këto punime po përsëriten si pasojë e uljes së pjerrësisë së skarpateve dhe rindërtimit të masave mbrojtëse të tyre.
Bazuar në kontratën përkatëse të punimeve, vlera 1,601,169 USD duhet të zbritej nga situacionet e likuiduara kontraktorit, pasi përgjegjësia për mosfunksionimin e tyre është e vetë kontraktorit. Kjo vlerë konsiderohet dëm ekonomik, pasi edhe pas ndryshimit të projektit dhe hartimit të preventivit të ri, nuk është përfshirë në zbritje kjo vlerë punimesh, por janë marrë në konsideratë vetëm punimet, të cilat nevojiten të realizohen, edhe pse punimet e reja kanë shkatërruar punimet e realizuara më parë.
Sipas urdhër ndryshimit nr. 6, miratuar në muajin tetor 2015, janë likuiduar punime të përkohshme në menaxhim trafiku për marrje në dorëzim të pjesëve të rrugës për segmentin “Sauk-Tunel i Krrabës”, të cilat pretendohet se janë realizuar në muajin qershor 2013. Punimet konsistojnë në furnizim vendosje shenja trafiku të përkohshme, përbërës rrugorë dhe sinjalistikë horizontale e përkohshme. Në përshkrimin e urdhër-ndryshimit nuk ka asnjë referencë ligjore, kontraktore apo akte të tjera. Nuk është miratuar asnjë urdhër ndryshimi për realizimin e këtyre shërbimeve në periudhën e pretenduar, si dhe nuk është çertifikuar në periudhën e pretenduar si të realizuar, megjithatë janë likuiduar nga nëpunësit e rinj të Njësisë së Menaxhimit të Projektit, të cilët menaxhojnë projektin nga gushti i vitit 2015.
Në kontratën e punimeve civile, pika 4.8 dhe specifikimet teknike përkatëse pika 1.03.4 dhe 1.02.06, për aksin rrugor Tiranë-Elbasan, përcaktohet se punimet duhet të realizohen duke siguruar edhe lëvizjen e pandërprerë të automjeteve, si dhe krijimin e kushteve optimale për menaxhimin e trafikut dhe sigurisë rrugore. Pra, menaxhimi i trafikut duhet të realizohej nga vetë kontraktori pa kosto shtesë, përveç atyre të parashikuara në kontratë.
Pagesa me vlerë 179,047 USD është realizuar në kundërshtim me përcaktimet e kontratës dhe është përfituar padrejtësisht nga kontraktori.
Sipas urdhër ndryshimit nr. 8, miratuar në muajin tetor 2015, janë likuiduar punime menaxhimi të përkohshme për inaugurimin e segmentit rrugor “Tunel i Krrabës-Elbasan”. Në përshkrimin e urdhër ndryshimit nuk ka asnjë referencë ligjore, kontraktore apo akte të tjera.
Likuidimi i punimeve të mësipërme për këtë segment është përfshirë në pagesat e segmentit “Sauk-Tunel i Krrabës” në kundërshtim me kontratën e punimeve civile pika 14.10 dhe 14.11, ku përcaktohen afatet për të cilat kontraktori mund të paraqesë pretendim për ndonjë punim të realizuar, por të palikuiduar. Pavarësisht mospërmbushjes së këtij afati, në kontratë janë parashikuar shpenzimet për zbatimin e punimeve, ashtu dhe për aktivitete të tjera siç është marrja e masave për dorëzim.
Pagesa me vlerë 137,282.6 USD është realizuar në kundërshtim me përcaktimet e kontratës dhe është përfituar padrejtësisht nga kontraktori.
Bazuar në çertifikatën e punimeve nr. 15 (kontrata nr. 1) për seksionin 14 + 850 deri tek hyrja e tunelit, për zërin e punimeve 260 “Furnizim vendosje guardrail tip H3”, është përfshirë furnizim vendosje guardrail në sasinë 2588 ml, ndërkohë që nga verifikimi rezulton se në këtë segment është vendosur sasia 365 ml. Ky veprim është në kundërshtim me pikën 12.2 të kushteve të përgjithshme të kontratës “Metoda e matjeve”.
Diferenca me vlerë 286,660 USD përbën punime të çertifikuara, të likuiduara, por të parealizuara akoma.
Për segmentin nga kilometër 3+777 deri 5+744 është çertifikuar sasia 11,508 m2 asfalto-beton dhe 18,787 m2 binder. Nga verifikimi dhe llogaritja e sipërfaqes për këtë segment rezulton se është shtruar gjatësia e rrugës 300 ml sipas projektit dhe gjatësia 150 ml për rrugën hyrëse. Nga përllogaritjet rezulton se është çertifikuar më tepër asfaltobeton në sasinë 4158 m2 dhe binder në 3 shtresa në sasinë 12474 m2.
Pavarësisht se punimet për këtë segment nuk kanë përfunduar akoma, janë çertifikuar dhe likuiduar punime të parealizuara me vlerë 168,149.4 USD, përfituar padrejtësisht nga kontraktori.
Nga verifikimi i punimeve sipas zërit “Të mira publike”, urdhër ndryshimi, Nr. 7, konkretisht kryqëzimi i Mulletit, sifoni në kilometër 5 + 808 dhe kanali ujitës kilometër 6 + 250, u konstatua se ka diferenca të punimeve të çertifikuara dhe likuiduara në krahasim me ato të realizuara me vlerë 36,717.5 USD, e cila përfaqëson punime të likuiduara, por të parealizuara, është përfituar padrejtësisht nga kontraktori.
Sipas VO nr. 7 “Public Utilities” është likuiduar sasia 208 m2 sinjalistikë horizontale, ndërkohë që nga auditimi në terren rezulton se ky vijëzim nuk është realizuar. Ky veprim është në kundërshtim me pikën 12.2 të kushteve të përgjithshme të kontratës.
Pagesa me vlerë 1,757.1 USD, përfaqëson likuidim të punimeve të parealizuara të përfituara padrejtësisht nga kontraktori.

Si u shpërdoruan dhe u vodhën fondet me 4 milionë dollarë

Gjatë auditimit, u konstatua përdorimi paefektivitet i fondeve me vlerë 4,038,959 USD, i cili në mënyrë më të detajuar paraqitet si më poshtë:
Është miratuar nga supervizori dhe Njësia e Menaxhimit të Projektit dhe është në pritje të miratimit të donatorit, ndryshimi i projekti të “Useku i Mulletit”.
Ky ndryshim ka ardhur si rezultat i defekteve dhe mangësive të projektit origjinal, por edhe të projektit të rishikuar nga kontraktori, i cili ka bërë vlerësimin inxhinierik (projekt i rishikuar, sipas të cilit risqet i mbart zbatuesi i punimeve).
Pas miratimit të vlerësimit inxhinierik nga ARRSH dhe fillimit të punimeve, ka rezultuar se ky vlerësim inxhinierik është i mangët, kryesisht në zonën e Mulletit, ku skarpatat nuk kanë patur qëndrueshmëri. Për këtë kontraktori ka propozuar të mos zbatohet më tej vlerësimi inxhinierik (i propozuar nga ai), por të miratohet një urdhër ndryshimi, sipas të cilit projekti duhet të ndryshohej përsëri, por në këtë rast duke paraqitur disa alternativa, të cilat do t’i kalonin për miratim Këshillit Teknik të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Bazuar në vendimin e Këshillit Teknik nr. 46 (nr. Prot 5731, datë 02.07.2015), nuk janë pranuar alternativat e paraqitura, por është lënë që të vazhdohet me vlerësimin inxhinierik të kontraktorit. Për t’i dhënë zgjidhje problematikës dhe shmangien e vonesave, bazuar në urdhrin e ministrit nr. 110, datë 03.08.2015 është ngritur një bord drejtues, i cili pas shqyrtimit të dokumentacionit të projektit ka vendosur të pranojë një zgjidhje të paraqitur nga kontraktori, e cila konsiston në një gjeometri të re të të gjithë gjatësisë së Usekut të Mulletit, duke aplikuar pjerrësi më të buta për skarpatat. Nga bordi drejtues i projekti i është sugjeruar Njësisë së Menaxhimit të Projektit që të instruktohet kontraktori dhe supervizori që të analizojnë çdo zë të preventivit. Bazuar në gjendjen reale të vlerësohet mundësia e reduktimit të masave inxhinierike, si dhe të vlerësohet kontraktualisht përputhshmëria e zërit “Transport i materialit të gërmuar”, pasi ky zë është i përfshirë në preventivin origjinal.
Në mbledhjen e datës 23.02.2016, Këshillit Teknik i ARRSH, pasi ka shqyrtuar materialin e paraqitur nga bordi, me vendimin nr. 10, me nr. Prot., 1440, datë 02.03.2016, ka miratuar realizimin e ndryshimit të projektit.
Vlera e ndryshimit është 9,706,052.5 USD. Në këtë vlerë është parashikuar vlera 1,980,000 USD për transport të dherave shtesë, në kundërshtim me seksionin 4 të specifikimeve teknike të kontratës, pika 1.03.3, 4.01 dhe 4.7.
Përfshirja e një zëri të ri transporti me vlerë 1,980,000 USD, është e pajustifikuar dhe përbën përdorim pa ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet të fondeve.
Pavarësisht se nga ana e Këshillit Teknik të ARSH është vendosur që të rishikohen masat inxhinierike, si dhe çmimet përkatëse për çdo zë, preventivi përkatës është dërguar për miratim tek donatori pa ndryshimet e kërkuara.

Përfshirja e vlerave qindra milionëshe e pajustifikuar

Në preventiv është përfshirë edhe vlera 350,000 USD për realizimin e projektit, si dhe monitorimi gjeoteknik me vlerë 104,309 USD. Përfshirja e këtyre vlerave është e pajustifikuar, pasi vlerësimi inxhinierik është bërë nga vetë kontraktori dhe sipas pikës 13.2 të kushteve të përgjithshme të kontratës, ndryshimi i projektit duhet të bëhet me koston e kontraktorit. Në total, preventivit të punimeve për Usekun e Mulletit duhet t’i zbritet vlera 2,434,309 USD.
Nga ana e supervizorit dhe e Njësisë së Menaxhimit të Projektit është miratuar edhe ndryshimi i projektit për rrëshqitjen e Ibës me vlerë 8,606,189.4 USD. Edhe ky ndryshim nuk ka marrë miratimin përfundimtar nga donatori.
Në vlerën e mësipërme është përfshirë shtesë transporti me vlerë 1,269,000 USD, në kundërshtim me seksionin 4 të specifikimeve teknike të kontratës, pikat 1.03.3 dhe 4.01 të specifikimeve teknike.
Po ashtu është përfshirë vlera 250,000 USD për realizimin e vizatimeve dhe vlera  85,650 USD për monitorimin gjeoteknik, në kundërshtim me pikën 13.2 të kushteve të përgjithshme të kontratës “Vlerësimi inxhinierik”.
Në total, preventivit të punimeve për rrëshqitjen e Ibës i është përfshirë padrejtësisht dhe në kundërshtim me kontratën vlera 1,604,650 USD.
Për të gjitha shkeljet e mësipërme, mban përgjegjësi kryesore A.Q., me detyrë drejtor i Njësisë Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, i cili në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij funksionale ka konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit dhe favorizuar subjektin privat, (pa përjashtuar këtu edhe mundësinë e konstatimit gjatë hetimeve të përgjegjësisë penale edhe ndaj personave të tjerë anëtarë të Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, si dhe eprorëve të tyre, të cilët kanë ndikuar në çfarëdo mënyre dhe që evidentohen më konkretisht në raportin përfundimtar të auditimit).
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga A.Q., me detyrë drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, (apo edhe ato të kryera nga persona të tjerë që mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimit) si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” me ndryshimet përkatëse, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenit 15 germa “gj” të Ligjit nr. 154/2014 datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, me shkresë nr. 508/8, datë 07.09.2016, ka bërë kallëzim penal ndaj tij pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Exit mobile version